Gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, viziton ekuipazhin e anijes operacionale turke “TCG “Barbarosa”

22 tetor 2011

Shefi i Shtabit të Përgjithsahëm, Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, ka vizituar ditën e premte ekuipazhin e anijes ushtarake të Forcave të Armatosura turke TCG “Barbarosa”, e cila prej dy ditësh gjendet në vendin tonë për të kryer operacionin e kërkim-shpëtimit të marinarëve që humbën jetën gjatë aksidentit tragjik që ndodhi ditën e enjte, 20 milje larg portit të Durrësit.
I shoqëruar nga Atasheu Ushtarak turk i akredituar në Shqipëri, kolonel Zafer Ugur, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Gjunkshi, është takuar me kapitenin dhe ekuipazhin e anijes luftarake turke TCG “Barbarosa”, me të cilët ka shkëmbyer mendime lidhur me mënyrën se si do të procedohet për operacionin e gjetjes së trupave të 8 marinarëve të humbur.

Duke shprehur keqardhjen e tij për marinarët e zhdukur, Gjeneral Gjunkshi, ritheksoi edhe një herë gatishmërinë që kanë Forcat e Armatosura Shqiptare, për gjetjen e tyre sa më parë të jetë e mundur. “Shpreh keqardhjen time personale, por edhe të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Mbrojtjes dhe dikasterit që unë drejtoj, për këtë tragjedi që tronditi jo vetëm Turqinë, por edhe vendin tonë. Ndihem i shokuar nga kjo ngjarje e hidhur dhe tronditëse, por uroj që trupat e humbur të marinarëve të anijes tregtare “Reina 1”, të gjenden sa më parë të jetë e mundur, pasi për të gjithë ne kjo është parësore. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë ndihmën dhe mbështetjen tonë, qoftë me mjete logjistike, po kështu edhe me Forca Speciale, në mënyrë që operacioni i nisur për gjetjen e më pas nxjerrjen e trupave të humbur të përfundoj sa më parë”.

Nga ana e tij, Atasheu turk në Shqipëri, kolonel Zafer Ugur, falënderoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, për gatishmërinë që FA kanë treguar që në momentet e para kur ndodhi ngjarja, duke thënë se kjo gatishmëri tregon jo vetëm ndjenjën njerëzore që karakterizon shqiptarët në momente të tilla, por njëkohësisht dëshmon më së miri miqësinë që ekziston mes dy vendeve tona mike. “Në emër të shtetit tim dhe Forcave të Armatosura Turke, ne ju falenderojmë përzemërsisht, për gatishmërinë që FA Shqiptare treguan dhe po vazhdojnë të tregojnë edhe sot, duke na ofruar të gjithë ndihmën e mundshme, për gjetjen e trupave të marinarëve të anijes “Reina 1”. Ne ju jemi me të vërtetë mirënjohës që kjo ndjenjë vëllazërore që na ka lidhur prej vitesh, vazhdon të përforcohet çdo ditë e më shumë. Urojmë që trupat e marinarëve të humbur t’i gjejmë sa më parë dhe që fatkeqësi të tilla të mos përsëriten më”, nënvizoi gjatë takimit Atasheu Ushtarak turk, kolonel Ugur.
Më pas, Gjeneral Gjunkshi, është njohur nga afër me ekuipazhin e anijes, si dhe me të gjitha aparaturat dhe kapacitetin që anija luftarake turke ka.

Anija ushtarake turke TCG “Barbarosa”, e cila ka prekur ujërat e detit Adriatik mëngjesin e ditës së premte, është e destinuar për të realizuar në det të hapur kërkime të karakterit të vështirë. Ajo është e pajisur me aparatura moderne të kërkimit në sipërfaqe, por edhe në thellësi të detit. Anija ushtarake e Forcave të Armatosura turke TCG “Barbarosa”, ka një gjatësi prej afro 110 m dhe është e pajisur me teknologji mjaft moderne, e cila mundëson kërkime në brendësi të ujërave detare. Në bordin e anijes ndodhet një ekuipazh prej gati  20 marinarë ushtarak të mirëstërvitur, të kualifikuar dhe të certifikuar për operacionet e kërkim-shpëtimit në det. Po kështu, në bordin e saj ndodhet edhe një robot, i cili shërben për të eksploruar thellësinë e detit, si dhe reliket që gjenden në tabanin e tij.
Qëllimi i mbërritjes së anijes ushtarake turke, është kërkimi i trupave të marinarëve civilë të mbytur tre ditë më parë, 20 milje larg portit të Durrësit, pas tragjedisë ku anija tregtare turke “Reina 1” u përplas me tragetin “Ankara” të linjës Durrës-Bari.

Operacioni për kërkimin e marinarëve fillimisht është përqendruar në vendin ku ndodhi tragjedia dhe ku mendohet të jetë anija e mbytur, duke përcaktuar në këtë mënyrë edhe thellësinë e detit. Ai është kryer në koordinatat ф 4140 Veri dhe λ 1857 Lindje, në një rajon detar rreth 30-40 milje katror. Në bazë të të dhënave që do të nxirren nga këto kërkime më pas do të vendoset edhe se si do të ndërhyhet për të nxjerrë nga fundi i detit marinarët e zhdukur. Në ndihmë të anijes turke është vënë anija e Flotës sonë Detare P-131 “Iliria”, anija A-01 dhe anija R-215. Po kështu, në dispozicion të operacionit për kërkim-shpëtimin e marinarëve të zhdukur, është vënë edhe helikopteri BO-105 i Forcave tona Ajrore.






Media Sociale



Moti