Përfundoi në Komandën Mbështetëse analiza vjetore e punës, për vitin 2019

26 dhjetor 2019

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Komanda Mbështetëse gjatë ditës së sotme zhvilloi analizën vjetore të punës për vitin 2019, sipas prioteteve kryesore të punës për këtë vit. Gjatë kësaj analize u prezantuan realizimet vjetore në drejtim të menaxhimit të burimeve njerëzore, menaxhimit të materialeve sipas klasave të furnizimit, ruajtjes dhe sigurisë, operacionet dhe stërvitjet, operacionet EOD për pastrimin e hot-spoteve, ndërtimi i urave “bailey”, si dhe operacionet dhe kontributet e KM në mbështetje të komunitetit të prekur nga fatkeqësitë natyrore, të cilat shkaktuan jo pak situate të emergjencave civile (EC) në vendin tonë.

Komanda Mbështetëse ka dhënë një kontribut të veçantë për EC në vend, si për mbështetjen dhe zgjidhjen e situatave në rastet e zhbllokimit të rrugëve nga dëbora në fillim të vitit në verilindje, shuarjen e zjarreve në disa rajone të vendit në jug e në veri, rajone të mbuluara edhe nga DMR nëpër rrethe; përmbytjet shkaktuara si pasojë e reshjeve të dendura në Valias, Kamëz, Laç, si dhe përballimin e situatave të tërmeteve, si tërmetin në qytetin e Korçës, tërmetin e 21 shtatorit në rajonin Vorë, Tiranë dhe së fundmi me tërmetin e 26 nëntorit në Durrës e Thumanë.

Gjatë vitit 2019, Komanda Mbështetëse ka dhënë një mbështetje të madhe për popullsinë, në ndërtimin e urave tip “bailey” në disa zona të vendit si në bashkinë Përmet, Memaliaj, Tiranë, Vlorë, Librazhd, ku janë ndërtuar rreth 162 m ura. Gjithashtu Batalioni i Xhenios është angazhuar në hapjen dhe riparimin e rrugëve, kryesisht në segmentet Borsh-Kuç, Shëngjergj-Kroi i Kuq (Tiranë), Kalivaç etj.

Drejtim tjetër i kontributit të xhenios kanë qenë edhe operacionet EOD për pastrimin e hotspoteve dhe heqje e asgjësim të municioneve luftarake të gjendur në zona të banuara, operacione numri i të cilave shkon mbi 50.

Komanda Mbështetëse, ka bërë mbështetjen e një sërë aktivitetesh stërvitore dhe operacionesh me Komandat e Forcave të tjera, me transport, bazë materiale sipas klasave të furnizimit, si dhe përmirësimin e infrastrukturës. Gjatë kësaj analize, Komandanti i Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Ndriçim Sallaku, falënderoi të gjithë personelin e pranishëm për punën e madhe dhe reagimin e shpejtë në mbështetje të popullsisë së prekur edhe nga fatkeqësitë natyrore gjatë vitit 2019. Gjeneral brigade Ndriçim Sallaku, nxiti komandantët e nënreparteve vartëse dhe shefat kryesorë në Shtabin e KM që të nxjerrin mësime nga situatat e kaluara me qëllim evitimin e pengesave dhe plotësimin e mangësive dhe ti qëndrojnë në krye punës dhe njerëzve që shërbejnë në KM.

Komanda Mbështetëse kontribuon me personel në dy misione të rëndësishme, një mision të BE-së në Mali, duke përcjellë Kontingjentin IX në nëntor të këtij viti, si dhe operacionin “eFP” në Letoni, me Kontingjentin VI, i cili mori detyrën para një jave, gjatë këtij muaji.






Media Sociale



Moti