Historiku i Forcës Ajrore

I. Përpjekjet për krijimin e Armës së Aviacionit janë të hershme. Qeveritë e para Luftës së Dytë Botërore megjithë përpjekjet nuk arritën ta realizojnë një gjë të tillë, kryesisht për arsye ekonomike.   

Hapi i parë për të krijuar një Aviacion Ushtarak në Shqipëri, u hodh në 1914, kur qeveria shqiptare porositi blerjen e tre avionëve Lohner Daimler nga Austria për të formuar Korpusin Ajror Shqiptarë. Si rezultat i Luftës së Parë Botërore, urdhri u anulua dhe gjatë viteve 1920-1930 Shqipëria nuk kishte burimet e nevojshme për të rifilluar zhvillimin e një Force Ajrore. Përpjekjet e para për të blerë aeroplanë dhe për të krijuar një Forcë Ajrore rifilluan përsëri në fundin e viteve '30, kohë në të cilën kadetë për pilot u dërguan për studime në Austri, Itali dhe Francë.

Aviacioni Luftarak Shqiptar është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe data zyrtare e krijimit të tij është 24 prilli i vitit 1951. Edhe Vëzhgimi i Hapësirës Ajrore është institucionalizuar pas luftës. Më 14 shkurt të vitit 1947 është krijuar kompania e VAIN-it për vrojtimin e hapësirës ajrore dhe informimin për objektet e zbuluara.  

Grupimi i parë i avionëve luftarakë është bërë në Tiranë në vitin 1951, ku bënin pjesë avionë PO-2 dhe JAK-18. 

Reparti i parë i Aviacionit Reaktiv është krijuar në vitin 1955 në Kuçovë dhe kishte në përbërje të tij avionë MIG-15.

Në vitin 1957 krijohet Reparti i Transportit Ushtarak në Tiranë, i cili kishte në përbërjen e tij avionë Po-2, JAK-18 dhe helikopterë MI-1 dhe MI-4.

Në vitin 1962 u krijua Regjimenti i Aviacionit në Rinas, i cili kishte në përbërjen e tij një skuadrilje me avionë MIG-19 dhe një skuadrilje me avionë MIG-17. Po në vitin 1962 krijohet edhe Shkolla e Aviacionit.

Në vitin 1967 krijohet Regjimenti i Helikopterëve, që numëronte në parkun e tij mbi 30 helikopterë të rinj MI-4.

Në vitin 1974 krijohet Regjimenti i Gjadrit, i cili ishte i pajisur me avionë MIG-21 dhe MIG-19, përveç disa avionëve mësimorë MIG-17 e MIG-15 për trenerim.

Në vitet '70 Aviacioni Luftarak kishte në efiçensë të plotë mbi 70 avionë MIG-19 dhe 12 avionë MIG-21, një skuadrilje luftarake me MIG-17 dhe shumë avionë luftarakë-mësimorë të tipit MIG-15. Pjesë e parkut ushtarak të avionëve ishin edhe katër avionë transporti IL-14, të cilët shërbenin si avionë për transport qeveritar apo për studime ushtarake e gjeografike.

Në Tiranë, në fushën e Laprakës ishin të dislokuar edhe 12 avionë transporti të lehtë AN-2 që shërbenin për transport trupash dhe në ndihmë të ekonomisë. Në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, veç avionëve reaktivë MIG-15, kishte gjithashtu edhe dy skuadrilje me avionë me helikë JAK-81, të cilët shërbenin për përgatitjen e pilotëve në vitin e parë të kualifikimit si pilot. Në Regjimentin e Rinasit kishte gjithashtu edhe një avion bombardues të lehtë tip IL-28.

Në vitet ‘70-‘80 niveli i programimit të fluturimeve ishte intensiv dhe sasia e fluturimeve për çdo pilot e avion ishte i standardeve e kërkesave të larta.

Pas viteve 2000, në Forcat Ajrore filloi prurja e teknikës fluturuese Perëndimore.

Në prill të vitit 2001 erdhën helikopterët e parë AB-206, ndërsa me 26 nëntor 2003 është kompletuar një skuadrilje e tillë.

Me 24 prill 2004 erdhi helikopteri i parë AB-205.

Më 1 shkurt të vitit 2007 erdhi helikopteri për transport VIP A - 109.

Më 18 qershor 2007 erdhën helikopterët e parë BO - 105.

Më 28 korrik 2012 erdhi helikopteri EC-145, i versionit VIP.

Më 3 dhjetor 2012 erdhi helikopteri i parë shumëfunksional tip Cougar.

Më 25 prill 2013, vjen helikopteri i dytë shumëfunksional tip Cougar.

Më 18 dhjetor 2013, vjen helikopteri i tretë shumëfunksional tip Cougar.

Më 27 tetor 2014, është futur në përdorim të Forcës Ajrore helikopteri i katërt tip Cougar.

Më 31 tetor 2015, hyjnë në përdorim në FA dy helikopterë EC-145

II. Mbrojtja Kundërajrore dhe Aviacioni janë "takuar e ndarë" disa herë nga forma organizative, por bashkëpunimi i tyre ka qenë gjithnjë i pashkëputur. Në fillimet e saj, arma e Aviacionit ka qenë pjesë e Komandës së Mbrojtjes Kundërajrore, gjë që ka vazhduar deri në vitin 1974 për t'u bashkuar përsëri në Forcat e Mbrojtjes Ajrore në vitin 1995. Komandanti i parë i Aviacionit ka qenë zoti Edip Ohri, i cili e ka komanduar atë deri në vitin 1974. Nga viti 1975 e deri në vitin 1995, komandantë të Aviacionit kanë qenë Bardhyl Taçi, Klement Aliko, Perlat Binaj. 

Shumë ushtarakë të këtyre armëve, që kanë drejtuar e punuar në vite, janë nga figurat më të shquara të ushtrisë sonë, ku përmendim Rrahman Parllaku, Gjin Marku, Hito Çako, Todi Naço, Sotir Filto, Arif Hasko, Edip Ohri, Niko Hoxha, Babaçe Faiku, Bardhyl Taçi, Klement Aliko, Haki Jupasi, Perlat Binaj, Salih Dibra, Haki Jupasi, Stefan Kagjini, Lulo Musai, Perikli Teta, Foto Lako, Harilla Rebi, Perlat Sula, gjeneral-brigade Astrit Jaupi, etj, të cilët kanë qenë të njohur në të gjithë radhët e ushtrisë për kryerjen e detyrave.

III. Mbrojtja Kundërajrore, Aviacioni Luftarak dhe repartet e Vëzhgimit të Hapësirës Ajrore pavarësisht nga format organizative të ndryshme në vite kanë qenë gjithnjë të lidhura e në bashkëpunim të ngushtë me njëra- tjetrën, por edhe me lidhje varësie e strukturore të ndryshme me njëra- tjetrën në vite. 

Mbrojtja Kundërajrore e vendit ka si ditë të themelimit të saj 1 korrikun e vitit 1931, datë në të cilën doli akti ligjor "Mbi organizmin e Ushtrisë Kombëtare" dhe u sanksionua vendosja e tri baterive të para kundërajrore në vendin tonë në portet e Shëngjinit, Durrësit e Sarandës. Mbrojtja Kundërajrore pati një zhvillim të madh për kohën në vitet 60-70. Në vitet 1954-1955 ajo u pajis me bateri KA-85mm e mjete radioteknike më të sofistikuara, ndërsa në vitet 1957-1958 u pajis me bateri 57 dhe 100mm. Në vitet 1959-969, në armatim futen edhe raketat e drejtuara, topat AKA-37mm, topat 57mm dhe 100mm me drejtim automatik, mitralozët 14,5mm me katër tyta, dhe me radarë të zbulimit të largët, të mesëm, të afërt. Regjimenti i Raketave të Drejtuara Kundërajrore, që konsiderohej si krenaria e kësaj arme është krijuar më 6 dhjetor të vitit 1968. Në vitet '70 kishte 22 regjimente të AKA-së, 18 batalione mitraliere AKA, që llogarisnin rreth 6 gryka zjarri për çdo kilometër të frontit.

IV. Forcat Ajrore si strukturë e re janë krijuar më 18 gusht të vitit 2000 sipas strukturës organizative të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë të parashikuara nga Kushtetuta. Në Forcat Ajrore bënin pjesë: Regjimenti i Helikopterëve, Brigada Ajrore, Detashmenti Ajror, Bazat Ajrore Mbështetëse, Batalioni i Vëzhgimit Ajror, Batalioni Logjistik, Qendra e Shërbimit Meteorologjik, Qendra e Riparimit të Avionëve, Shkolla e Trupës e Forcave Ajrore dhe nënreparte ndihmëse.

Të gjitha këto reparte në vite e kohë të ndryshme kanë qenë pjesë e Mbrojtjes Kundërajrore dhe të Aviacionit Luftarak.

V. Me ndryshimet dhe implementimin në strukturën e re në vitin 2007 edhe në Forcat Ajrore u bënë ndryshime me qëllim rritjen e profesionalizmit dhe arritjen e standardeve të kërkuara për anëtarësimin në NATO.

Me ndryshimet e ndodhura në strukturë në vitin 2007 deri në fund të vitit 2009 Forcat Ajrore u ristrukturuan në nivel Brigadë Ajrore dhe repartet e saj ishin: Regjimenti i Helikopterëve Farkë, Batalioni i Mbrojtjes Ajrore Marikaj, Shërbimi Meteorologjik, Baza Ajrore Rinas, Baza Ajrore Kuçovë, ndërsa Shkolla e Trupës së Forcave Ajrore kaloi në varësi të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

VI. Me ndryshimet e bëra në TOP, në fillim vitin 2010 Forcat Ajrore u ristrukturuan sërish në nivel Force Ajrore.

Me ristrukturimin e ri Regjimenti i Helikopterëve kaloi në Bazë Ajrore. Baza Ajrore Rinas kaloi në Detashment VIP, QOSA (Qendra Operacionale e Sovranitetit Ajror) në QKR (Qendra e Kontroll Raportimit), Detashmenti Provizor Marikaj dislokohet në Rinas dhe emërtohet Qendra e Vëzhgimit Ajror.

Me dekret të presidentit të Republikës Nr. 6416 dhe 6420, datë 16.02.2010, si dhe me urdhër të ministrit të Mbrojtjes Nr.237, datë 19.02.2010, komandant i Forcave Ajrore emërohet gjeneral brigade Dhori Spirollari.

Me Dekret Nr. 8229, datë 24.06.2013 të presidentit të Republikës, zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore kolonel Frederik Beltoja u promovua me gradën madhore gjeneral brigade dhe me dekretin Nr. 8235, datë 28.06.2013 të presidentit të Republikës, gjeneral Beltoja emërohet komandant i Forcës Ajrore. 

 Me Dekret Nr. 9208, datë 19.08.2015 të presidentit të Republikës, gjeneral brigade Vladimir Avdiaj emërohet komandant i Forcës Ajrore. 

VII. 43 nga ushtarakët e Armës së Aviacionit kanë dhënë jetën në krye të detyrës dhe janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”. Me vendim të Qeverisë Shqiptare, që nga data 24 prill e vitit 2003 ata prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë dhe në rrethe.

Në vitin 1997 për mbrojtjen e reparteve nga shkatërrimi ranë në krye të detyrës katër ushtarakë të Mbrojtjes Kundërajrore, Muhamet Hasmuja, Arben Hoxha, Albert Lela dhe Bardhyl Këlliçi. Ata janë shpallur Dëshmorë të Atdheut.






Media Sociale



Moti