
29 maj 2014
Prej disa ditësh, efektivat e kompanisë operacionale të Policisë Ushtarake dhe të togës NRF, janë duke testuar aftësitë operacionale të procedurave të punës në shtabet e nivelit taktik, si dhe të njohurive për planëzimin dhe ekzekutimin e operacioneve.
Stërvitja e koduar “Bashkëpunimi për siguri”, që është duke u zhvilluar në rajonin stërvitor të Bizës, synon rritjen e kapaciteteve të PU për operacione të mbështetjes së paqes (OMP), të mbrojtjes kolektive (Artikulli 5 i NATO), si dhe në përgjigje të katastrofave humanitare brenda vendit.
24 maj 2014
Në kuadër të aksionit të pastrimit të territorit, me kërkesë të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Mbrojtjes dhe FA nën moton “Shqipëria është e të gjithëve, ta mbajmë atë pastër”, kanë kontribuar edhe gjatë ditës së sotme në pastrimin e plazheve në Qarkun e Vlorës.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo inspektoi punën e Forcave të Armatosura në plazhin e Zvërnecit, Orikumit, Dhërmiu dhe Himarës.
Gjeneral Bazo pasi ndoqi nga afër punën e efektivëve të FA, të angazhuara në aksionin e pastrimit, ndër të tjera u shpreh:“FA janë këtu për të dhënë kontributin e tyre nën moton “Shqipëria është e të gjithëve, ta mbajmë atë pastër, gjërat e mëdha në jetë nuk mund të ndodhin nëse nuk bëhen ato të voglat”.

23 maj 2014
Shpallet kampion i Forcave të Armatosura ekipi i futbollit i Policisë Ushtarake
Për pesë ditë rresht në kompleksin sportiv të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua Kampionati i Futbollit në Forcat e Armatosura, veprimtari e cila u organizua nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA.
22 maj 2014
Ka përfunduar sot takimi i 171 i shefave të Mbrojtjes së vendeve të NATO dhe atyre partnere, zhvilluar në selinë e NATO në Bruksel. Takimi i dytë për këtë vit, mblodhi sërish së bashku 28 ushtarakët më të lartë të vendeve anëtare të NATO, si dhe komandantët e komandave kryesore të Aleancës.
Takimi dy ditor u drejtua nga gjeneral Knud Bartels, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO dhe solli në qendër të vëmendjes sfidat kryesore më të cilat përballet Aleanca e Atlantikut të Veriut e që i paraprijnë zhvillimit të samitit të radhës së NATO, që do të zhvillohet në Wells, Britani e Madhe, gjatë muajit shtator.
20 maj 2014
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Jeronim Bazo do të marrë pjesë në takimin e shefave të Mbrojtjes të vendeve të NATO, në selinë e NATO, në Bruksel, në datat 21-22 maj 2014.
Takimi dy ditor në formatin e SHSHP (CHOD) të NATO drejtohet nga kryetari i Komitetit Ushtarak të Mbrojtjes, gjeneral Knud Bartels.
Në fokus të këtij takimi do të jenë përgatitjet për Samitin e NATO që do të mbahet në shtator, me qëllim përshtatjen dhe nënshkrimin e dokumenteve që do të trajtohen në Ministerialin e Mbrojtjes, si dhe rishikimin e aktiviteteve operacionale.
19 maj 2014
Ka filluar ditën e sotme në ambientet sportive të Ministrisë së Mbrojtjes kampionati i futbollit ndërmjet strukturave ushtarake. Në të janë përfshirë 8 ekipet e futbollit nga Forca Tokësore, Forca Ajrore, Forca Detare, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, Brigada Logjistike, Brigada e Mbështetjes Rajonale, Policia Ushtarake dhe Regjimenti i Mbështetjes së SHPFA.
Kampionati nisi me një demonstrim nga ana e ekipit të karatesë së fëmijëve të ushtarakëve, për të vazhduar me ndeshjen e parë midis ekipit të Forcës Detare dhe ekipit të Komandës së Doktrinës. Në këtë kampionat janë aktivizuar mbi 100 futbollistë që të gjithë efektivë ushtarakë dhe civilë të Forcave tona të Armatosura.