64 vjet Aviacion Shqiptar

24 prill 2015

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në ambientet e Bazës Ajrore Farkë u zhvillua ceremonia festive me rastin e 64 - vjetorit të krijimit të Aviacionit Shqiptar. Në ceremoninë e rastit mori pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneralmajor Jeronim Bazo, zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore kolonel Mehmet Metko, komandantë të Forcave, drejtorë të drejtorive në SHPFA, ish - komandantë të Forcës Ajrore, veteranë të Aviacionit, pilotë e teknikë të njësisë së Helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Rendit, familjarë të “Dëshmorëve të Aviacionit” dhe ushtarakë të Forcës Ajrore.

Në fjalën e tij të mirëseardhjes zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore kolonel Mehmet Metko, pasi falënderoi pjesëmarrësit për praninë e tyre në ceremoninë, u shpreh: “U takuam edhe këtë 24 prill të kujtojmë datën kur hodhi fillesat e saj Arma e Aviacionit Shqiptar. Nga 24 prilli i 1951, e deri sot, shohim me krenari një rrugë të gjatë e të mundimshme të përshkruar plot sakrifica, përpjekje dhe realizime në fushën e mbrojtjes së vendit. Çdo 24 prill do të kujtojmë emrat e komandantëve e drejtuesve të Aviacionit, veteranëve të kësaj Arme në vite, të cilët me kontributin e dhënë për krijimin dhe konsolidimin e saj do të mbeten figura të shquara në radhët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Kujtojmë dhe nderojmë me respekt aktin heroik dhe të paharruar të "Dëshmorëve të Aviacionit", të cilët janë krenaria dhe nderi i kësaj arme. Në 64 - vjetorin e krijimit të Aviacionit dhe në gjashtë vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Forca Ajrore e gjen veten më të kualifikuar dhe më të trajnuar, e aftë të kryejë më së miri misionin e saj kushtetues. Modernizimi i Forcës Ajrore me teknologji perëndimore, si dhe trajnimi i teknikëve dhe pilotëve e bën efektivin tonë të operojë me të njëjtat standarde dhe manuale si Forca e tjera Ajrore anëtare të NATO. Profesionalizmi tregohet çdo ditë nga personeli i Forcës Ajrore si në stërvitjet e përbashkëta, ashtu edhe gjatë misioneve humanitare në ndihmë të popullsisë”.

Në emër të shoqatës së Aviatorëve të Shqipërisë, përshëndeti kryetari i kësaj shoqate gjeneral brigade (R) Astrit Jaupi, i cili evidentoi rrugën e krijimit dhe zhvillimit të Aviacioni Luftarak Shqiptar, si dhe vlerësoi hapat me të cilat po ecën Forca Ajrore sot.

Më pas fjalën e mori zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, i cili ndër të tjera vlerësoi rrugën plot sakrifica, përpjekje dhe përkushtim të Aviacionit Shqiptar në interes të mbrojtjes së hapësirës ajrore. Një falënderim i veçantë shkoi për veteranët e aviacionit të cilët i quajti “shqiponja të çelikta”, që me punën e tyre i dhanë lavdi kësaj arme. Gjithashtu zëvendësministri i Mbrojtjes, theksoi se në vëmendje të Ministrisë së Mbrojtjes është vazhdimi i modernizimit të Forcës Ajrore, si dhe trajnimi i efektivave fluturues dhe përmirësimi i kushteve të stërvitjes për t’u bëre sa më të ndërveprueshme me partneret e NATO.

Në fund të aktivitetit të pranishmit vizituan teknikën ajrore të ekspozuar në ambientet e Bazës Ajrore Farkë.





Media Sociale



Moti