Libri Stërvitor i Forcave të Armatosura

Në parathënien e Librit Stërvitor të FA, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo shkruan:

Libri elektronik i programeve që vihet në shërbim të FA u përgatit nga KDS, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Operacioneve dhe Stërvitjes në SHPFA, komandat e forcave kryesore e të mbështetjes dhe do të shërbejë për të gjitha institucionet e arsimimit, të trajnimit dhe stërvitjes dhe qendrat e stërvitjes, për një përdorim të efektshëm dhe të shpejtë të të gjitha programeve, në interes të plotësimit cilësor të misionit përkatës nga çdo strukturë e Forcave tona të Armatosura.

Libri Stërvitor i Forcave të Armatosura është i organizuar në katër kapituj kryesorë; (1) Programet e stërvitjes individuale të ushtarit; (2) Arsimimi ushtarak profesional i nënoficerit; (3) Arsimimi dhe kualifikimi i oficerit dhe (4) Programet e stërvitjes së kompaktësimit në forcat kryesore dhe ato mbështetëse.

Programet e ushtarit, nënoficerit, oficerit dhe stërvitja kolektive kanë një kronologji lidhjeje nga niveli fillestar deri në nivelin përfundimtar të stërvitjeve, kurseve dhe trajnimeve, sipas niveleve bazuar në misionin e strukturave përkatëse. Programet e stërvitjes së ushtarit synojnë të përgatisin, të formojnë dhe të edukojnë individë të aftë për të vepruar në fushëbetejë, për të plotësuar detyrat e tyre individuale, në poste të ndryshme shërbimi në të gjitha specialitetet, si pjesë e një grupi, skuadre apo ekuipazhi të mjeteve detare, ajrore dhe tokësore.

Programet e arsimimit ushtarak profesional të nënoficerit kanë për qëllim përgatitjen e mëtejshme dhe konsolidimin e vazhdueshëm të përgatitjes së tyre profesionale dhe krijimin e piramidës paralele të hierarkisë, si një kontingjent i rëndësishëm që, në mënyrë të dukshme, ndikon në rritjen e nivelit operacional dhe stërvitor në FA. Në libër gjenden të gërshetuara programet e arsimimit të përgjithshëm për të gjitha nivelet e kurseve me programet e arsimimit sipas specialiteteve që zhvillohen pranë qendrave stërvitore të komandave të forcave dhe atyre mbështetëse.

Arsimimi, edukimi i oficerëve fillon me një proces rekrutimi të unifikuar gjithëpërfshirës dhe vijon me aplikimin e programeve, sipas hierarkisë së kurseve institucionale, duke zhvilluar kursin e titullimit oficer, vijimin e arsimimit në specialitete në nivelet taktike, togë dhe kompani, pranë komandave të forcave, si dhe me thellimin e arsimimit me zhvillimin e programeve në Akademinë e Forcave të Armatosura në nivelin batalion, brigadë e lart.

Programet e stërvitjes së kompaktësimit kanë një shtrirje që fillon nga kompaktësimi i veprimeve në nivel grupi, skuadre, toge, kompanie e batalioni, nëpërmjet stërvitjes në përmasa të vogla (nëngrup, grup, skuadër) e kalimit gradual në nivelet më të larta, stërvitje të përafërta me mjedisin luftarak dhe realizimi i testeve e standardeve të përcaktuara për çdo fazë stërvitjeje me specifikat që ka çdo force, me repartet dhe nënrepartet e veta, sipas misioneve dhe listës së detyrave themelore të tyre.

Ta shfrytëzojmë këtë potencial orientues programor për të harmonizuar punën ditore, javore, mujore dhe vjetore, për të përcaktuar dhe ripërcaktuar objektiva të qarta për stërvitjet që zhvillohen në strukturat e FA, duke u dhënë mundësi reale komandave dhe shtabeve të të gjitha niveleve,  për të vlerësuar programet aktuale që janë në përdorim, me qëllim sigurimin e një mbështetjeje reale të procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies si në institucionet arsimore, në qendrat stërvitore edhe në komandat e forcave kryesore dhe mbështetëse.

Libri Stërvitor i Forcave të Armatosura në formatin pdf







Media Sociale



Moti