Tirana mirëpret konferencën rajonale “Antikorrupsioni”

23 shtator 2014

Në sallën e auditoriumit në  Ministrinë e Mbrojtjes, u zhvillua sot konferenca rajonale me fokus luftën kundër korrupsionit me titull “Countering–Corruption–Effectiveness through Interagency and Multi-Sectorial Approaches”, e organizuar nga Qendra e Studimeve Europiane “Marshall Center”. Qëllimi i kësaj konference ishte diskutimi mbi luftën kundër korrupsionit dhe efektiviteti ndërinstitucional kundrejt këtij fenomeni.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm: kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Alexander Arvizu, ambasadori i Gjermanisë, z. Hellmut Hoffmann si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli e ka konsideruar tepër delikate dhe sfiduese për çdo shoqëri temën që trajton kjo konferencë, dhe ka theksuar se lufta kundër korrupsionit ka qenë kryefjala e të gjithë takimeve të para si ministre e Mbrojtjes me homologë, personalitete dhe zyrtarë të lartë të vendeve aleate dhe partnere. Për ministren e Mbrojtjes, rezultatet në luftën kundër korrupsionit kanë kohë që kanë thënë fjalën e tyre, megjithatë, ajo dha garancinë se kjo luftë do të vazhdojë dhe koha e të paprekshmëve ka ikur njëherë e përgjithmonë. Në zbatim të objektivave kryesorë të Planit të Veprimit të qeverisë për luftën kundër korrupsionit, Ministria e Mbrojtjes ka krijuar njësinë antikorrupsion, pranë Drejtorisë të Inspektimit të Përgjithshëm dhe Antikorrupsionit në Ministrinë e Mbrojtjes. “Unë jam e sigurtë, se në një kohë delikate për sigurinë në zonën Euro-Atlantike, përdorimi efikas i burimeve të mbrojtjes mbart një domethënie të madhe”, nënvizoi znj. Kodheli. 

Konferenca rajonale “Antikorrupsioni”, është përshëndetur nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili ndër të tjera u shpreh se: “Pa asnjë dyshim reforma në drejtësi është reforma e modernizimit që rezultatet konkrete do të dojë kohë për t’i sjellë për qytetarin e zakonshëm që duhet të trokasë në dyert e drejtësisë. Ndërkohë që afrimi në kohë i rezultateve lidhet në mënyrë të drejtëpërdrejtë me ndëshkimin e të gjithë atyre njerëzve të drejtësisë që çekiçin e gjykatësit e përdorin për të shkelur liri dhe të drejta njerëzish të pafuqishëm”. 

Gjithashtu konferencën e kanë përshëndetur dhe ambasadori amerikan, z. Alexander Arvizu dhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, z. Hellmut Hoffmann.






Media Sociale



Moti