
27 qershor 2014
Ka përfunduar me sukses stërvitja vlerësuese “Biza 2014”, e cila pati si qëllim vlerësimin kombëtar të batalionit të dytë të këmbësorisë (b2k) të Forcës Tokësore, si njësi e deklaruar në “NATO Pool of Forces”. Qëllimi i kësaj stërvitje është rritja e nivelit të përgatitjes së personelit, kompaktësimi i veprimeve në nivel nënreparti e reparti në kushte fushore, si dhe certifikimi i batalionit të dytë të këmbësorisë.
Në ceremoninë me rastin e Ditës së Vizitorëve të Shquar (DVDay) të stërvitjes, merrnin pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, atashetë ushtarakë të vendeve të NATO të akredituar në Shqipëri, si dhe përfaqësues të CUBIC.
26 qershor 2014
Në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh midis Forcave të Armatosura Shqiptare dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, u zhvillua në Prishtinë një aktivitet i përbashkët sportiv, ndeshje futbolli midis ekipeve përfaqësuese të dy vendeve. Për Forcat e Armatosura shqiptare, këtij aktiviteti i parapriu edhe zhvillimi i kampionatit të futbollit në rang force të armatosur, zhvilluar gjatë muajit maj 2014. Në krye të këtij aktiviteti për Forcat e Armatosura shqiptare ishte zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Viktor Berdo, i shoqëruar nga drejtorë drejtorish në Shtabin e Përgjithshëm.
26 qershor 2014
Shefi i Shtabit të përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo priti sot në një takim të veçantë të ngarkuarin me punë të Republikës së Kosovës në Tiranë, z. Gani Veselaj dhe atasheun ushtarak të sapo akredituar në Shqipëri dhe i pari atashe ushtarak i Republikës së Kosovës në Tiranë, nënkolonel Enver Dugolli.
Gjeneral Bazo pasi i uroi mirëseardhjen, e siguroi atasheun ushtarak të Kosovës nënkolonel Enver Dugolli për mbështetjen e tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH për realizimin me sukses të detyrës së rëndësishme për Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura Shqiptare.
26 qershor 2014
Në mjedisit e auditorit të Ministrisë së Mbrojtjes është duke u zhvilluar një kurs trajnimi me subjekt menaxhimin e projekteve komplekse të Mbrojtjes, organizuar nga Zyra e Bashkëpunimit Ushtarak Amerikan në vendin tonë (ODC).
Në këtë aktivitet marrin pjesë përfaqësues nga Shtabi i Përgjithshëm i FA, Ministria e Mbrojtjes dhe komandat kryesore, etj. Qëllimi i këtij aktiviteti një javor është njohja dhe trajtimi në mënyrë të avancuar të projekteve komplekse të Mbrojtjes, të cilat për nga natyra paraqesin veçanti. Pjesëmarrësit kanë zhvilluar gjithashtu detyra konkrete në funksion të ekzekutimit sa më të mirë të të gjitha fazave të menaxhimit, si planëzimi, implementimi dhe mbështetja.
25 qershor 2014
Në kuadër të bashkëpunimit midis Forcave të Armatosura, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në periudhën 02-27 qershor 2014, në vendin tonë është duke zhvilluar stërvitja e përbashkët “JCET-2014”. Në këtë stërvitje morën pjesë 73 efektivë të batalionit të forcave speciale të FT, 12 forca të repartit special RENEA të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe grupi i 19-të i forcave speciale amerikane, i përbërë nga 34 vetë.
Qëllimi i stërvitjes është rritja e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të forcave speciale për krijimin e kapaciteteve të përbashkëta, me qëllim menaxhimin e situatave të shkaktuara nga rreziqe dhe kërcënime të ndryshme.
16 qershor 2014
Ushtarakë në Shtabin e Përgjithshëm, Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, dhe Akademinë e Nënoficerëve kanë dhuruar vullnetarisht gjak.
Në kuadër të ditës ndërkombëtare të dhurimit të gjakut më datë 14 qershor, nën moton “Një njësi gjak mund të shpëtojë tri jetë..., një gjest humanizmi mund të krijojë mijëra buzëqeshje”, dhjetëra vullnetarë janë paraqitur në Qendrën Mjekësore të Komandës dhe Doktrinës dhe Stërvitjes për të dhuruar gjak.