
29 prill 2014
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Jeronim Bazo, priti në një takim të veçantë ekipin vlerësues të Komandës së SEEBRIG, të kryesuar nga komandanti i kësaj komande gjeneral brigade Hakan Eser.
Gjeneral Bazo e njohu gjeneral Eser me zhvillimet e fundit të Forcave të Armatosura shqiptare dhe me progresin e bërë gjatë këtyre viteve si vend anëtar i Aleancës Euroatlantike. “Përmbushja e objektivave të kapaciteteve të NATO është përkushtimi ynë kryesor, sidomos në drejtim të reparteve të deklaruara në NATO”, është shprehur ndër të tjera gjeneral Bazo.
28 prill 2014
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo priti sot në takim znj. Fotini Gjenimata, ministre plotësuese e Mbrojtjes e Republikës së Greqisë, e cila ndodhet në vendin tonë për një vizitë zyrtare.
Gjeneral Bazo e njohu znj. Gjenimata dhe delegacionin grek me zhvillimet e fundit në Forcat e Armatosura. Dy bashkëbiseduesit shprehën vullnetin për forcimin e bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes ndërmjet dy vendeve tona, jo vetëm si fqinj, por edhe si vende anëtare të NATO.
28 prill 2014
Në ambientet e auditoriumit është çelur sot seminari “Inteligjenca dhe Demokracia”, organizuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë, ministri i Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, z. Aleksandër Arvizu, drejtori i Shërbimit të Inteligjencës shqiptare, z. Visho Ajazi, kreu i Komisionit të Ligjeve dhe Sigurisë, atasheu ushtarak i SHBA, si dhe përfaqësues të zyrës së ODC.
25 prill 2014
Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes i qëndrojnë çdo deklarate të mëparshme të dhënë nga titullarët e saj.
Nuk ekziston asnjë fakt që të prodhojë hamendësitë e shprehura gjatë javëve të fundit në publik.
Forca Ajrore disponon dokumente nga strukturat e specializuara të Aleancës që monitorojnë hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, të cilat konfirmojnë se nuk ka patur avionë renegatë në hapësirën tonë në datën dhe kohën e cituar në media.
24 prill 2014
Është zhvilluar paraditen e sotme, në ambientet e Regjimentit të Helikopterëve në Farkë, ceremonia e festimit të 63-vjetorit të krijimit të Aviacionit.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo, zëvendësministri i Mbrojtjes z. Dritan Hila, komandantët e forcave, veteranë të Armës së Aviacionit, pilotë të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tonë.
23 prill 2014
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Shoqata Kombëtare e Invalidëve të LANÇ të popullit shqiptar, me rastin e 70-vjetorit të krijimit të Brigadës së VIII Sulmuese. Në këtë aktivitet merrnin pjesë gjithashtu veteranë, ish partizanë të Brigadës së VIII Sulmuese, përfaqësues nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, familjarë të dëshmorëve të kësaj brigade, etj.
Gjeneral Bazo shprehu kënaqësinë e veçantë të pjesëmarrjes në këtë ditëlindje të 70-të të një prej formacioneve më të rëndësishme ushtarake të Luftës Nacionalçlirimtare, atë të Brigadës së VIII Sulmuese.