
31 janar 2013
Në vijimësi të punës për integrimin e plotë të vendit tonë në NATO, prej ditës së djeshme në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, është duke u zhvilluar takimi për integrimin me Komandën e NATO për Transformimin (ACT). Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi priti ditën e martë në një takim të veçantë, gjeneralmajor Jon B. Lilland dhe ekipin e NATO që ai kryeson. Gjeneralmajor Gjunkshi falënderoi për kontributin e dhënë nga Komanda e NATO për Transformim në drejtim të integrimit të plotë të vendit tonë në NATO, si dhe shprehu bindjen se do të bëhen përpjekjet maksimale për përmbushjen e detyrimeve që shtron Aleanca e Atlantikut të Veriut.
31 janar 2013
Ministria e Mbrojtjes filloi zyrtarisht implementimin e projektit “Guidë vetëvlerësimi për çështjet e barazisë gjinore në Forcat e Armatosura”. Projekti ka marrë miratimin e ministrit të Mbrojtjes z. Arben Imami dhe gjen mbështetjen e shefit të Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi.
Në takimin e zhvilluar muajin dhjetor, vitin e kaluar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi me zëvendëskomandantin e Byrosë së Gardës Kombëtare të ShBA, gjeneral lejtnant Joseph Lengyel, një nga çështjet e diskutimit ishte edhe bashkëpunimi i ngushtë dhe i thellë për barazinë gjinore në Forcat e Armatosura.
31 janar 2013
Sot u kthye në atdhe nga Herat, Afganistan, 111 trupa nga këto 107 të kontingjentit 11-të paqeruajtës dhe 4 oficer me detyra në shtabin e ISAF pranë Komandës së RC-West dhe me komandant nënkolonel Lavdërim Oshafi.
Trupat pjesëmarrëse në mision u pritën në Aeroportin Ushtarak të Rinasit nga komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku i cili shoqërohej nga shefi i shtabit të Forcës Tokësore, kolonel Adi Ndoni dhe komandanti i batalionit të dytë, nënkolonel Ardian Bala. Kishin ardhur për të pritur misionarët edhe familjarë dhe të afërm të paqeruajtësve.
30 janar 2013
Në vijimësi të punës për integrimin e plotë të vendit tonë në NATO, ka filluar sot, në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes Workshop-i për integrimin në bashkëpunim me Komandën e NATO për Transformimin (ACT). Takimi drejtohet nga gjeneral brigade Sandër Lleshi, zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të FA për Operacionet dhe gjeneralmajor Jon B. Lilland, ndihmësshef i Shtabit të ACT për menaxhimin e programeve dhe planifikimin. Në këtë takim morën pjesë gjithashtu drejtorët e drejtorive në Shtabin e Përgjithshëm dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, komandantët e forcave dhe njësive si dhe përfaqësues nga strukturat e ndryshme të FA, anëtarë të Sindikatave të Integrimit.
29 janar 2013
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi priti në një takim të veçantë delegacionin e Komandës së NATO për Transformim kryesuar nga gjeneralmajor Jon B. Lilland, ndihmësshef i Shtabit të ACT për menaxhimin e programeve dhe planifikimin.
Në takim merrnin pjesë gjithashtu kapiten Steve Pearson, koordinator i ACT për Integrimin me Shqipërinë, kolonel Tonin Marku, përfaqësues i FA në ACT dhe kolonel Nazmi Cahani, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Monitorimit të Mbrojtjes në SHPFA.
29 janar 2013
Ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi zhvilluan sot paradite, një takim për vlerësimin e përgatitjeve të Workshop-it me Komandën e NATO për Transformim që do të zhvillohet në vendin tonë në datat 30-31 janar 2013. Në takim merrnin pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Arjan Starova, zëvendësshefat e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Viktor Bërdo dhe gjeneral brigade Sandër Lleshi, Sekretari i Përgjithshëm i MM, z. Edvin Kulluri, drejtoresha e Kabinetit të MM, znj. Donika Çapi si dhe drejtorët e drejtorive në MM dhe SHPFA.