
14 tetor 2016
Komandanti i KFOR gjeneralmajor Giovani Fungo, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, në kuadër të njohjes, por edhe diskutimeve për mbarëvajtjen dhe vazhdueshmërinë e Operacionit të NATO-s në Kosovë.
Takimin e parë në serinë e takimeve gjatë qëndrimit të tij njëditor në Tiranë, e pati me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo. “Personalisht dhe në emër të Forcave të Armatosura ju uroj për detyrën e re si dhe ju shpreh gatishmërinë se Forcat tona të Armatosura do të vazhdojnë të mbështesin KFOR në përmbushjen e angazhimeve të tij”– ju drejtua gjeneral Bazo në fillim të fjalës së tij të mirëseardhjes”.
Nga ana e tij, komandanti i KFOR, gjeneral Fungo pasi falënderoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Jeronim Bazo, për mikpritjen dhe për fjalët e mira thënë në adresë të KFOR, njohu bashkëbiseduesin me situatën më të fundit në Kosovë parë nën perspektivën e KFOR si dhe me angazhimin e vazhdueshëm të KFOR për një mjedis të sigurt dhe liri lëvizjeje si dhe marrjen e masave për të qenë të aftë t’i përgjigjen sfidave të ardhshme. Gjithashtu, ai vlerësoi kontributin e Shqipërisë në misionin KFOR dhe performancën e lartë të treguar nga ushtarakët shqiptarë.
Gjeneralmajor Fungo u prit në një takim të vecantë nga Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli , e cila pasi e ka uruar për detyrën e re,e cilësoi misionin KFOR, histori suksesi të NATO-s, prania e së cilës në Kosovë kontribon në paqen dhe sigurinë jo vetëm të Kosovës por të gjithë rajonit.