Forcat e Armatosura shqiptare 6 vjet në NATO

 03 prill 2015

bwd  Grup - Foto 1/4  fwd

Në garnizonin e Zall-Herrit u zhvillua sot paradite ceremonia e 6-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe e prezantimit të armatimit të ri M4, me të cilin do të pajisen efektivat e Batalionit të Dytë të Këmbësorisë.

Në ceremoni morën pjesë kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Donald Lu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura, atashe ushtarakë dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj të përshëndetjes ministrja e Mbrojtjes Kodheli theksoi se, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, gjashtë vite më parë, kurorëzoi përpjekjet dhe punën e gjithanshme të shoqërisë shqiptare dhe Forcave të saj të Armatosura. Ministria Kodheli tha se “Është në interesin tonë që ta mbajmë NATO si një bashkim efikas dhe funksional edhe në të ardhmen. NATO duhet të vazhdojë të jetë elementi bazë i arkitekturës së mbrojtjes evropiane”. Duke iu referuar standardizimit të Forcave të Armatosura, ministria e Mbrojtjes tha se “sot është dita që në ushtrinë shqiptare të fillojë një  rrugëtim, pa kthim. Kur ne njëherë e përgjithmonë, i themi lamtumirë dhe jo vetëm simbolikisht, armës “kallashnikov”, duke e zëvendësuar gradualisht me karabinën M4”.

Ceremonia është përshëndetur dhe nga kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili ndër të tjera theksoi se, mirënjohja i shkon anëtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, i shkon popujve dhe qeverive të tyre që duke hapur dyert për Shqipërinë i dhanë popullit tonë të drejtën për t’u ndjerë të barabartë në një tryezë me kaq shumë vendimmarrje botërore. Kryeministri u shpreh gjithashtu se, “Shqipëria dhe shqiptarët kudo që ndodhen do të jenë mirënjohës për rolin që NATO ka luajtur duke i dhënë fund luftërave në rajonin tonë. Shqipëria e meriton vendin që ka në tryezën e lartë të vendimmarrjes së Aleancës së Atlantikut të Veriut. Sot 6 vjet pas anëtarësimit në NATO sfidat e Aleancës janë shtuar. agresioni rus në Ukrainë, valët e një barbarie të dhunshme në formën më diabolike të terrorizmit janë shtruar përpara nesh si pjesë në NATO, por dhe Aleancë unike e lirisë me një nevojë të madhe për të riorganizuar të gjitha politikat për të përshtatur politikat tona në këto kushte”, tha Rama.

Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu duke shprehur suksese të vazhdueshme për forcimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, por dhe për forcimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, theksoi se, Shqipëria, pavarësisht se është vendi më i vogël i NATO, mbetet vendi më entuziast për praninë në të.  

Më pas, pjesëmarrësit në ceremoni ndoqën disa demonstrime të trupave me armatimin e ri, demonstrim ky që tregon kapacitetet dhe efektshmërinë që ofron ky armatim për rritjen e ndërveprueshmërisë dhe operacionalitetin për Forcat e Armatosura.

Vëmendjen e të pranishmëve në ceremoni e tërhoqi edhe demonstrimi i kryer për çlirimin e pengjeve në zona urbane, i cili u realizua me ndërhyrje nga ajri (me helikopterë COUGAR) dhe nga toka.

Ceremonia u përmbyll me një foto të përbashkët.







Media Sociale



Moti