
31 mars 2016
Në kuadër të planit të stërvitjeve vjetore të reparteve të FT për vitin 2016, nga data 21 mars 2016 deri në datën 4 prill 2016 në Batalionin e Forcave Speciale të FT është duke u zhvilluar stërvitja e përbashkët “JCET 2016”, ku marrin pjesë efektivë të këtij batalioni, Forcat Speciale Amerikane dhe efektivë të Repartit “RENEA” të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo stërvitje e përbashkët në nivel Forcash Speciale ka për qëllim rritjen e aftësive operacionale dhe ndërveprueshmërisë së efektivit të Kompanisë së III të Aksioneve Direkte, me efektivin e US NAVY SEAL (SEAL TEAM 8) dhe efektivin “RENEA”.
29 mars 2016
Në mjediset e Garnizonit “Skënderbej” u zhvillua sot paradite një ceremoni e veçantë e rekrutimit për ushtarë/detarë aktivë në Forcat e Armatosura për fazën e parë të vitit 2016. Të pranishëm në ceremoni ishin shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneral brigade Ded Prenga, drejtor i SHP kolonel Ardian Bali, komandanti i QPR kolonel Leonard Çoku, komandanti i Shkollës së Trupës, Bunavi, kolonel David Rroku, drejtor drejtorishë në SHP, prindër dhe familjarë të rekrutëve të rinj, etj.
24 mars 2016
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Jeronim Bazo kreu një vizitë në Komandën e Misionit të NATO në Kosovë “KFOR” dhe në Komandën e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në Komandën e Misionit të NATO në Kosovë “KFOR”, gjeneral Bazo pati takime me komandantin e KFOR gjeneralmajor Guglielmo Luigi Miglietta, Shtabin Ndërkombëtar si dhe kontingjentin e FARSH, që shërben në KFOR. Kjo vizitë vjen në kuadër të solidaritetit dhe mbështetjes për KFOR si dhe rritjen e dialogut dhe bashkëpunimit ushtarak me këtë komandë.
21 mars 2016
Gjeneralmajor Jeronim Bazo priti në një takim Komandantin e Forcës Tokësore të SHBA-së në Evropë, gjenerallejtënant Ben Hodges, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit ndanë drejtë për drejtë vlerësime, opinione, konstatime dhe qëndrime që lidhen me bashkëpunimin dypalësh si dhe diskutuan rreth sfidave të sigurisë në mjedisin e sotëm strategjik dhe në mënyrë të veçantë me sfidat që përballet Aleanca.
18 mars 2016
Me ftesë të Shefit të Shtabit të Gjermanisë Gjeneral Volker Wieker, nga data 16-18 mars 2016, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Jeronim Bazo, kreu një vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë. Gjatë kësaj vizite gjeneralmajor Bazo zhvilloi takime me titullarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Gjermanisë si dhe takime në Komandën e Forcës së Bashkuar Operacionale të Gjermanisë. Gjatë këtyre takimeve u vlerësua bashkëpunimi ushtarak dypalësh si dhe në kuadër të NATO. Gjeneralmajor Bazo vlerësoi kontributin e Gjermanisë në mbështetje të FARSH dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
10 mars 2016
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Jeronim Bazo, zhvilloi një takim me komandantin e Brigadës Shumëkombëshe për Evropën Juglindore (SEEBRIG), gjeneral brigade, Numan Yediyıldız.Gjeneral Numan Yediyıldız ndodhet në Shqipëri në kuadër të inspektimit të njësive tona të deklaruara në SEEBRIG të Forcës Tokësore përkatësisht kompania e parë e b2k dhe kompania xheniere e Batalionit të Mbështetjes me Luftim (bml).
Dy bashkëbiseduesit diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në fushën e Mbrojtjes dhe sfidat që kanë përpara Forcat e Armatosura në ditët e sotme.