Historiku i FT

Forca Tokësore është njësi prioritare në strukturën e Forcave të Armatosura. Forca Tokësore u krijua më datë 29 gusht 2000, duke përfshirë në radhët e saj njësi dhe reparte me traditë me një veprimtari të pasur shumëvjeçare, të përhapura në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2000 në përbërje të Forcës Tokësore ishin 5 divizione këmbësorie me rreth 55 brigada dhe 300 batalione të përhapur në 167 rajone të ndryshme të vendit.

Gjatë reformimit të vazhdueshëm, Forca Tokësore pësoi ndryshime të reja. Në vitin 2006, suprimohet Forca Tokësore dhe krijohet Komanda e Forcës së Bashkuar.

Në kuadër të transformimit të vazhdueshëm të Forcave të Armatosura bazuar edhe në konceptin e një ushtrie sa më të vogël në numër dhe sa më operacionale e profesioniste, më 9 dhjetor 2009 u dekretua rikrijimi i Forcës Tokësore mbi bazën e Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe Regjimentit Komando. 

Bazuar në misionin kushtetues, Forca Tokësore u përfshi në një proces transformimi të thellë e të gjithanshëm sipas koncepteve të ushtrive perëndimore. Me kalimin tërësisht të strukturave të kësaj force, nga një ushtri e shërbimit të detyrueshëm në një ushtri profesioniste është rritur niveli i operacionalitetit. Strukturat e Forcës Tokësore kanë pasur angazhime në Operacionet e Mbështetjes së Paqes në Bosnje-Hercegovinë, Irak, Çad dhe aktualisht operojnë në Herat, Kandahar, Afganistan. Forca Tokësore mban peshën kryesore në operacionet paqeruajtëse në kuadër të NATO, OKB dhe BE. Në radhët e Forcës Tokësore drejtojnë kuadro të rinj, të kualifikuar në shkollat e ushtrive të vendeve të NATO, si në SHBA, Itali, Turqi, Gjermani, Angli, Austri, etj, me të cilët kemi projekte bashkëpunimi.

Forca Tokësore ka angazhime në operacione të emergjencave civile në ndihmë të komunitetit në rast fatkeqësish natyrore, si përmbytje, zhbllokim rrugësh dhe shpërndarje ndihmash në rast rënie bore, operacione shuarje zjarresh, etj.

Forca Tokësore nga krijimi deri më sot është drejtuar nga komandantë me eksperiencë.

Nga viti 2000-2006, Forca Tokësore u drejtua nga gjeneralmajor Kostaq Karoli, nga viti 2006 - 2008, u drejtua nga gjeneral brigade Shpëtim Spahiu, nga viti 2008 - gusht 2012, nga gjeneral brigade Viktor Bërdo. Nga gushti 2012  deri në nëntor 2015, Forca Tokësore  u drejtua nga gjeneralmajor Zyber Dushku. Nga muaji nëntor 2015 e në vijim Forca Tokësore drejtohet nga gjeneral brigade Nazmi Cahani.






Media Sociale



Moti