
24 gusht 2015
Gjeneral brigade Vladimir Avdiaj ka marrë sot detyrën e komandantit të Forcës Ajrore.
Ceremonia e rastit u zhvillua në Komandën e Forcës Ajrore në Rinas, ku shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo i dorëzoi flamurin luftarak të Forcës Ajrore gjeneral brigade Vladimir Avdiaj.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministri i Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandantë të komandave kryesore, atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tonë, etj.
18 gusht 2015
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Jeronim Bazo dhe zëvendësministri i mbrojtjes z. Petro Koçi zhvilluan në mjediset e Komandës Mbështetëse një takim mbi angazhimin e Forcave të Armatosura në përballimin e emergjencat civile në vend. Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura.
Komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade Ylber Dogjani informoi mbi angazhimin e strukturave ushtarake për përballimin e emergjencave civile për vitin 2015, sipas situatave të krijuara duke vendosur në gatishmëri asetet e deklaruara në Planin Kombëtar të Emergjencave Civile (EC). Më konkretisht, në mbështetje të kërkesave të shtabeve të EC, të ngritura për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e shiut në jug të vendit, si dhe temperaturat tepër të larta gjatë muajit gusht, strukturat e FA kanë realizuar operacione kërkim – shpëtimi, zhbllokim rrugësh nga inertet, transportim dhe shpërndarje të ndihmave ushqimore për popullsinë dhe për bagëtinë, forcim argjinaturash, shuarje e vatrave të zjarrit, etj.
1 gusht 2015
Në datën 31 Korrik 2015, SHSHPFA-së Gjeneral Major Jeronim Bazo, i shoqëruar nga një delegacion ushtarakësh të lartë, zhvilloi një vizitë në Republikën e Malit të Zi. Gjeneral Bazo u prit nga SHSHPFA të Malit të Zi, Admiral Dragan Samardzic me të cilin zhvilloi një takim miqësor dhe mjaft të dobishëm. Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ushtarak të dy vendeve tona, i cili është zhvilluar si në planin dypalësh, ashtu edhe më gjerë në kuadër të iniciativave rajonale si Karta e Adriatikut, B9 dhe SEDM.