Gjeneral brigade Xhemal GJUNKSHI, mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandantit të DIE

21 tetor 2011

Pranë Auditoriumit në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (TRADOC), u zhvillua sot ceremonia e ndërrimit të Komandës, ndërmjet Kol.Diego REGALi (Komandanti që përfundon Detyrën) dhe Kapiten i Rangut të Parë Massimo PELLEGRINI ( Komandanti që merr Detyrën). Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, Zv.Ministre e Mbrojtjes, Zj. Zana Xhuka, Ambasadori italian Saba D’ELIA, Zv/shefi i Departamentit të Operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes italiane, Kondra Admiral Paulo SANDALLI, si dhe të ftuar të tjerë.

Fjalën e hapjes në këtë ceremoni e mbajti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, ku ndër të tjera theksoi: "Është kënaqësi e veçantë për mua si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA të Republikës së Shqipërisë, të jem i pranishëm dhe të përshëndes në këtë ceremoni të thjeshtë por mjaft kuptimplote, që organizohet me rastin e ndërrimit të Komandantit të Delegacionit Italian të Ekspertëve në Shqipëri, Kolonel Diego REGALI me Kapitenin e  Rangut të Parë Massimo PELLEGRINI.
Duke përfituar nga ky rast, dëshiroj të përsëris vlerësimet e mija për punën që ka bërë dhe vazhdon të bëjë Delegacioni Italian i Ekspertëve në Shqipëri në kuadër të ndihmës e bashkëpunimit me  Forcat tona të Armatosura.
Ky është një kontribut i çmuar që vazhdon të forcojë marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve  dhe popujve tanë miq.

Gjatë periudhës kur Kolonel REGALI ka drejtuar Delegacionin Italian të Ekspertëve, janë ralizuar projekte të shumta cilësore, ndërmjet të cilave, më lejoni të përmend disa prej tyre. 
Fillimisht do të dëshiroj të përmend kontributin dhe angazhimin për ndërtimin e kësaj salle të mrekullueshme ku jemi mbledhur sot për të zhvilluar këtë ceremoni.
Do të vazhdoj me projektin e zhvilluar me Forcat Tokësore në kuadër të krijimit të një “batle group”, i cili është angazhuar më pas me sukses në Afganistan.

Projekte të tjera të rëndësishme për ne janë zhvillimi i infrastrukturës në bazën Ajrore të Farkës në kuadër të modernizimit të Forcave Ajrore, ndërtimi i Farit në Sarandë në kuadër të Forcave Detare, si dhe kontributin e dhënë në drejtim të zhvillimit profesional të Policisë Ushtarake.
Në përshëndetjen time, nuk mund të lija pa përmendur faktin se, krahas bashkëpunimit zyrtar, me Kolonel Diego REGALI më lidh një miqësi e veçantë personale. Kam patur rastin që, të ndajmë bashkë 3 muaj studime dhe punë intensive në Kursin e Lartë të Sigurisë në Akademinë tonë të Mbrojtjes. Më kanë lënë mbresa të veçanta profesionalizmi i tij, dashuria dhe respekti për kolegët, për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Personalisht do të vazhdoj ta ruaj këtë miqësi si një gjë të çmuar.

Me përfundimin e misionit të tij në Shqipëri, i uroj Diegos një kthim të lumtur në familje dhe në atdheun e tij të dashur, sukese të mëtejshme në karrierë dhe në jetë, dhe e falenderoj edhe një herë, për angazhimin e treguar gjatë tre viteve intensive të detyrës së tij në Shqipëri”.
Më pas Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi duke e uruar Kapiten i Rangut të Parë  Massimo PELLEGRINI, për marrjen e Komandës së Delegacionit Italian të Ekspertëve, në Shqipëri, shprehu sigurinë që Kapiten i Rangut të Parë Massimo PELLEGRINI, do të vazhdojë të përmbushë me po aq përkushtim të gjitha objektivat e rëndësishme të bashkëpunimit mes FA të RSH dhe Delegacionit Italian të Ekspertëve, duke vënë theksin se:” Tek unë si Shef i Shtabit të Përgjithshëm por edhe tek të gjitha strukturat e FA ju do të gjeni gjithnjë derën e hapur të bashkëpunimit.

Ju uroj mbarësi dhe suksese në punën tuaj!”

Nga ana e tij Kolonel Diego REGALI, pasi përshëndeti të ftuarit në këtë ceremoni, nuk e fshehu që po largohej me njëfarë trishtimi në zemër sic e theksoi ai vetë nga “nga vendi i shqiponjave”, duke u shprehur se : “ Këtu po lë miq e të njohur që më kanë mbështetur vazhdimisht në punën time, duke e cuar në një rritje të kapaciteteve në dhënien e kontributit për sigurinë ndërkombëtare”.

Në përfundim të mandatit të tij tre vjeçar në vendin tonë, Shefi i Delegacionit Italian të Ekspertëve (DIE), Kolonel Diego Regali, është nderuar sot nga Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Z. Arben Imami me medaljen “Për shërbime të shquara” me motivacion: “Për kontributin e dhënë në mbështetje të modernizimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Medalja e akorduar iu dorëzua nga Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Znj. Zana Xhuka.

Në fjalën përshëndetëse Zv/ministre e Mbrojtjes Zj. Zana Xhuka vlerësoi kontributin që ka dhënë Shefi i Delegacionit Italian të Ekspertëve, Kolonel REGALI, në Forcat e Armatosura shqiptare në kuadrin e misioneve operacionale ndërkombëtare, ku ndër të tjera vuri theksin se :” Forcat e Armatosura shqiptare janë sot pjesë e NATO-s dhe janë të kuadruara plotësisht në kuadrin e misioneve operacionale ndërkombëtare vecanërisht falë kontributit të dhënë nga Italia dhe nga DIE, nëpërmjet Shefit të Delegacionit Italian të Ekspertëve, që i ndoqi me kujdes të gjithë problematikat që lidhen me zhvillimin e FA shqiptare duke na nxitur edhe më shumë e duke i dhënë një kontribut të jashtëzakonshëmatdheut tonë.
Falenderoj Kolonel RERGALIN për angazhimin e treguar gjatë drejtimit të Komandës së DIA-s, si dhe i uroj mirëseardhjen dhe punë të mbarë komandantit që merr detyrën, Kapiten i Rangut të Parë Massimo PELLEGRINI”.

Bashkëpunimi i Delegacionit Italian të Ekspertëve me Forcat e Armatosura Shqiptare është shtrirë në të gjithë sektorët e Mbrojtjes, nga formimi i personelit, në kompletimin/pajisjen e njësive, nga ristrukturimi dhe realizimi i infrastrukturës deri në dhënien e mjeteve dhe materialeve në kuadër të Forcave Tokësore, Detare si dhe të Forcave Ajrore dhe të Policisë Ushtarake.






Media Sociale



Moti