Nëndetësja turke “TCG Preveze S - 353” zhvillon vizitë në portin e Durrësit

29 shtator 2015

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në zbatim të planit të bashkëpunimit midis Forcës Detare shqiptare dhe asaj të Turqisë, mbërriti për një vizitë portuale në Durrës, nëndetësja “TCG PREVEZE S - 353”. Qëllimi i kësaj vizite është bashkëveprimi dhe trajnimi i përbashkët midis Forcës sonë Detare dhe Flotës Turke. Anija turke u shoqërua në ujërat tona territoriale nga motovedeta R - 118, me komandant kapitenllejtënant. Alket Cullhaj. Në molin 4 të portit Durrës ND “TCG Preveze” u prit nga kuadro të Flotiljes Detare, përfaqësues të Autoritetit e Sigurisë Portuale Durrës, të Policisë Ushtarake, subjekteve private, etj.

Mbas bregëzimit, komandanti i anijes kapiten i rangut të III, Murat Bozdag i shoqëruar nga kuadro kryesorë të saj zhvilloi një vizitë në Komandën e Forcës Detare. Drejtuesit e anijes turke u pritën nga zëvendëskomandanti i Forcës Detare, kapiten i rangut të I Adnand Agastra dhe shefi i Shtabit i Forcës Detare, kapiten i rangut të I Subi Zenelaj. Mbasi i uroi mirëseardhjen në Portin e Durrësit, kapiten Agastra vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy flotave dhe fushat specifike në të ardhmen, si arsimimi e trajnimi i personelit detar, stërvitjet e përbashkëta, etj.

Ushtarakët turq falënderuan për pritjen e bërë nga autoritetet shqiptare dhe theksuan se mirëpresin çdo projekt bashkëpunimi me interes të dy palëve. Më pas komandanti i nëndetëses turke vijoi vizitat me autoritetet e pushtetit vendor e qendror të Durrësit. Takimin e parë ushtarakët turq e patën me kryetarin e Bashkisë Durrës, zotin Vangjush Dako, pastaj në Prefekturën e Durrësit ku u pritën nga prefekti, zoti Roland Xhelilaj dhe në fund me zotin Alfred Mullaraj, kryetar i Këshillit të Qarkut Durrës. Gjatë takimeve u evidentua miqësia tradicionale midis dy popujve, resurset ekonomike dhe turistike të Durrësit, rëndësia e bashkëpunimit ushtarak në kuadrin e NATO, për forcimin e paqes e sigurisë në rajon, etj. Gjithashtu në ditët e qëndrimit do ketë vizita të personaliteteve të larta diplomatike, ushtarake dhe vizita të qytetarëve në nëndetëse, vizita të personelit të anijes në objektet muzealë dhe kulturorë të Durrësit e Krujës, etj. Krahas këtyre aktiviteteve nëndetësja turke do zhvillojë stërvitje të përbashkët me personelin dhe anije të Flotiljes Detare.

TCG Preveze S – 353 do largohet nga porti i Durrësit më 3 tetor 2015. Theksojmë se është viti i pestë që një nëndetëse turke zhvillon vizitë portuale në Durrës.
TCG Preveze S – 353 e ka gjatësinë 62 m, gjerësinë 5,8 m, peshkimi 6,3 m, tonazhi 1400 ton.






Media Sociale



Moti