Zhvillohet në Bazën Ajrore Farkë, ceremonia e pritjes së helikopterit të katërt Cougar, “AS 532 AL”

07 nëntor 2014

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Sot paradite, në mjediset e Bazës Ajrore Farkë, u zhvillua ceremonia e pritjes së helikopterit të katërt Cougar, “AS 532 AL”, ku ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i Republikës së Francës në Shqipëri z. Bernard Fitoussi, komandantët e forcave, përfaqësues të kompanisë franceze “Eurocopter”, si dhe personalitete të MM, SHPFA dhe ushtarakë të Forcës Ajrore.

Fjalën e hapjes në ceremoni e mbajti shefi i Shtabit i Forcës Ajrore, nënkolonel Flamur Hadushi, i cili pasi përshëndeti të pranishmit në ceremoni, u shpreh: “Kompletimi me helikopterë shumërolësh krijon kapacitetet e nevojshme për Forcat e Armatosura dhe për mbështetjen e operacioneve brenda vendit për përballimin e emergjencave të ndryshme civile, në operacionet e kërkim–shpëtimit, si dhe në ndihmë të pushtetit qendror dhe lokal, të cilat janë pjesë e rëndësishme e misionit të Forcës Ajrore.

Për shfrytëzimin e kapaciteteve maksimale të këtyre helikopterëve, Forca Ajrore është e angazhuar në një program ambicioz për trajnimin e ekuipazheve fluturuese dhe personelit të mirëmbajtjes, i cili është realizuar dhe vazhdon të realizohet me mbështetjen e veçantë nga Ambasada e Republikës së Francës në vendin tonë.”

Fjalën më pas e mori ambasadori i Francës në vendin tonë, z. Bernard Fitoussi, i cili vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve tona, si dhe shprehu kënaqësinë për përmbushjen me rigorozitet të kontratës së furnizimit të Forcës Ajrore me helikopterë Cougar, projekt i cili ndikon në rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcës Ajrore, duke u bërë një anëtare e denjë e NATO.

Në ceremoni përshëndeti edhe ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, e cila pasi falenderoi ambasadorin e Francës në vendin tonë, përfaqësuesit e kompanisë “Eurocopter” dhe të pranishmit, shprehu kënaqësinë e veçantë të pjesëmarrjes në këtë ceremoni që përkon me marrjen në dorëzim nga ana e Forcave të Armatosura e helikopterit të katërt shumërolësh Cougar. Znj. Kodheli ndër të tjera u shpreh: “Modernizimi i Forcave të Armatosura me helikopterët Cougar, i jep mundësi Forcës Ajrore të kryejë operacione të ndryshme dhe misione të vështira pavarësisht kushteve meteorologjike, ditën dhe natën, në operacione luftarake, si dhe në mbështetje të Forcave Tokësore dhe Detare”.

“Përfundimi i programit të modernizimit të Forcave të Armatosura me katër helikopterë Cougar të versionit SAR, MEDEVAC dhe Transport Trupash, të cilët operojnë me të njëjtët standarde si ushtritë e Aleancës, si dhe me përgatitjen e pilotëve dhe teknikëve pranë kompanive me prestigj në fushën e fluturimit, Forca Ajrore do të jetë një vlerë e shtuar jo vetëm në garantimin dhe rritjen e sigurisë dhe të cilësisë së shërbimeve ajrore brenda dhe jashtë vendit, por në të njëjtën kohë ne kemi mundësi që të kryejmë operacione të përbashkëta në bashkëpunim me komandat e NATO për t’i dhënë zgjidhje situatave të ndryshme”, përfundoi fjalimin e saj ministrja e Mbrojtjes znj. Kodheli. 

Më pas nga kompania “Airbus Helicopters” u shpërndanë disa dhurata në kujtim të këtij projekti për ministren e Mbrojtjes, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, si dhe drejtorë në MM dhe drejtues të Forcës Ajrore.

Ceremonia u mbyll me bekimin e helikopterit.





Media Sociale



Moti