
31 mars 2014
Është zhvilluar sot, në Ministrinë e Mbrojtjes ceremonia zyrtare me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në këtë përvjetor të rëndësishëm për Forcat e Armatosura dhe shtetin shqiptar, merrnin pjesë kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandantët e forcave kryesore dhe mbështetëse, ministra në detyrë, ish-ministra të mbrojtjes ndër vite, atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tonë, etj.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i shpreh ngushëllime të thella familjarëve të Arben Doskut i cili humbi jetën sot dhe Lavdrim e Alfred Doskut që mbetën të plagosur në fshatin Zgarë të Librazhdit.
Forcat e Armatosura kanë bërë dhe do të vazhdojnë të bëjnë të pamundurën për të shmangur ngjarje dhe incidente të këtij lloji me pasojë humbjen e jetëve njerëzore apo dëmtimin e banorëve, por vërejmë me shqetësim se shumë pak bëhet nga pushteti lokal.
28 mars 2014
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo ka pritur sot në një takim shefin e shkencës së NATO, gjeneralmajor Albert Husniaux.
Gjeneral Bazo shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal për mbështetjen që NATO i ka dhënë Shqipërisë dhe Forcave të Armatosura shqiptare në vite, si dhe theksoi rëndësinë e zhvillimit të Konferencës të katërt të Resurseve të NATO në Shqipëri. Më tej, gjeneral Bazo e ka njohur shefin e shkencës së NATO, gjeneral Husniaux me zhvillimet kryesore të Forcave të Armatosura, si dhe prioritetet për të ardhmen.
27 mars 2014
Ka filluar sot, në ambientet e ”Hotel Tirana International” konferenca e NATO për resurset. Aktiviteti disaditor i organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, synon të promovojë rritjen e bashkëpunimit efektiv për çështje të ndryshme në të gjitha fushat e burimeve, ndërmjet shteteve anëtare të Aleancës.
Në hapjen e konferencës merrnin pjesë ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Viktor Berdo, zëvendësshefi i Shtabit të Komandës së Aleancës për Transformim (ACT), gjeneralmajor Salih Sevil, gjeneralmajor Albert Huisnaux, shefi i Shkencës së NATO, si dhe përfaqësues ushtarakë e civilë nga vendet anëtare të NATO dhe ato partnere.
26 mars 2014
Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Viktor Berdo ka pritur sot në një takim të veçantë zëvendësshefin e Shtabit të Komandës Aleate për Transformim, gjeneralmajor Salih Sevil. Gjeneral Berdo shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal për mbështetjen e Komandës Aleate për Transformim në procesin e transformimit të Forcave të Armatosura shqiptare në vite.
“Zhvillimin në vendin tonë të “Konferencës së NATO për Burimet”, e konsiderojmë si vlerësim për kapacitetet tona pritëse, për të zhvilluar aktivitete të tilla me një pjesëmarrje të gjerë. Njëkohësisht dua t’ju uroj punime të mbara konferencës, e cila ndër të tjera do të rrisë me tej frymën e bashkëpunimit efektiv dhe besimin e vendeve të Aleancës në përdorimin e fondeve të përbashkëta në kushtet e kufizimeve financiare”, është shprehur ndër të tjera zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Viktor Berdo. Më tej, gjeneral Berdo e ka njohur ushtarakun e lartë të ACT me zhvillimet kryesore të Forcave të Armatosura, si dhe prioritetet për të ardhmen.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura (SHPFA) të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me komentet e bëra nga kundëradmiral Kristaq Gerveni në ndonjë media të vendit, për moszbatimin e urdhrit administrativ të ministrit të Mbrojtjes “Për dorëzimin e detyrës dhe kthim në atdhe”, shprehet se, zbatimi i urdhrit “nuk diskutohet, por zbatohet me shpejtësi dhe përpikmëri”, kjo sipas pikës 5.2.2, neni 2, kreu V, i Rregullores së Jetës së Brendshme të Forcave të Armatosura, miratuar me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes Nr.1821, datë 09.11.2011.