Komandanti i KFOR, gjeneralmajor Francesco Figliuolo, viziton vendin tonë

23 shtator 2014

Sot paradite, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Jeronim Bazo, priti në një takim zyrtar komandantin e ri të KFOR, gjeneralmajor Francesco Figliuolo dhe delegacionin që e shoqëronte. Vizita, e cila është në kuadër të prezantimit si komandanti ri i KFOR  në vendet e rajonit të Ballkanit, ka si synim mbarëvajtjen dhe vazhdueshmërinë e operacionit të NATO në Kosovë si dhe njohjen me progresin e reformave në Forcat e Armatosura shqiptare dhe evidentimin e bashkëpunimit midis KFOR dhe Forcave të Armatosura shqiptare.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, uroi gjeneralmajor Francesco Figliuolo për pozicionin e ri si komandant i KFOR, dhe e falënderoi që zgjodhi Shqipërinë si ndalesë të parë, bëri një panoramë të përgjithshme të zhvillimeve kryesore të Forcave të Armatosura Shqiptare. Gjatë takimit u bisedua mbi situatën e sigurisë në Kosovë, të reformave në FA të RSH, si dhe u vlerësua kontributi i FA në operacionet ndërkombëtare dhe veçanërisht në Kosovë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo vlerësoi kontributin e KFOR në ruajtjen dhe përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, duke u shprehur se Shqipëria mbështet fuqishëm misionin e KFOR në Kosovë.

Nga ana e tij, gjeneralmajor Francesco Figliuolo, duke e konsideruar KFOR si një mjedis shumëdimensional në çdo pikëpamje dhe më së pari për prezencën e 31 shteteve, 23 prej të cilave anëtare të NATO, vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura Shqiptare si tepër domethënës, shprehu vlerësime tepër pozitive për aftësitë e personelit të angazhuar në KFOR dhe ndau të njëjtin vlerësim për situatën në rajon e sidomos në Kosovë, si dhe vlerësoi bashkëpunimin në të ardhmen.

Komandanti i KFOR, gjeneralmajor Francesco Figliuolo u prit në një takim të veçantë nga ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli.






Media Sociale



Moti