Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Jeronim Bazo, vizitë zyrtare në Greqi

30 shtator 2014


Nga data 29 shtator, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Greqi. Kjo vizitë është vijim i bashkëpunimit ushtarak në rritje ndërmjet dy vendeve sidomos në fushën e arsimim-edukimit, stërvitjeve të përbashkëta dhe pjesëmarrjes në iniciativat rajonale si “Iniciativa e shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Ballkanit”, SEDM, SEEBRIG, etj.

Gjatë kësaj vizite, shefi i Shtabit të Përgjithshëm zhvilloi takime me ministren Plotësuese të Mbrojtjes të Greqisë, znj. Fofi Gennimata, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA të Greqisë, gjeneral Mikhail Kostarakos dhe takime në Akademinë e Forcave Tokësore të Greqisë. Gjatë takimeve u vlerësua bashkëpunimi ushtarak midis dy vendeve dhe rritja e këtij bashkëpunimi në të ardhmen, si edhe u vlerësua roli i Greqisë për mbështetjen e dhënë gjatë rrugëtimit drejt NATO. 

Gjatë takimit gjeneral Kostarakos ka theksuar gatishmërinë për mbështetjen e Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Ju mbështesim në rrugën tuaj drejt së ardhmes, pasi është receta më e mirë për stabilitetin në rajon dhe më gjerë”. Më tej, gjeneral Kostarakos u shpreh se dy kombet tona kanë jetuar së bashku për mijëra vite, që prej fillimit të historisë njerëzore. Ata nuk erdhën prej ndokund dhe nuk përzunë ndokënd. Kemi ndarë të njëjtin fat së bashku përgjatë historisë, kemi vuajtur së bashku, kemi gëzuar së bashku dhe kemi luftuar së bashku, por asnjëherë kundër njëri-tjetrit”.

Nga ana e tij gjeneral Bazo pasi vlerësoi bashkëpunimin ushtarak të dy vendeve dhe mbështetjen e dhënë për anëtarësimin në BE,  theksoi se “Fakti që jemi këtu ku jemi përgjatë historisë tregon se ne dimë të jetojmë së bashku”. Greqia përveç të tjerave ka qenë një mbështetëse e fuqishme në fushën e arsimimit dhe edukimit ushtarak.
Gjatë takimit, gjeneral Kostarakos dhe gjeneral Bazo kanë vënë theksin në rëndësinë e stërvitjeve të përbashkëta, sidomos në kuadër të NATO dhe iniciativave rajonale duke nënvizuar faktin  se sa më shumë stërvitemi së bashku aq më i qartë është mesazhi që ne japim në fushën e bashkëpunimit ushtarak dhe për rrjedhojë edhe në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

Vizita zyrtare e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Jeronim Bazo dhe delegacionit që e shoqëronte në Greqi është përmbyllur me takimin me studentët shqiptarë që studiojnë pranë Akademisë së Forcave Tokësore greke.






Media Sociale



Moti