Gjeneral Brigade Ndriçim Sallaku priti në takim atasheun ushtarak të Francës, kolonel Fabrice Duda

 

Komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade Ndriçim Sallaku priti sot në një takim kortezie atasheun ushtarak të Francës, kolonel Fabrice Duda.

Gjeneral brigade Sallaku pasi i uroi mirëseardhjen kolonelit francez e falënderoi atë për mbështetjen që Franca i ka dhënë Forcave tona të Armatosura ndër vite dhe në mënyrë të veçantë për ndihmën e madhe të ekipit francez të emergjencave civile, gjatë situatës së tërmetit të 26 nëntorit. 

“Ndihma e Francës gjatë situatës së tërmetit nëpërmjet ekipit tuaj të kërkim-shpëtimit ka dhënë një ndihmë të vyer duke mos i ndërprerë kërkimet në asnjë moment deri në konkludimin me sukses të detyrës.” , - u shpreh gjeneral brigade Sallaku.

Nga ana e tij, kolonel Duda shprehu kënaqësinë për pritjen dhe njohjen e tij nga afër me Komandën Mbështetëse. Ai vlerësoi punën e saj si një komandë specifike në mbështetje jo vetëm të Forcave të Armatosura, por edhe të komunitetit në rast emergjencash civile. Kolonel Duda shprehu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit mes Francës dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes me kurse e trajnime të ndryshme të personelit ushtarak si dhe ofrimin e ekspertizës në drejtimet e nevojshme.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën dëshirën e mirë dhe besimin për zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak dypalësh Shqipëri – Francë, jo vetëm në fushën logjistike por edhe në atë të mbështetjes së komunitetit në rastet e emergjencave civile, të cilat së fundmi janë shtuar jo vetëm në Europë, por në mbarë botën, si pasojë e ngrohjes globale. 






Media Sociale



Moti