Historiku PU

Policia Ushtarake (PU) e Forcave të Armatosura (FA), u formua më, 1 shkurt 1992, pas miratimit në Parlament të Ligjit nr.7508, datë 07.08.1991, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Pas viteve ’90, ashtu si në të gjithë vendin edhe në FA u kryen një sërë reformash. Ndër to mund të përmendim: miratimin e akteve ligjore, nënligjore, si dhe ndryshime strukturore, ku pjesë e këtyre ndryshimeve ishte dhe krijimi i PU në përbërje të FA. Formimi i kësaj strukture kishte si qëllim forcimin e rregullit dhe të disiplinës në FA dhe u pa si domosdoshmëri për transformimin e ushtrisë sipas standardeve të vendeve të NATO.

Me krijimin e PU, objekti i punës së saj ishte kontrolli i trafikut ushtarak, ruajtja e rendit ushtarak në FA, me synim forcimin e disiplinës ushtarake në FA. Në dhjetor të vitit 1994, me Urdhër nr. 482, datë 10.12.1994 të MM, “Për organizimin e Policisë Ushtarake”, strukturës së PU ju bashkëngjit struktura e Policisë Kriminale dhe ajo e Mbrojtjes nga Zjarri. Në fillim të vitit 1995, me Urdhër nr. 205, datë 10.04.1995 të MM, “Për vartësinë dhe funksionimin e Policisë Ushtarake”, dega e PU në SHP u transformua në drejtori të PU, me drejtor gjeneral brigade Bajram Malaj. Me mbështetje ligjore, nënligjore si dhe me profesionalizëm gjithnjë në rritje, PU u radhit ndër repartet më të mira të FA.

Pas ngjarjeve të vitit 1997, drejtori i Drejtorisë së PU ishte kolonel Piro Lutaj. Duhet theksuar se pas ngjarjeve të vitit 1997, PU pati një rritje të jashtëzakonshme mbi bazën e një projekti me Delegacionin Italian të Ekspertëve (DIE). Në këtë kohë për herë të parë, me asistencën e specialistëve italianë u krijua batalioni i PU në Tiranë, i cili u kompletua me bazën materiale e logjistike të nevojshme dhe u konceptua sipas modelit të batalioneve të karabinierisë italiane. Krijimi i batalionit të PU në Tiranë, shënon një hop cilësor në veprimtarinë e kësaj strukture moderne dhe nga më cilësore të kohës, gjë që u duk qartë në ngjarjet e vitit 1998, kur PU jo vetëm që nuk u dëmtua por ajo mori në ruajtje disa nga institucionet kryesore të shtetit si: Radio Televizioni Shqiptar, Telecom-in, Prokurorinë e Përgjithshme si dhe disa institucione ndërkombëtare.

Në këtë periudhë, PU ishte një nga institucionet e pakta moderne që ishte ndërtuar deri në atë kohë dhe që ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në rivendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri.

Kompletimi i batalionit të PU në Tiranë, me teknikën e nevojshme dhe automjete të blinduar tip IVECO-90, luajti një rol të jashtëzakonshëm në ngjarjet e vitit 1998 në Shqipëri. I pamohueshëm mbetet roli i kësaj strukture në vitin 1999, në kohën e krizës së Kosovës, ku PU mbajti peshën kryesore në pritjen, shoqërimin, trajtimin e refugjatëve pranë kampingjeve të ngritura në Kukës, Tiranë, Durrës dhe qytete të tjera të vendit, mbajtjen nën kontroll të situatës në zonat Kukës, Krumë, Tropojë, sidomos pranë postave kufitare, duke zgjidhur mjaft situata të vështira, shoqërimin e mjaft autokolonave dhe personaliteteve që lëviznin për në veri dhe kthim, si dhe mbajtjen nën kontroll të rrjetit rrugor në të gjithë vendin e veçanërisht në veri. Ngjarjet e vitit 1997, 1998 dhe ato të krizës kosovare janë ngjarjet më të rëndësishme në historinë e PU.

Për kryerjen e këtyre detyrave, PU u mbështet dhe në miratimin e Ligjit nr. 8404, datë 15.09.1998, për një shtesë në Ligjin nr. 7978, datë 26.07.1995, “Për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Në fund të vitit 2000, me suprimimin e strukturës së Drejtorisë së Policisë Ushtarake, me Urdhër nr. 1, datë 05.01.2001 të MM, “Për organizimin e regjimentit të Policisë Ushtarake”, u krijua regjimenti i PU me komandant nënkolonel Namik Goga. Kjo strukturë e ushtroi aktivitetin e saj deri në shtator të vitit 2003, duke bërë ruajtjen dhe sigurimin e të gjitha stërvitjeve që zhvilloheshin në territorin e vendit tonë.

Në shtator të vitit 2003, mbi bazën e Ligjit nr. 8930, datë 25.07.2002, “Strategjia Ushtarake e RSH”, struktura e PU me Urdhër nr. 214, datë 21.08.2003 të MM, “Për organizmin e Regjimentit të Policisë Ushtarake”, kjo strukturë u transformua në strukturën e batalionit me qendër në Tiranë, me komandant batalioni nënkolonel Xhevahir Abdia, i cili e ushtroi detyrën deri në vitin 2005. Në vitin 2005 komandant batalioni u emërua nënkolonel Drini Nikolla, i cili e ushtroi ketë detyrë deri në vitin 2008.

Në korrik të vitit 2007, në bazë të Urdhrit nr. 15, datë 17.01.2007 të MM, ”Për ristrukturimin e Forcave të Armatosura”, batalioni i PU ishte pjesë organike e Komandës Mbështetëse, me varësi drejtimi administrativ në Komandën Mbështetëse dhe Komandim Operacional nga SHPFA. Në përbërje të këtij batalioni ishin 4 seksione të PU në rrethet Shkodër, Durrës, Berat, Vlorë dhe 5 nënseksione të PU, në rrethet Kukës, Burrel, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër, ku ushtrojnë veprimtaritë e tyre edhe sektorët e Policisë Kriminale, Policisë Gjyqësore, Qarkullimit Rrugor dhe Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri e Shpëtimi.

Në vitin 2008, komandanti i batalionit të PU emërohet kolonel Xhevdet Zeneli. Në maj të vitit 2010, me Urdhër nr. 151/5, datë 24.12.2009 të MM, “Për kalimin në strukturën e re të FARSH”, struktura e Policisë Ushtarake kaloi në Policia Ushtarake e Forcave të Armatosura, në përputhje të plotë me Ligjin nr. 9069, datë 15.05.2003, “Për Policinë Ushtarake në FA”, strukturë e cila vazhdon të funksionojë dhe në ditët e sotme.

Prej datës 07 korrik 2017, komandant i PU është kolonel Ekland Dauti.

Më 16 dhjetor 2015, komandant i PU emërohet kolonel Arben Kingji.

Në shtator të 2013, komandant i PU emërohet kolonel Xhevdet Zeneli.

Në gusht të 2012, komandant i PU emërohet kolonel Ylli Zyla.

Në qershor të 2012, komandant i PU emërohet kolonel Syrja Gjoka.

Në kuadër të anëtarësimit në NATO, identifikimit të problematikave në filtrin e procesit të “Lesson Learned” (mësimeve të nxjerra), në muajin shkurt Policia Ushtarake filloi nga puna për rishikimin e ligjit “Për Policinë Ushtarake”, punë e cila vijoi për 8 muaj, përfshiu ekspertë dhe bashkëpunim të strukturave në Shtabin e Përgjithshëm të FA, Drejtorinë Juridike në MM, Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, etj. Pas diskutimeve në Komisionet Parlamentare, hyri dhe u miratua në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë më datë 26.02.2015, ligji nr.13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Gjatë viti 2015, për të përmbushur me sukses misionin e saj kushtetues dhe për të ruajtur gatishmërinë në nivele të larta, Policia Ushtarake u kompletua me teknikë dhe pajisje të reja, vëmendje e veçantë është treguar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në kompletimin me teknikë dhe pajisje sipas modeleve të policive ushtarake të vendeve anëtare të NATO. Policia Ushtarake është pajisur me mjete taktike 4x4, tipi “Land Rover Defender”, mjete shoqërimi 2x4, tipi “Ford” dhe mjete transportuese të blinduara niveli 3 - 4 tipi “Lince”, ka rritur kapacitetet në përballimin me sukses të çdo detyre të ngarkuar. Veprimtaria e Policisë Ushtarake përcaktohet nga misioni dhe detyrat që parashikohen në ligjin “Për Policinë Ushtarake në FA të RSH, nr. 13/2015”, “Kodi Penal Ushtarak”.

Gjatë kësaj periudhe është punuar për kompletimin e PU me personel të motivuar, arsimuar në vendet anëtare të NATO, si në Turqi, Itali, Gjermani. Realizimi i misionit dhe detyrave funksionale është mbështetur në aktet ligjore e nënligjore.

Gjatë këtyre viteve PU, është trajnuar nga specialist të karabinierisë italiane, policisë ushtarake amerikane, gjermane dhe turke.

Prej vitesh, njësia e PU po përgatit me një program të veçantë një nënrepart të nivelit togë NRF (NATO Response Force), si forcë e gatshme për të vepruar në përbërje të strukturës përkatëse të NATO, e aftë dhe e pajisur përshtatshmërish për të përmbushur detyrat.

Deri tani, PU me rreth 50 efektiva, ka kryer misione të ndryshe jashtë vendit në Irak dhe Afganistan, në mbështetje të FA dhe në shtabe të ndryshme ndërkombëtare. Gjithashtu, PU ka kryer një mision në operacionin ushtarak “ISAF”, në Kabul, Afganistan. Kontingjenti i kësaj toge përbëhej nga një efektiv prej 22 vetash.

Një kontribut të madh, efektivi i PU ka dhënë në emergjencat civile, ku kanë treguar gatishmëri dhe profesionalizëm në kryerjen e detyrave të marra.

Tashmë, struktura e PU është e përgatitur për të vepruar në të gjithë spektrin e misionit, detyrave, si edhe të marrë pjesë në operacione paqeruajtëse dhe humanitare.







Media Sociale



Moti