
22 dhjetor 2016
Në ambientet e pjesës ushtarake të aeroportit të Rinasit, u zhvillua sot paradite një ceremoni e veçantë për të pritur kthimin në atdhe të Kontigjentit të IV Paqeruajtës në kuadër të Resolute Support Mission, në Kabul, Afganistan.
Trupat paqeruajtëse janë pritur nga zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral Brigade Dedë Prenga, i shoqëruar nga Komandanti i Forcës Tokësore gjeneral Brigade Nazmi Cahani. Gjithashtu në ceremoni ishin të pranishëm edhe Komandanti i Forcës Ajrore gjeneral brigade Vladimir Avdia, përfaqësues nga ambasada e Republikës së Turqisë në vendin tonë, familjarë dhe të afërm të kontingjentit RSM-4.
12 dhjetor 2016
Në auditorin e Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua sot paradite ceremonia e emërimit të gjenerales së parë femër të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Manushaqe Shehu në krye të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes
Të pranishëm në ceremoninë ishin zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantë forcash, si dhe drejtorë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA.
10 dhjetor 2016
Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli dhe zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Dedë Prenga, morën pjesë në ceremoninë e përcjelljes së Kontingjentit të Parë të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, i cili do të shërbejë në Herat nën komandën e FA italiane. Ceremonia e përcjelljes së kontingjentit paqeruajtës u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, ku ishin të pranishëm ambasadori i Republikës së Italisë z. Alberto Cutillo, deputeti i Komisionit të Sigurisë, z. Arben Çuko, komandantë forcash dhe familjarë të pjesëtarëve të këtij kontingjenti.
9 dhjetor 2016
Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Dedë Prenga, mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen. Në ceremoni, e cila u zhvillua në auditorin e Ministrisë së Mbrojtjes morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes z. Idlir Peçi, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
6 dhjetor 2016
Në ambientet e Batalionit të Policisë Ushtarake, u zhvillua një ceremoni e veçantë për përcjelljen e Kontingjentit të 5-të që do të shërbejë në Resolute Support Mission (RSM).
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Dedë Prenga, ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë z. Hidayet Bayraktar, komandanti i PU kolonel Arben Kingji, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të MM dhe SHPFA si dhe familjarë të efektivëve që do të nisen në mision.
4 dhjetor 2016
Në Garnizonin "Skënderbej" u organizua Dita e Hapur me rastin e 104 - vjetorit të krijimit të Ushtrisë Shqiptare. Gjatë gjithë kësaj dite festive një numër i madh vizitorësh morën pjesë në këtë aktivitet dhe panë nga afër mjetet, pajisjet dhe armatimin që kanë në përdorim Forcat e Armatosura të Shqipërisë, duke filluar që nga helikopterët, mjetet e blinduara dhe armët e reja të standardeve të NATO.