
26 shkurt 2014
Me ftesë të komandantit të Komandës së Forcës Tokësore të NATO, gjenerallejtënant Frederick Ben Hodges, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo zhvilloi një vizitë në selinë e kësaj komande, në Izmir të Turqisë.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Komandës së FT të Aleancës dhe FARSH, sidomos në mbështetjen e ofruar si pjesë e realizimit të prioriteteve kryesore për procesin e certifikimit dhe vlerësimit të reparteve të deklaruara si të dislokueshme në NATO. Gjeneral Bazo theksoi rëndësinë e vijimësisë së këtij bashkëpunimi, si dhe eksplorimin e mundësive të ofruara nga programi i trajnimit, stërvitjeve dhe vlerësimit të kësaj komande.
25 shkurt 2014
Gjimnazi i Baldushkut tani e tutje do të quhet gjimnazi Feti Vogli”, në nder të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli.
Në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar me këtë rast, merrnin pjesë presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral major Viktor Berdo, zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Dritan Hila, zëvendëskomandanti i Forcës Tokësore kolonel Dilaver Hoxha, ushtarakë të batalionit të Forcave Speciale, familjarë, miq dhe të afërm të Dëshmorit të Atdheut Feti Vogli.
25 shkurt 2014
Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli ka inspektuar stërvitjen e përbashkët “Pulëbardha 14-1”, zhvilluar nga Qendra e Simulimit dhe Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD). Në këtë aktivitet merrnin pjesë gjithashtu zëvendësambasadori i SHBA në Tiranë, z. Henry V. Jardine, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të ICITAP, PAMECA, drejtorë drejtorish në MM dhe SHPFA, etj.
Qëllimi i stërvitjes “Pulëbardha 14-1” ishte rritja e ndërveprueshmërisë së institucioneve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në det, nëpërmjet operimit dhe koordinimit sa më të shpejtë për përballimin e problematikave të ndryshme me të cilat përballen këto institucione.
24 shkurt 2014
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo është nisur sot drejt Turqisë, në Komandën e Forcës Tokësore të NATO në Izmir. Gjatë kësaj vizite gjeneral Bazo do të njihet nga afër me misionin dhe detyrat që realizon kjo komandë e rëndësishme e Aleancës Euroatlantike, si dhe do të diskutojë me drejtuesit më të lartë të saj eksplorimin e fushave të reja të bashkëpunimit.
Komanda e Forcës Tokësore të Aleancës u formua më 1 dhjetor 2012, me vend-dislokim të përhershëm në Izmir, Turqi. Krijimi i kësaj komande ishte në zbatim të Konceptit Strategjik dhe strukturës së re komanduese të NATO, e cila zëvendësoi dy komandat e forcës të NATO, Heidelberg, Gjermani dhe Madrid, Spanjë.
24 shkurt 2014
Në ambientet e Hotel Sheraton-Tirana, u zhvillua sot konferenca me temë: “Forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si një garanci për suksesin e Kartës së Adriatikut-SHBA”. Kjo konferencë u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe me pjesëmarrjen e delegacioneve nga vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Shoqëria Civile.
Të pranishëm në nisjen e punimeve të kësaj konference ishin: kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, ambasadori i SHBA, në Tiranë, z. Alexander Arvizu, kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, z. Spartak Braho si dhe mjaft të ftuar të tjerë.
22 shkurt 2014
Strukturat e Forcave të Armatosura vazhdojnë operacionin për pastrimin e territorit në mbarë vendin, duke dhënë një shembull të shkëlqyer të përkushtimit njerëzor dhe të vlerave më të larta të qytetarisë.
Nё fazën e tretë të këtij operacioni, efektivët e Forcave të Armatosura janë vizituar sërish nga ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo. Ministrja Kodheli dhe gjeneral Bazo janë ndalur në pikën e kalimit doganor të Kapshticës, ku forca dhe mjete ishin angazhuar në pastrimin e territorit. Ministrja Kodheli shprehu angazhimin se duhet ta mbajmë të pastër Shqipërinë dhe gjendjen mjedisore në të gjithë territorin e vendit. Më tej ata kanë inspektuar trupat përgjatë aksit rrugor Qafë Thanë-Pogradec, ku kanë parë nga afër aksionin e pastrimit të mbetjeve urbane.