Historiku i FD

Me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, u bënë përpjekjet e para për organizimin e FD shqiptare nga qeveria e Ismail Qemalit, por fillimi i Luftës së Parë Botërore e ndërpreu këtë angazhim.
Në vitin 1925, organizimi i ushtrisë synoi të bëhej mbi bazën e statusit të Shqipërisë hartuar më 07.03.1925. Mbi bazën e këtij statusi u krijua Komanda e Përgjithshme e Fuqive Ushtarake.
Më 25 dhjetor 1925, mbërrijnë nga Italia dy anije 190 tonësh, të cilat u emërtuan me emrat domethënës "Shqipëria" dhe "Skënderbeg". Këto anije u pajisën me efektiva marinarësh duke kryer detyra në interes të luftës kundër kontrabandës në brigjet shqiptare.
Më 1928, u krijua Komanda e Marinës dhe më konkretisht më 24.06.1928, kur u mblodhën rekrutët e parë për këtë armë.
Më 1934, u blenë po nga Italia edhe dy anije të tjera të lehta, të cilat u emërtuan "Saranda" dhe "Durrësi". Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore pothuajse u shkatërrua gjithçka nga këto anije.
Çlirimi i Shqipërisë e gjeti Flotën Shqiptare në gjendje të mjerueshme me pothuajse të gjitha anijet e mbytura në portet e bregdetit shqiptar.
Në prill 1945, u krijua Kantieri Detar- Durrës për riparimin e varkave ekzistuese , nxjerrjen e anijeve të mbytura gjatë luftës dhe përgatitjen e tyre për qëllime ushtarake.
Më 15 gusht 1945, u bë përurimi i hedhjes në ujë të dy motoskafëve trofe, me numër MS-10 dhe MS-12. Këto motoskafë u armatosën me mitraloz të lehtë dhe filluan patrullimin për ruajtjen e ujërave bregdetare në Vlorë e Sarandë. Në këtë periudhë u punua me një vizion të qartë për zhvillimin dhe perspektivën e Forcave Detare, duke shfrytëzuar edhe konjukturat politike të kohës. Kështu mund të përmendim vitet ’53-’54, që shënuan fillimin e një etape të re zhvillimi të FD me pajisjen e tyre me silurhedhëse e më vonë me minaheqëse, gjuajtës detar dhe anije ndihmuese të llojeve të ndryshme.
Më 14 shkurt 1954, u krijua Skuadrilja e Katrave Silurues me vendbazim në ishullin e Sazanit, kjo shënon edhe fillimin e një stadi të ri zhvillimi të FD.  
Zhvillimi e modernizimi i flotës filloi me ritme të shpejta, sidomos pas vitit 1957. Më 21 shtator 1958, filloi aktivitetin një nga njësitë më speciale e më të rëndësishme të FD shqiptare, Njësia e Nëndetëseve, në përbërje të së cilës ishin 4 nëndetëse të prodhuara në ish-Bashkimin Sovjetik.
Në gusht të vitit 1961, u hap Shkolla e Marinës në Vlorë, sot Shkolla e Trupës e Detarisë, e cila ka luajtur një rol të madh në përgatitjen dhe furnizimin e Flotës Luftarake Detare me kuadro oficerë.
Periudha e viteve 1961-1980, shënoi zhvillimin e mëtejshëm të Forcave Detare, krijimin e disa reparteve të KS, kompletimin me anije luftarake moderne të kohës. U krijua Shërbimi Hidrografik, si organizim sigurimi lundrimor detar e të veprimeve luftarake, i cili përgatiti e ngriti një varg faro-fenerësh në gjithë bregdetin, u modernizuan mjaft pika sinjal- vrojtuese dhe u pajisen me një rrjet të gjerë radiolokatorësh.
Periudha e viteve 1980-1990, mund të konsiderohet si periudha e vijueshmërisë së lundrimeve, mbijetesës , drejtimin dhe sigurimin e gatishmërisë teknike të anijeve mbiujëse e nënujëse. Një kontribut të madh në këtë drejtim ka dhënë edhe Kantieri Detar i Riparimit të Anijeve në Pashaliman.
Mbas viteve ’90, për FD shtrohej detyra e ristrukturimit, rikonceptimit të reparteve të saj për një integrim të natyrshëm me strukturat e NATO dhe BEP-it. Në këtë periudhë vlen për t'u theksuar, mbështetja që dhanë kuadrot dhe efektivat e FD për proceset demokratike në vend, fal pjekurisë politike, shpirtit atdhetar e demokrat. U rrit në mënyrë të ndjeshme, bashkëpunimi me flotat e vendeve perëndimore e veçanërisht me ato të NATO, ku u zhvilluan me sukses mjaft stërvitje të përbashkëta, si "SAREX-I", " SAREX-2", "MAREX-I", "MAREX-2" etj, në të cilat kuadrot tanë treguan një nivel të lartë profesional, nivel i cili u vlerësua nga të huajt.
Ngjarjet tronditëse të marsit 1997, shkaktuan në repartet e FD dëme shumë të mëdha. Gjysma e dytë e vitit 1997 dhe viti 1998, shënon një etape ringritjeje dhe riorganizimi të reparteve të FD pas shkatërrimit total. Pas një pune këmbëngulëse dhe përkushtimi maksimal të kuadrove e efektivave të FD, u bë e mundur ringritja dhe funksionimi i Distrikteve Detare të Durrësit e Vlorës, si dhe Bazat Ndihmuese ,Sarandë e Shëngjin. Vlen për t'u përmendur në këtë proces ringritjeje, ndihma e partnerëve tanë perëndimorë si :SHBA, Italia, Turqia, Greqia, Gjermania, etj.
Mbas vitit 1997, u synua ringritja e FD me anije të cilat gjatë ngjarjeve të marsit u strehuan në Itali,dhe që fal marrëveshjes së përbashkët të të dy shteteve, pas riparimit u rikthyen në Shqipëri.
Në mars të vitit 1998, me ndihmën e qeverisë së SHBA, FD u pajisën me 5 motovedeta, të cilat u bënë protagoniste të operacioneve SAR në vitet e ardhshme.
Më 1998, si rezultat i kohës së gjatë të përdorimit dolën jashtë strukturave luftarake të FD, të 4 nëndetëset e saj pas një veprimtarie 40-vjeçare.
Në vitin 2002, me kontributin e qeverisë italiane pas miratimit të ligjit të Rojës Bregdetare shqiptare, nr. 8875 datë. 04.04.2002, FD u pajisën dhe me 6 motovedeta nga Italia, të cilat së bashku me anijet amerikane u futën në strukturat e Rojës Bregdetare. Në gusht 2002, 14 anije të FD morën pjesë në operacionin e gjerë antitrafik "PUNA", në bashkëpunim me organet e rendit, antikontrabandës, peshkimit, etj, i cili u realizua me sukses dhe bëri të mundur bllokimin e këtij trafiku.
Qershor 2004, dhurohen nga pala italiane 6 motovedeta për Rojën Bregdetare, duke e çuar në 12 numrin e tyre.
Më 12-23 shtator 2005, në rajonin e Gjirit të Vlorës u zhvillua stërvitja më e madhe e përbashkët detare “Cooperative Engagement-05’’ me pjesëmarrjen e flotave të 14 vendeve të ndryshme të botës. Forcat Detare morën pjesë me 19 anije të tipeve të ndryshme.
Në shkurt 2007, filloi puna për zbatimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, projekt që po zbatohet nga firma prestigjioze amerikane “Lockheed-Martin”.
Në qershor të vitit 2007, Forcat Detare kaluan në strukturën e re, Brigadë Detare me dy Flotilje (FDV E FDJ) dhe një Batalion Logjistik. Gjatë këtij viti, nga efektivat e FD u ndërmorën mbi 10 operacione kërkim-shpëtimi dhe disa stërvitje brenda e jashtë vendit në bashkëpunim me flotat partnere të NATO.
Në nëntor 2007, u nënshkrua marrëveshja me Holandën, (Kantieri “DAMEN SHIPYARD) , për pajisjen e FD me 4 anije patrulluese.
Më 4 dhjetor 2007, në paradën e zhvilluar me rastin e 95- vjetorit të krijimit të FA Shqiptare, FD u përfaqësua denjësisht me 2 kuadrate, (një me kuadro, një me detarë).
Më datë 07.02.2008, në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit Taktik të Mirëkuptimit për pjesëmarrjen e Shqipërisë në operacionin “Active Endeavour”, (TMOU).
Ky memorandum përcakton detyrat dhe mënyrat e pjesëmarrjes së vendit tonë në operacionet “Active Endeavour”, në kuadrin e NATO, që përfshin kryesisht  shkëmbimin reciprok të informacionit mbi situatën detare në zonat gjeografike ku shtrihet ky operacion, komunikimet , pajisjet e nevojshme si dhe bashkëveprimin e mëtejshëm midis palëve në këto fusha.
Nga data 1-5 mars 2008, 5 anije të Grupit të 2-të Detar të NATO (SNMG2), me qendër në Napoli zhvilluan një vizitë portuale në vendin tonë.
Qëllimi i kësaj vizite ishte forcimi i bashkëpunimit dhe rritja e mirëkuptimit midis vendit tonë dhe strukturave të NATO.
Grupi i 2-të i anijeve përbëhet nga: TCG SALIHREIS (Turqi), anije flamurtare, HMS SOMERSET (Britani e Madhe), ITS EURO (Itali), FGS NIEDERSACHSEN (Gjermani) dhe HS HYDRA (Greqi).
Misioni i Grupit të 2-të të anijeve është kryerja e operacioneve të ndryshme në Detin Mesdhe.
Gjatë kësaj vizite, ekuipazhet e anijeve të NATO vizituan vende të rëndësishme historike dhe kulturore në Durrës, Krujë, Berat, etj, si dhe zhvilluan aktivitete sportive me repartet e BrD dhe strukturat e Policisë së Sigurisë Portuale.
Në datën 5 shtator 2008, në Kalatën Nr. 5 të Portit të Durrësit u zhvillua ceremonia e përurimit të anijes “Iliria” (P-131), e cila mbërriti në Shqipëri në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Holandeze “DAMEN SHIPYARD”. Në këtë ceremoni morën pjesë autoritete të larta politike dhe ushtarake si: kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes Z. Gazmend Oketa, përfaqësues të Këshillit të Ministrave, presidencës, ambasadorë të vendeve të NATO, A3 të Partneritetit për Paqe, përfaqësues të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, autoritete të pushtetit vendor të rrethit të Durrësit, shefi Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Maksim Malaj, komandanti i Forcës së Bashkuar, gjeneral brigade Agim Lala, komandantë të reparteve të ndryshme, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, shefa të Misioneve të Huaja ushtarake në vend, përfaqësues të Kantierit “DAMEN SHIPYARD”, në të cilin u ndërtua kjo anije etj.

Mbas një pune njëvjeçare, në muajin nëntor 2008, u zhvilluan provat finale për  marrjen në dorëzim të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit Detar (SIVHD), të instaluar nga specialistët e kompanisë “Lockheed Martin”.

Gjatë vitit 2016 në Forcën Detare janë zhvilluar shumë stërvitje, aktivitete dhe vizita delegacionesh, por edhe anijesh të vendeve partnere.

Në kuadrin stërvitor ndër më kryesoret ishte pjesëmarrja e Forcës Detare në dy stërvitje ndërkombëtare. "Adrion LivEx 2016" ishte stërvitja e cila u zhvillua në Itali me Forca dhe mjete detare nga 6 vende: Itali, Shqipëri, Greqi, Kroaci, Mali i Zi dhe Slloveni. Forca Detare mori pjesë me anijen e klasit Iliria “Butrinti P-134”.

Më datë 21 - 28 shtator 2016 Forca Detare u angazhua në stërvitjen e përbashkët “Joint Effort-16” me rreth 110 efektiva  ku bënin pjesë ekuipazhet e anijeve, skuadrat e bordingut, Shtabi i Flotiljes Detare, Shtabi i Komandës së Forcës Detare, si dhe 4 anije. Stërvitja u zhvillua në vendin tonë me trupa e mjete pjesëmarrëse nga 6 vende: SHBA, Britania e Madhe, Italia, Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Në kuadër të vizitave përmendim vizitën e delegacionit të gardës së New Jersey-it më 09 mars 2016, vizitën portuale të anijes greke HNS CHIOS në Durrës me 9 - 11 gusht 2016, vizitën e anijes minaheqëse franceze Lyre (M 648)  në Durrës më datë 22 - 24 tetor 2016 etj.

Zhvillimi më i rëndësishëm ishte pjesëmarrja për herë të parë në historinë e Forcës Detare në mision jashtë vendit si pjesë përbërëse e Grupeve Detare të NATO. Më datë 21 nëntor 2016 anija Oriku P-132 me ekuipazh prej 21 personash u përcoll për në operacionin “Sea Guardian” në detin Egje si pjesë e SNMG2 (Grupit Detar të NATO), në ndihmë të krizës së migrantëve.

 





Media Sociale



Moti