
27 tetor 2011
Lidhur me disa pamje filmike të shfaqura nga kanali televiziv i Top Channel-it, ju sqarojmë se:
Poligoni i Xibrakës, është një Poligon i miratuar për asgjesimin e baruteve.Në bazë të germës A, Neni 4/1, të Ligjit Nr. 10293, datë 01.07.2011 “Për disa shtesa në Ligjin me Nr. 10017, datë 13.11.2008 “ Për përcaktimin e Poligoneve të Asgjësimit të Municioneve të FA të RSH”.
Aktualisht ky poligon përdoret për asgjësimin e baruteve, sipas një plani të miratuar nga Ministri i Mbrojtjes.
Ju bëjmë me dije se: Efektivi civil që është shfaqur në pamjet filmike është pjesë e strukturës së Qendrës së Asgjësimit të Municioneve të Brigadës Logjistike që nga viti 2009 dhe janë në mbështetje të procesit të asgjësimit të baruteve.
Ky personel që asiston në asgjësimin e municioneve (baruteve), është i trajnuar për kryerjen e proceseve të punës mbështetëse si ngarkim-shkarkim dhe ç’ambalazhim dhe nuk kryen operacione kryesore, por vetëm procese ndihmëse.
Nënproduktet e përfituara nga ky asgjësim (gëzhojat boshe), janë nën administrim të Forcave të Armatosura dhe menaxhohen sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi të Republikës së Shqipërisë dhe urdhrave dhe udhëzimeve të Ministrit të Mbrojtjes të nxjerra për këtë qëllim.
Ju sqarojmë se përsa i përket makinës së shfaqur në filmim, e cila nga media është cilësuar “me targa kosovare”, është në pronësi të një prej efektivave civil dhe vendndodhja e saj ka qenë jashtë perimetrit të Poligonit të Asgjësimit të Municioneve.
Ju bëjmë me dije gjithashtu se:
Asgjësimi i Municioneve të tepërta të Forcave të Armatosura bëhet në poligonet e miratuara me Ligjin Nr.10017, datë 13.11.2008 “ Për përcaktimin e Poligoneve të Asgjësimit të Municioneve të FA të RSH”, Ligjit Nr. 10293, datë 01.07.2011 “Për disa shtesa në Ligjin me Nr. 10017, datë 13.11.2008 “ Për përcaktimin e Poligoneve të Asgjësimit të Municioneve të FA të RSH”, dhe Udhëzimit të përbashkët të 6 Ministrive ( Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Mjedisit Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministria e Punëve Publike dhe Transportit).
Distancat e sigurisë në të gjitha poligonet janë në përputhje me standardet e asgjësimit të municioneve. Për çdo poligon është përgatitur një dosje e plotë me gjitha të dhënat dhe bazën ligjore dhe administrative, mbi bazën e të cilave kryhet asgjësimi i municioneve.
Konkretisht, Poligoni i Xibrakës, ndodhet në Komunën Labinot, Mal, pranë fshatit Xibrakë Elbasan.
Distanca nga Qyteti i Elbasanit është 9 km.
Distanca nga linja hekurudhore Elbasan-Librazhd është 0.5 km.
Sipërfaqja e vatrës së asgjësimit është 100m2.
Sipërfaqja e sigurimit të Poligonit të Asgjësimit është 500m.
Lartësia mbi nivelin e detit 165 m.
Terreni në sipërfaqen e poligonit është ranor.
Kapaciteti asgjësues për një djegie ose vatër djegie është deri në 500kg.
Në ditën që është shfaqur pamja filmike nga kanali televiziv i Top Channel-it, Forcat e Armatosura kanë asgjësuar 220 kg barut, që do të thotë që është shfrytëzuar rreth 45% e kapacitetit të lejuar sipas standardeve të sigurisë.
Poligoni i Xibrakës është një poligon i miratuar në ligj dhe është brenda standardeve të sigurisë për një poligon të asgjësimit të baruteve.
Për saktësime të mëtejshme Ju lutemi mbështetuni në bazën ligjore përkatëse.
Organet e qeverisë vendore , janë të njoftuara përpara zhvillimit të asgjësimit të tyre se në territorin ku shtrihet poligoni, do të zhvillohet procesi i asgjësimit të municioneve sipas standarteve të sigurisë.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura bashkëpunojnë me organet e qeverisë vendore edhe gjatë kohës së kryerjes së procesit të asgjësimit të municioneve, me qëllim shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme dhe zbatimin e rregullave të sigurisë gjatë këtij procesi.