Si të bëhem nënoficer aktiv i FA

Në kushtet e një profesionalizmi më të lartë të FA dhe një angazhimi gjithnjë e më të madh në përmbushje të detyrave në mbrojtje të vendit dhe në interes të Aleancës, rekrutimi i nënoficerëve me një profil sa më cilësor është thelbësor dhe ka një impakt të rëndësishëm  mbi të ardhmen e FA. Një gjë e tillë mund të arrihet nëpërmjet përsosjes së sistemit të përzgjedhjes dhe instrumenteve të vlerësimit, si dhe motivimit të tyre nëpërmjet pagës dhe mundësive për karrierë.

 

 

Procedurat dhe kriteret që do të zbatohen nga strukturat përgjegjëse për përzgjedhjen e Ushtarit/Detarit të IV për ndjekjen e Kursit Fillestar të Nënoficerit.

1.    Të përgjithshme

a)    Sipas nenit 5, pika 5, të ligjit 59/2014, “nënoficer aktiv është ushtaraku i titulluar si i tillë me urdhër të SHSHP të FA
b)    Rekrutimi i nënoficerëve bëhet nëpërmjet konkurrimit të brendshëm.
c)    Në konkurrim mund të marrin pjesë vetëm ushtarët/detarët IV që plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të kreut II-të, të këtij udhëzimi.
d)    Konkurrimi do të zhvillohet sipas nevojave faktike të Forcave të Armatosura dhe specialiteteve. Nevojat e rekrutimit përcaktohen nga SHSHP.
e)    Publikimi i njoftimit për konkurrim, mënyra e aplikimit, afatet, dokumentet që duhet të paraqesin, kriteret që duhet të plotësojnë, testimet që do të zhvillohen, si dhe informacione të tjera të dobishme do të bëhen publike për të gjithë personelin e interesuar në faqen e internetit të SHPFA dhe nëpërmjet komandave, 3 muaj para fillimit të konkurrimit.
f)    Struktura përgjegjëse për zhvillimin e testimit është KDS/Akademia e Nënoficerëve.
g)    Aplikimi do të bëhet pranë komandave ku ushtarët/detarët e IV kryejnë shërbimin, sipas formatit të kërkesës të publikuar në faqen e internetit të SHP.
h)    Konkurrimi nuk është i hapur ndaj publikut jashtë FA.
i)    Kandidatët që do të aplikojnë pas skadimit të afatit të bërë publik nuk do të pranohen për të marrë pjesë në konkurrim.
j)    Pozicionet organike të cilat në TOP janë cilësuara për meshkujt do t’u ofrohen vetëm meshkujve, ndërsa pozicionet e tjera janë të hapura për meshkujt dhe femrat.
k)    Preferohen kandidatë që kanë arsim të lartë dhe njohuri në gjuhët e huaja.

2.    Kriteret e konkurrimit për të ndjekur kursin fillestar të nënoficerit

2.1.     Ushtari/Detari IV për të ndjekur Kursin Fillestar të Nënoficerit duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a)    Në momentin e aplikimit, të ketë jo më pak se dy vjet si ushtar/detar i IV.
b)    Në momentin e aplikimit të mos jetë më shumë se 32 vjeç.
c)    Të jetë vlerësuar jo më pak se “mbi mesatar” në dy vlerësimet e fundit vjetore (vlerësimet i referohen vlerësimit të superiorit).
d)    Të ketë kryer arsimin parauniversitar.
e)    Të jetë vlerësuar kalues në testin e përgatitjes fizike.
f)    Të jetë i aftë nga ana shëndetësore.
g)    Të ketë gjatësinë trupore jo më pak se 165 cm për meshkujt dhe 160 cm për femrat.

2.2.   Kriteret e përshkruara më lartë duhet të plotësohen dhe mbahen deri në datën e fillimit të Kursit Fillestar të Nënoficerit, në të kundërt, kandidati ndërpret konkurrimin ose kursin.

3.    Aplikimi

a)    Kërkesa për të marrë pjesë në konkurrim i adresohet komandës së repartit ku ushtari/detari IV është duke kryer shërbimin.
b)    Kërkesa do të bëhet sipas formatit dhe modaliteteve të trajtuara në Aneksin A, brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së publikimit në faqen e internetit të SHP, në adresën www.aaf.mil.al.
c)    Së bashku me kërkesën aplikanti duhet të paraqesë edhe raportin e ekzaminimeve mjekësore.

4.    Komunikimi me kandidatët

Pas aplikimit, komunikimi me kandidatët do të mbahet nëpërmjet publikimit të njoftimeve në faqen e internetit të SHP dhe nëpërmjet komandave përkatëse. Komunikimet me karakter kolektiv do të publikohen në faqen e internetit të SHP, ndërsa ato me karakter personal do të bëhen të ditura nëpërmjet komandave. Këto komunikime kanë karakter njoftimi me të gjitha efektet.

5.    Zhvillimi i konkurrimit

5.1. Zhvillimi i konkurrimit përfshin:
a)    Testimin intelektual.
b)    Testimin fizik.
c)    Ekzaminimin mjekësor.
d)    Testimin e njohurive në njohjen e gjuhës angleze.
e)    Testimin psikologjik.
f)    Vlerësimin e titujve të meritës.
5.2.    Çdo kandidatë do t’i nënshtrohet testit sipas shkronjave “a”, “b” dhe “e” në harkun kohor të një dite. Testimi i shkronjës “d” nuk është i detyrueshëm, por aftësitë në këtë fushë përbëjnë titull merite dhe vlerësohen me pikë. Kandidatët që nuk marrin pjesë në testimin e shkronjës “d” do të vlerësohen me “0” pikë.
5.3.    Testimet do të zhvillohet pranë Akademisë së Nënoficerëve, e cila është struktura përgjegjëse për marrjen e masave organizative dhe mbarëvajtjen e procesit të testimit.
5.4.    Njoftimi i kandidatëve për datën dhe mënyrën e zhvillimit të testimeve, si dhe rregullat e  menaxhimit të procesit përcaktohen nga J-1, të cilat përveçse bën publike në faqen e internetit të SHP, njofton edhe komandat përkatëse, me qëllim që të marrin masat e nevojshme.

Udhëzimi i plotë për "Procedurat dhe Kriteret për Rekrutimin e Nënoficerëve Aktivë në FARSH" në formatin pdf.

 

 

 







Media Sociale



Moti