
27 tetor 2011
Për të dytin vit radhazi në vendin tonë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura si dhe Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me Klik Ekspo Group, kanë sjellë Ekspozitën Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë Rajonale Ministria e Mbrojtjes nga data 27-29 tetor 2011.
Qëllimi kryesor i kësaj ekspozite është prezantimi publik i të gjitha llojeve të armatimeve dhe mjeteve të rënda luftarake, deri pak kohësh elitë të ushtrisë shqiptare, ku çdo qytetar i thjeshtë vendas apo i huaj do të ketë mundësi që për tre ditë me radhë të njihet nga afër me këto armatime.
Ky armatim, deri dje i veshur me misterin e propagandës zyrtare dhe i ruajtur me fanatizëm nga syri i çdokujt, i ofrohet të gjithë shtresave të shoqërisë jo vetëm për t'u njohur drejtpërsëdrejti me to, por duke patur mundësinë edhe të përvetësojnë ndonjërën prej tyre.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite, ishte i pranishëm Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë z. Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, Zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Pone, Zv/ministri i Mbrojtjes, z. Ekrem Spahiu, Zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Zyber Dushku, drejtues Forcash, drejtorë Drejtorishë në MM dhe SHP, si dhe mjaft qytetarë të cilët ishin kureshtarë për të ndjekur nga afër këtë panair.
Në fjalën e tij përshëndetëse të mbajtur gjatë hapjes së ekspozitës që mban vulën e “ALMEX”, ministri i Mbrojtjes z. Imami, falenderoi në mënyrë të veçantë iniciuesin e këtij evenimenti mjaft të rëndësishëm për Forcat e Armatosura, presidentin e Klik Ekspo Group, z. Luan Muhametaj, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë, duke risjellë edhe këtë vit për të gjithë qytetarët shqiptarë një ekspozitë të një zhanri të veçantë për të gjithë.
Duke e cilësuar panairin për Mbrojtjen dhe Sigurinë Rajonale mjaft të rëndësishëm, Ministri i Mbrojtjes Imami u shpreh: “Ky panair synon të prezantoj Forcat e Armatosura Shqiptare, Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera të Sigurisë në vend, nën dritën e këtyre proceseve modernizuese, të avancimit të teknologjisë dhe të pritshmërive, përsa i takon Forcave tona të Armatosura, në funksion të Mbrojtjes dhe Sigurisë sa territoriale aq edhe kolektive. Organizimi i këtij panairi, përveçse një tregues i arritjeve dhe synimeve të të gjitha këtyre institucioneve, është një tregues i interesit të përbashkët që të gjitha industritë e mbrojtjes kanë në shërbim të forcimit të sigurisë”, u shpreh numri një i mbrojtjes shqiptare.
Duke falenderuar të gjitha kompanitë dhe bizneset e rëndësishme ndërkombëtare pjesëmarrëse në këtë panair, të cilët bën të mundur realizimin e tij duke prezantuar të gjitha mjetet e rënda dhe armatimet ushtarake që disponojnë, Ministri Imami nënvizoi: “Shqipëria ka nisur tashmë një proces mjaft të rëndësishëm i cili synon modernizimin e pajisjeve ushtarake, jo vetëm në fushën e mbrojtjes, por edhe në fusha të tjera të sigurisë, duke rritur kështu kapacitetet e saj si në përmbushjen e nevojave të shtetit shqiptar për mbrojtje, por edhe për t’u përfshirë në misionet paqeruajtëse në bashkëpunim edhe me aleatët”, përfundoi ministri i Mbrojtjes.
Ministri i Mbrojtjes, z. Imami dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Gjunkshi u vlerësuan nga organizatorët e aktivitetit “ALMEX” me titullin: “Shqiponja e Artë e Aktivitetit”, me motivacion: “Për mbështetje të çmuar të ‘ALMEX’ për kontributin e dhënë për zhvillimin dhe modernizimin e institucioneve të Mbrojtjes dhe Sigurisë”.
Forcat tona të Armatosura, në këto 20 vitet e fundit kanë ndërmarrë procese të konsolidueshme transformimi. Veçanërisht anëtarësimi në NATO, e ka përfshirë tani Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura në procese esenciale për sa i përket standardizimit dhe ndërveprueshmërisë. Duke synuar kështu, krijimin dhe fuqizimin e një force të vogël, por tërësisht profesioniste dhe të aftë për të vepruar në përmbushjen e misionit të saj kombëtarë e ndërkombëtarë brenda vitit 2018, një prej përparësive të zhvillimit të Forcave tona të Armatosura është rritja e aftësive ushtarake dhe ripërtëritja e mjeteve dhe pajisjeve luftarake.
FARSH, po bëhet krejtësisht pjesë integrale e Aleancës më të madhe të lirisë dhe sigurisë, madje e cilësuar e suksesshme dhe duke marrë vlerësimet maksimale të aleatëve dhe partnerëve të saj.
Panairi për Sigurinë dhe Mbrojtjen, është ideuar si një ngjarje kult që promovon një forcë të re, e cila aderon barazisht me aleatët e tjerë në NATO. Me anëtarësimin në Aleancë dhe përgatitjen për të kaluar pragun e BE, intensifikohen prirjet e Shqipërisë për t’u përfshirë me zë të plotë në çështjet e Mbrojtjes dhe Sigurisë ndërkombëtare. Një proces i gjatë përditësimi ka përfshirë strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, ndërkohë që me partnerët e investitorët e huaj, bashkëveprimi ka marrë tashmë udhë. ‘ALMEX 2011’ është një sipërmarrje që perifrazon përpjekjet e shtetit shqiptar për të standardizuar Forcat e Armatosura në unison me Konceptin e Ri Strategjik të NATO-s, por edhe një platformë e qartë e potencialit ushtarak shqiptar, si edhe nevojës emergjente për sofistikimin e teknologjisë në vend.