Dekorohet Batalioni i Xhenios me rastin e 99-të vjetorit të krijimit të tij

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Me rastin e 99-të vjetorit të krijimit të Armës së Xhenios, në ambientet e Batalionit të Xhenios (bxh) është zhvilluar një ceremoni e veçantë ku përveç festimit të përvjetorit të  Armës së Xhenios, ky nënrepart u dekorua edhe me medaljen për pjesëmarrje në emergjencat civile. 

Në këtë ceremoni morën pjesë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, Komandanti i Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Ndriçim Sallaku, komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Albert Mullai, drejtorë drejtorish në MM dhe SHP, si dhe ish-xhenierë të cilët kanë shërbyer ndër vite pranë kësaj arme.

Në fjalën e mirëseardhjes komandanti i batalionit të Xhenios N/kolonel Hajdar Gurra bëri një përshkrim të shkurtër historik të kësaj arme në vite, që nga momenti i krijimit në 20 Janarin e vitit 1921 dhe deri në ditët e sotme.

Ai theksoi përkushtimin e lartë e me profesionalizëm të efektivave xheniere në punën e tyre, si dhe kontributin e jashtëzakonshëm në eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore, ndihmën për përmisimin e infrastrukturës si të asaj ushtarake dhe të asaj civile, në mënyre të veçantë pas viteve 90 për zgjerimin dhe ndërtimin e rrugëve kombëtare; operacionet EOD për asgjësimin e municioneve të gjetura që vinin në rrezik sigurinë e komunitetit etj. Gjithashtu ky repart ka dhënë kontribut të çmuar dhe në arenën ndërkombëtare  në  misionin e BE-së, në EUTM Afrikë dhe “eFP” Letoni. N/Kolonel Hajdar Gurra kujtoi gjithashtu dëshmorët xhenierë që dhanë jetën për një vend të pastër nga minat dhe municionet vdekjeprurëse, që nga dëshmori i parë xhenier Kapiten Panajot Haxhimihali, rënë në çminimin e bregdetit të minuar gjatë luftës së dytë botërore, e deri tek dëshmorët e fundit Major Klodian Tanushi e N/Tetar Zarife Hasanaj të rënë gjatë kryerjes së detyrës në mision në Letoni. Në emër të gjeneratës së xhenierëve në pension, për punën e kontributin e pakursyer të xhenierëve ndër vite, përshëndeti ish xhenieri z. Andon Dhano.

Më pas, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku përshëndeti efektivat xheniere për sakrificat dhe shërbimin e tyre ndaj vendit dhe komunitetit tashmë jo vetëm brenda Shqipërisë por dhe jashtë saj me misionet paqeruajtëse jashtë vendit dhe jo vetëm në kuadër të NATO-s. Gjeneral Kollçaku theksoi gjithashtu dhe angazhimin për zhvillimin dhe modernizmin e xhenios. “Unë besoj që të gjithë jemi të vetëdijshëm që arritja dhe konsolidimi i aftësive dhe standardeve që kanë trupat e xhenios sot, janë rezultat i punës, sakrificave dhe vetëmohimit të shumë brezave të ushtarakëve dhe të civilëve që kanë shërbyer në këtë armë. Prandaj, me rastin e këtij përvjetori, dëshiroj ti falënderoj dhe t’i shpreh respektin të gjithë trupave xheniere për punën, kontributin dhe sakrificat e tyre në realizimin e detyrave të ngarkuara. Nderim, respekt dhe përulje e veçantë shkon me këtë rast për të gjithë ata xhenierë, ushtarakë apo civilë që kanë sakrifikuar jetën e tyre për kryerjen e detyrës”- u shpreh Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Në përfundim, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, dekoroi Batalionin e Xhenios me medaljen për pjesëmarrje në operacione të përballimit të emergjencave civile brenda vendit, si dhe Komandantin e tij N/kolonel Hajdar Gurra me po të njëjtin motivacion.

Ceremonia u mbyll me një foto të përbashkët dhe demonstrimin e mjeteve dhe pajisjeve të Batalionit të Xhenios.






Media Sociale



Moti