Ceremoni falënderimi në Komandën Mbështetëse, për kontributin që Forcat e Armatosura dhanë ndaj komunitetit

30 dhjetor 2019

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në ambientet e Komandës Mbështetëse u zhvillua sot një ceremoni e veçantë falënderimi për kontributin e Forcave të Armatosura dhënë popullsisë së dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019.

Në këtë aktivitet morën pjesë shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Manushaqe Shehu, përfaqësues nga Ministria e Punëve Vendore, komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Albert Mullai, zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore kolonel Eduart Zarka, komandanti i Policisë Ushtarake kolonel Altin Kurti, zëvendëskomandanti i Komandës Mbështetëse kolonel Përparim Gega, anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të FA, si dhe rreth 300 efektivë të Forcave të Armatosura të rreshtuar, tëcilët morën pjesë drejtpërdrejt në këtë operacion të rëndësishëm. 

Fillimisht fjalën e mori komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Albert Mullai, i cili theksoi angazhimin e jashtëzakonshëm të dhënë nga efektivat e Forcës Tokësore dhe të të gjithë Forcave të Armatosura në një situatë kaq kritike për të gjithë vendin. Këto forca - theksoi ai - u përfshinë intensivisht që në momentet e para në operacionet e kërkim-shpëtimit duke kontribuar me vetmohim e përkushtim, humanizëm e profesionalizëm të lartë fillimisht me operacionet e kërkim-shpëtimit në fazën e parë e më pas në fazën dytë, atë të  riaftësimit, fazë në të cilën vazhdojmë të japim kontributin edhe tani për lehtësimin e pasojave të tërmetit. Forcat Tokësore, si pjesë integrale e FA u angazhuan në operacione kërkim-shpëtimi, ngritje kampuingu e cadrash, në bashkëpunim e mbështetje me ekipet e huaja, ngarkim-shkarkim, transport e shpërndarje ndihmash shtëpi më shtëpi duke iu gjendur pranë komunitetit të dëmtuar”.

Pas tij, fjalën e mori komandanti i Batalionit të Mbështetjes Rajonale (BMR), kolonel Avni Bilbilaj i cili shprehu gjithashtu angazhimin e të gjithë personelit të BMR që në momentet e para  me operacionet e kërkim-shpëtimit së bashku me forcat e Zjarrfikëses e Policinë e Shtetit, duke mbështetur e duke vënë prioritet jo familjet e tyre, por familjet në nevojë që ndodheshin në rrezik më të madh. Ekipet tona të kërkim - shpëtimit kanë punuar me orare të tejzgjatura aty ku e kërkonte nevojave e pa u ankuar, të vetëdijshëm për punën e sakrificat e të bindur se sytë dhe vëmendja e publikut ishin te kta djem e vajza në uniformë. Të ndodhur në situata të tilla, jemi të vetëdijshëm se prania jonë, trajnimi e modernizimi me kapacitete operacionale do të vijojë duke u përmirësuar dita-ditës, me synim shndërrimin e kësaj njësie në  një kapacitet kombëtar për Emergjencat Civile (EC). Duke uruar gëzuar vitin e ri, shpreh bindjen dhe besimin se BMRdo jetë përherë në pararojë të personelit që shpëton jetë dhuron qetësi e siguri për njerëzit në nevojë e  do të jetë atje ku kërkohet ndihma e prezenca e familjes së madhe ushtarake”, - përfundoi kolonel Bilbilaj. 

Në përfundim, shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, duke përcjellë edhe falënderimet dhe urimet e ministrit të Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka dhe ministrit të Punëve Vendore z. Blendi Çuçi, shprehu vlerësimin për të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura (FA), të cilat si në vijë të parë ashtu edhe në mbështetje dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë situatë tepër kritike.

“Ky ishte jo vetëm një operacion por  edhe një test jo vetëm i njohurive tona por  një test i organizimit, strukturës, stërvitjes dhe kohezionit tonë luftarak. Test që sipas shumë indikacioneve edhe nga opinionin publik u kalua me sukses. Ne do të rishikojmë dhe rivlerësojmë planet afatshkurtra e afatgjata të zhvillimit të kapaciteteve ushtarake me vëmendje të veçantë ndaj EC”.

Ky operacion është ndarë në dy faza, në atë të kërkim-shpëtimit dhe më pas. Gjatë fazës së parë trupat e Forcave të Armatosura në bashkëpunim me trupat e emergjencës por dhe të Policisë së Shtetit, në rajonin e Thumanës e të Durrësit nxorën nga rrënojat 33 njerëz nga të cilët 12 të gjallë e fatkeqësisht edhe 21 viktima.  Më pas ata vijuan punën për ngritjen e kampeve në Durrës, Krujë, Laç e Tiranë, sigurinë e tyre si dhe ngarkim-shkarkim e shpërndarje ndihmash, bashkëpunim dhe me forcat e huaja të ardhura në ndihmë, të cilat u mbështetën  si direkt në zonë, ashtu dhe me akomodim, ushqim e shërbime të tjera logjistike të nevojshme. 

Në fazën e dytë “Lehtësim i pasojave dhe riaftësim”,  e cila vijon dhe tani, vazhdon puna për ngritjen e çadrave dhe mbështetjen logjistike në rajone të ndryshme  tashmë me gjeografi edhe më të gjerë, përtej Durrësit e Laçit. 

 






Media Sociale



Moti