Zhvillohet ceremonia e përcjelljes së Kontingjentit VI, EOD me mision në Letoni

13 dhjetor 2019

Në mjediset e Batalionit të Xhenios (bXh) të Komandës Mbështetëse u zhvillua ditën e sotme ceremonia e nisjes së Kontingjentit VI, EOD, i cili do të marrë pjesë në misionin e Prezencës së Përparuar të Përforcuar (enhanced Forward Presence - eFP) të NATO, si pjesë e Grup - batalionit të udhëhequr nga forcat kanadeze të dislokuara në Letoni.

Në këtë ceremoni morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Ndriçim Sallaku, drejtorë të drejtorive në Shtabin e Përgjithshëm, komandantët e reparteve të vartësisë të Komandës Mbështetëse, si dhe familjarë të pjesëtarëve të kontingjentit.

Fjalën e hapjes e mbajti major Elio Shena, komandanti i Kontingjentit VI, EOD, i cili pasi falënderoi te pranishmit për pjesëmarrjen në ceremoni, premtoi që me vullnet dhe përkushtim të lartë, do të kapërcejnë çdo sfidë të këtij misioni. 

Fjalën përshëndetëse e mbajti shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, i cili vuri theksin në rëndësinë dhe veçantinë e këtij misioni për Kontingjentin VI të Togës EOD.

Ndër të tjerash Gjeneral Kollçaku u shpreh: “Kjo është një ditë e veçantë jo vetëm për Komandën Mbështetëse, por për të gjithë ne. Për hir të së vërtetës ky është një nga kontingjentet EOD që ka vendosur standarde të larta, i cili do të jetë një sfidë për ju për ta mbajtur dhe çuar akoma më tej këtë standard. Ju po shkoni në një moment të vështirë për shkak të fazës së angazhimit të Forcave të Armatosura në përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit dhe këtu gjej rastin për të falënderuar, jo vetëm forcat e batalionit te Xhenios por dhe ato të Kërkim Shpëtimit të KM, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti. Edhe pse operacioni vazhdon, Forcat e Armatosura nuk do të heqin dorë, nga angazhimi që ka në kuadrin e Aleancës, siç janë angazhimet në Afganistan, Letoni Mali, Kosovë e Sudanin e Jugut.

Në përfundim të fjalës së tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i uroi Kontingjentit VI EOD ta kryejnë misionin të suksesshëm dhe të kthehen shëndoshë e mirë pranë familjeve të tyre. 

Më tej ceremonia vazhdoi me dorëzimin e flamurit për Kontingjentin VI EOD, që niset në Letoni dhe u mbyll me një foto të përbashkët.

Në misionin e Prezencës së Përparuar të Përforcuar (enhanced Forward Presence - eFP) të NATO në Letoni do të marrin pjesë 21 efektivë EOD, të cilët do të zëvendësojnë Kontingjentin V, i cili pritet të kthehet këto ditë në atdhe.






Media Sociale



Moti