Historiku i Forcave të Armatosura të RSH

Shqipëria ka një traditë të pasur ushtarake e cila shënon fillimet e saj që në kohët antike. Ushtritë ilire ishin disa nga ushtritë më të shquara të kohës me këndvështrimet e tyre të veçanta. Organizimet ushtarake ilire ishin strukturuar dhe funksiononin si në kohën e paqes dhe të luftës. Rreth shekujve VI- IV para Krishtit, sistemi i detyrueshëm përfshinte meshkujt  që kishin arritur moshën 17 deri 20 vjeç, ndërsa në rast lufte ky detyrim përfshinte të gjithë meshkujt e aftë për luftë deri në moshën 60 vjeç. Ushtritë ilire kishin në përbërjen e tyre, për shkak të pozicionit gjeografik, përvec komponentit tokësor edhe atë detar.

Tradita ushtarake u pasurua më tej në shekujt që pasuan, për të shënuar zhvillime të rëndësishme në periudhën e pushtimit të vendit nga Perandoria Osmane. Zhvillimet e kësaj periudhe arritën kulmin në vitet 1443-1468, kohë gjatë së cilës në krye të luftëtarëve shqiptarë ishte Gjergj Kastrioti (Skënderbeu). Më 2 mars 1444, Skënderbeu thirri Lidhjen e Lezhës, me pjesëmarrjen e te gjithë princave shqiptarë, ku një nga arritjet e saj ishte edhe krijimi i një ushtrie e cila ishte e vogël por cilësore, që për 25 vjet rresht u bë pengesa kryesore për ushtritë të panumërta te perandorisë më të fuqishme të kohës, jo vetem në mbrojtjen e vendit, por edhe të civilizimit Europian. Në fillimet e saj, kjo ushtri nuk i kalonte 6000 deri 8000 luftëtarë, ndërsa më vonë, ky numër arriti deri në 18000 luftëtarë.

Gjatë viteve 1771- 1832, që është periudha e organizimit të vendit mbi bazën e pashallëqeve edhe ushtritë u organizuan e u përdorën nga udhëheqësit e këtyre pashallëqeve. Në përpjekjet e tyre për t'u ndarë me Portën e Lartë dhe krijimin e vendeve të pavarura, ata arritën nivelet e një pozite të rregullt të Forcave të Armatosura, duke patur pothuajse të njëjtin organizim ushtarak (Divizion, Regjiment, Batalion) me ushtritë moderne të kohës.

Numri i forcave për çdo pashallëk në kohë paqe nuk e kaloi kufirin e 20000 luftëtarëve. Ato kishin një rritje të shpejtë të numrit gjatë mobilizimeve në kohë lufte. Në Pashallëkun e Janinës ky numër arriti 40000 ushtarë, ndërsa në Pashallëkun e Shkodrës gjatë sundimit të Mustafa Bushatit numri i ushtarëve arriti në 60000. Në përgjithësi, ato kishin në përbërje të tyre komponentin tokësor dhe atë detar. Komponenti tokësor që luante rolin kryesor përbëhej nga  këmbësoria, kavaleria dhe artileria, ndërsa ai detar ishte më shumë i zhvilluar në Pashallëkun e Janinës.

Lidhja e Prizrenit 1878- 1881 është një pikë kulmore e historisë së Shqipërisë, për pasojë është e tillë edhe për Forcat e saj të Armatosura.

Duke qenë se në rrezik ishte ekzistenca e vendit, Lidhja krijoi një ushtri vullnetare bazuar në parimin, një burrë për shtëpi. Ajo u drejtua nga Komiteti Ushtarak Qendror nën vartësinë e të cilit ishin Komisionet e Mbrojtjes Rajonale si edhe Korpuset. U bënë planet për të organizuar Korpusin në Kosovë me 70000 vetë, dhe atë të Shkodrës me 60000 vetë, me vullnetarë nga Tirana, Elbasani, Ohri, Dibra dhe Mati. Korpusi ishte i organizuar në brigada këmbësorie, brigadat në regjimente dhe çdo regjiment kishte 4 batalione këmbësorie. Batalioni përbëhej nga 4 toga këmbësorie dhe një togë kavalerie. Ushtria e bashkuar duhej të kishte 380 batalione në Veri të Shqipërisë dhe 100 batalione në Jug të Shqipërisë. Përveç atyre  u krijua grupi logjistik që përbehej nga elementë mjekësor, transporti dhe skuadrat e ruajtjes.

Në 30 vjetët që pasuan, pas rënies së Lidhjes së Prizrenit dhe shpërbërjes së forcave të saj ushtarake gjithçka do të zbehej për t'u ringjallur në vigjilje të Shpalljes së Pavarësisë së vendit, në vitin 1912.

Në 4 Dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u krijua Ushtria Kombëtare.

Për herë të parë në historinë shekullore të vendit, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës) e drejtuar nga Mehmet DRALLA (Tetova) dhe Shtabi i Përgjithshëm,i drejtuar nga major Ali Shefqet SHKUPI. Strukturat kryesore përbërëse të saj ishin forcat aktive, rezervë ato vullnetare si edhe xhandarmëria, me 12000 personel gjithsej. Në tetor 1913, me vendim të konferencës së ambasadorëve në Londër, një grup ushtarakësh hollandez (oficerët hollandez De weer dhe Thomson si dhe 15 oficerë të tjerë) ndihmuan në ristrukturimin dhe përgatitjen e xhandarmërisë. Vitet që pasuan shënuan zhvillime të tjera të rëndësishme. Kështu për herë të parë, Forcat e Armatosura u ndanë në Forca Tokësore, Detare dhe Forca Ajrore. Pavarësisht ndarjes, ato nuk u organizuan në nivelin e dëshiruar. Gjatë periudhës së sundimit monarkik kjo ndarje ekzistoi, por vet forcat kaluan ndryshime të brendshme të vlerësuara pozitive për kohën. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe edhe rritja e buxhetit për ushtrinë ishte e konsiderueshme.

Gjithçka shteti shqiptar dhe Forcat e tij të Armatosura, kishin arritur deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore do të shuhej në ditën e agresionit fashist ndaj vendit tonë, më 7 prill 1939. Shteti u bë inekzistent dhe për pasojë edhe Forcat e tij të Armatosura.

Në këto rrethana lindën Forca të reja të Armatosura që u përkisnin grupimeve të ndryshme politike të kohës dhe që u përballën me pushtuesit.

Forca më e madhe me një skemë organizative të qëndrueshme dhe shumë efiçente, me formacione sulmuese të disiplinuara, me një ngritje numerike progresive dhe me një Shtab të Përgjithshëm, ishte Ushtria Antifashiste Vullnetare Nacional Çlirimtare. Kjo ushtri krijoi 24 brigada, 8 divizione dhe 3 korparmata, afërsisht me 45000 luftëtarë dhe konsiderohet më e suksesshmja e ushtrive të pas vitit 1912. Në nëntor 1944 bashkë me forcat territoriale, ajo arriti deri 70000 vetë. Kjo shifër përfaqësonte 7% të popullsisë të Shqipërisë në atë periudhë.

Pas çlirimit të vendit, ajo ju nënshtrua një procesi reduktimi dhe riorganizimi. Më 9 korrik 1945, ajo mori emrin Ushtria Kombëtare dhe numri i saj u reduktua në 40000. Në dhjetor, në 35000 ndërsa në 1948 ky numër ra në 27000 ushtarakë aktiv. Në të njëjtën kohë, ajo filloi transformimin në një ushtri të rregullt të kohës së paqes. Struktura organizative e saj përbëhej nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, FT, FD, FA, FR dhe ato Territoriale.

Në vitin 1951, ushtria krijoi për herë të parë aviacionin ushtarak, në vitin 1953 armën e Kimisë, shërbimin e Komunikimit, Zbulimin etj. FD, tanket, artileria, transporti, logjistika dhe disa shërbime të tjera u riorganizuan.

Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës nga vitet 1950 deri 1968. Ushtria shqiptare u pajis me armatim dhe teknikë nga Bashkimi Sovjetik. Kjo periudhë shënoi fillimet e stërvitjeve të mëdha, si  ajo e vitit 1950.

Në vitin 1966, sipas udhëzimeve të PPSH me qëllimin e bërjes së ushtrisë më pak të kushtueshme dhe të lidhur me popullin për mos lejimin e krijimit të kastës ushtarake, u realizua nxjerrja e ushtrisë nga kazermat, heqja e sistemit të gradave dhe shpërndarja e saj në çdo pjesë të territorit të vendit. Komisari politik u vendos për të përfaqësuar vijën e partisë në komandat e të gjitha niveleve të Forcave të Armatosura.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, në vitet 70-80, Forcat e Armatosura patën një rritje të madhe numerike, duke arritur shifrën 61000 forca aktive dhe 260000 rezerviste dhe një numër i madh i forcave vullnetare. Ato u riorganizuan disa herë në njësi të përmasave dhe formave joeficente. Në fund të viteve 80 kishte 22 divizione që përbënin 3 fronte. Bazuar në konceptin e mbrojtjes, pëllëmbë për pëllëmbë, ushtria u shpërnda në 2200 pika në të gjithë vendin dhe fortifikimi u kthye në qëllim më vete. Për herë të parë në historinë ushtarake botërore shkollat e lira ushtarake filluan në Shqipëri.

Në vitet 90, me ndryshimin e sistemit politik edhe ushtria u bë pjesë e këtyre ndryshimeve. Reforma në FA filloi me vendosjen e kontrollit civil në to, heqjen e simboleve komuniste nga uniformat ushtarake, zëvendësimi i tyre me simbolet kombëtare, vendosjen e gradave dhe depolitizimin e departizimin. Në bazë të koncepteve të reja për përdorimin e FA, u bë ristrukturimi e riorganizimi i tyre me tendencë kryesore zvogëlimin e sasisë dhe rritjen e cilësisë. Hapja ndaj botës ishte një aspekt tjetër që i shërbeu modernizimit të FA dhe rritjes së shkallës së ndërveprueshmërisë së tyre me partnerët ndërkombëtar.  Në vitin 1992, Shqipëria shpalli publikisht dëshirën e saj për t'u bërë anëtare e NATO, dëshirë e cila u pasua me ndërmarrjen e hapave konkrete në këtë drejtim. Kështu, në vitin 1994 firmoset dokumenti në kuadrin e PfP dhe në qershor 1995, Shqipëria është zyrtarisht pjesë e nismës PfP. Në vitin 1999 u përgatit për herë të parë , Plani i Veprimit për Anëtarësim (MAP).

Megjithëse në vitin 1997, si pasojë e krizës, FA rezultuan më të dëmtuarat, në një kohë relativisht të shkurtër ato u ringritën dhe u bënë kontribuese të denja për sigurinë e paqen në rajon e më gjerë. Gjeografia e kontributeve të FA në mbështetje të paqes e sigurisë i kaloi kufijtë e rajonit të Ballkanit për t'u shtrirë edhe përtej kontinentit.

Proceset integruese të FA të nisura në vitin 1992 u ridimensionuan pas vitit 1997 në përputhje me realitetet e krijuara dhe arritën pikën e tyre kulmore me ftesën për anëtarsim në NATO, që vendi ynë mori në Samitin e Bukureshit në prill 2008.







Media Sociale



Moti