
25 janar 2012
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi priti sot në një takim zyrtar Komandantin e ACT, Gjeneral Stephane Abrial. Gjeneral Abrial vjen në vendin tonë si i dërguar special i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Rasmussen, për të diskutuar për konceptin “Smart Defence”. Aplikimi i konceptit “Smart Defence”do të jetë edhe vëmendja kryesore e Samitit të Çikagos, që do të mbahet në maj të këtij viti.
Pas një takimi kokë më kokë në zyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Gjunkshi dhe Gjeneral Abrial diskutuan për zhvillimet më të fundit në NATO si dhe marrëdhëniet e veçanta të FA shqiptare me Komandën e ACT.
25 janar 2012
Komandanti i Trupave të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Erhard DREWS, me ftesë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjeneral Major Xhemal GJUNKSHI, është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Vizita, e cila është në vazhdën e një sërë vizitash që Komandanti i KFOR-it po zhvillon në rajon, kryesisht në vendet fqinje me Kosovën, ka si synim njohjen me gjendjen e sigurisë në Shqipëri, progresin e reformat në FA të RSH si dhe nxitjen e bashkëpunimit midis KFOR dhe FA të RSH.
24 janar 2012
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi zhvilloi një takim zyrtar me ekipin e Qendrës Marshall dhe Komandës së Transformimit të NATO-s (ACT).Ky ekip ndodhet në vendin tonë në kuadrin e bashkëpunimit të Forcave tona të Armatosura me NATO-n dhe USEUCOM.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer që FA shqiptare kanë me Qendrën Marshall, bashkëpunim i cili siç u shpreh Gjeneral Gjunkshi daton vite e vite më parë dhe përfshin në historinë e vet një gjeneratë të tërë ushtarakësh dhe pjesëtarësh të FA.
24 janar 2012
Në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes u zhvillua analiza për realizimin e masave të matricës së aktiviteteve, e cila është hartuar në mbështetje të konkluzioneve të Konferencës së Katërt të Integrimit me ACT-në.
Të pranishëm në këtë analizë ishin Ministri i Mbrojtjes, Z. Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, Gjeneralë, drejtues Forcash në FA, Drejtorë Drejtorish në MM dhe SHP etj.
Gjatë brifingut, i cili u mbajt nga Drejtori i Planifikimit dhe Monitorimit të Mbrojtjes në Shtabin e Përgjithshëm (J5), Kolonel Jeronim Baze, u prezantuan disa nga konkluzionet e nxjerra gjatë Konferencës së Katërt e Integrimit të FARSH në strukturat e NATO-s, e cila u mbajt me dy Komandat Strategjike të NATO-s (ACT dhe ACO), në datat 08-09 Qershor 2011, në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
19 janar 2012
Vazhdon punimet takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, në formatin e SHSHP, ku janë duke u diskutuar çështjet që lidhen me operacionet e NATO-s si dhe angazhimet kryesore si Transformimi, Planet e Kontigjencës dhe Struktura Komanduese e NATO-s.
Gjatë takimeve për operacionet e NATO-s, ISAF dhe KFOR e mori fjalën edhe Gjeneral Major Xhemal GJUNKSHI. SHSHP të FA-së shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për operacionin ISAF dhe vazhdimin e kontributit me trupa edhe gjatë fazave të tjera të operacionit.
Ndërsa gjatë takimit për operacionin KFOR, si edhe SHSHP të vendeve të NATO-s, Gjeneral GJUNKSHI vlerësoi punën e bërë nga strukturat e KFOR dhe FSK në menaxhimin e situatës dhe ruajtjen e sigurisë dhe paqes në rajon. Gjithashtu u vlerësua arritja e nivelit të kërkuar operacional të FSK. Së fundmi, SHSHP të vendeve të NATO-s mbështetën njëzëri ruajtjen e gjendjes së tanishme të trupave në Kosovë deri sa të krijohen kushtet për të kaluar në fazat e tjera të Operacionit.
Gjatë qëndrimit të tij në Komandën e NATO-s, Gjeneral GJUNKSHI ka takuar dhe diskutuar edhe me SHSHP të vendeve të tjera të rajonit dhe NATO-s, ku ndër më të spikaturat ishte takimi me Gjeneral DEMPSEY, SHSHP të SHBA-së, Admiral STAVRIDIS, Komandanti i ACO, Gjeneral ALLEN, Komandanti e ISAF, etj.
Takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s i përfundon axhendën e takimeve sot në orën 16.00.
18 janar 2012
Takimi i parë i Komitetit Ushtarak të NATO-s në formatin e SHSHP, nën drejtimin e Kryetarit të Ri të Komitetit Ushtarak, Gjeneral Bartels është duke u mbajtur në komandën e NATO-s, sot dhe nesër, më 18-19 janar 2012. Përfaqësuesit më të lartë të 67 vendeve do të diskutojnë, në formate të ndryshme, zhvillimet rreth operacioneve të NATO-s, implementimit të Strukturës së Re Komanduese dhe detyrimet që rrjedhin prej saj. Delegacioni i FARSH-it në takime, kryesohet nga Gjeneral Major Xhemal GJUNKSHI.