Trajnohen nga specialistët amerikanë, instruktorët e parë të pushkës M-4 dhe pistoletës Beretta PX Storm në FT

02 korrik 2015

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në kuadër të modernizimit të Forcës Tokësore, pak kohë më parë efektivat e kësaj njësie, u pajisën më armatimin e ri modern standard i NATO, pushkën M-4 dhe pistoletën Berreta PX Storm.

Në interes të njohjes sa më mirë të këtij armatimi të ri, dhe përdorimin sa më profesional të tij gjatë stërvitjeve, por edhe në misione të ndryshme paqeruajtëse që trupat e Forcës Tokësore kryejnë jashtë vendit, prej disa ditësh ka filluar edhe trajnimi i efektivit të Forcës Tokësore në lidhje me familjarizimin dhe përdorimin e armatimit të ri.

Për këtë qëllim, nga kompania amerikane që prodhon këtë lloj armatimi, janë dërguar në vendin tonë një grup instruktorësh dhe specialistësh të kësaj arme. Trajnimi po kryhet me parimin “train the trainer”. Në fokus të trajnimit, janë marrja e njohurive tekniko-taktike për pushkën M-4 dhe pistoletën Berreta PX Storm, qitje praktike me këto lloj armësh, eliminimi i defekteve të mundshme gjate qitjes, etj.

Gjatë kryerjes së praktikave të ndryshme të qitjes me këto armë, rëndësi iu kushtua mënyrës së mbajtjes, marrjes së vijës së shënimit, momentin e realizimit të qitjes pasi kjo ka të dhëna teknike ndryshe nga arma qe ne kemi përdorur deri më tani.

Gjithashtu dhe montimit të aksesorëve shtesë të kësaj arme dhe realizimi i qitjes me to, ishte një element që iu kushtua një vëmendje e veçantë, për vetë risinë që sillte përdorimi i tyre nga ana e ushtarit tonë, si në manovrimin  në fushën e betejës ashtu dhe në realizimin e qitjeve të ndryshme në varësi të kohës, motit dhe terrenit.

Instruktorët amerikanë, kanë vlerësuar maksimalisht impenjimin, disiplinën, kuriozitetin dhe gatishmërinë e pjesëmarrësve, për të përvetësuar sa më mirë dhe sa më shpejt të gjithë programin e trajnimit.

Efektivi i Forcës Tokësore, përbëhet nga një personel i përzgjedhur nga të gjitha repartet e vartësisë. Do të jenë pikërisht këta elementë të përzgjedhur, të cilët pas marrjes së njohurive të duhura në lidhje me armatimin e ri, do të fillojnë më pas edhe trajnimin e efektivave të tjerë në repartet përkatëse.

Pushka M-4 dhe pistoleta Berreta PX Storm, është fjala e fundit e teknologjisë në fushën e armatimit dhe renditen tek armatimi me përhapjen më madhe, jo vetëm në vendet anëtare të NATO por edhe me gjerë. Pajisja e efektivave të Forcës Tokësore me këtë lloj armatimi modern, natyrisht që do të ndikojë edhe më tepër pozitivisht për realizimin e misionit dhe të detyrave që shtron dhe do të shtrojë në të ardhmen koha për këtë njësi elitare të Forcave të Armatosura.






Media Sociale



Moti