
10 qershor 2013
Sot paradite nën drejtimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, u zhvillua analiza mbi aktivitetin e Shtabit të Përgjithshëm për muajin maj 2013, me pjesëmarrjen e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Viktor Berdo dhe drejtorëve të drejtorive në SHPFA.
Analiza u fokusua në punën e bërë për planifikimin, arsimimin dhe kualifikimin e personelit, çështjet e sigurisë, realizimi i stërvitjeve individuale dhe kolektive të FA sipas standardeve të NATO-s, si dhe detyrat dhe rekomandimet për të ardhmen.
09 qershor 2013
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, në lidhje me deklarimet e bëra në disa media të caktuara, për përdorimin e një helikopteri ushtarak jashtë detyrave dhe misionit, sqaron mbarë opinionin publik se, fluturimi i datës 10 mars 2013, ka qenë veprim abuziv dhe individual i Kolonel Sokol Çunaj, ish-Komandant i Bazës Ajrore të Helikopterëve në Farkë. Mbi bazën e shkeljes së konstatuar, Komandanti i Forcës Ajrore pezulloi nga fluturimi pilotin Sokol Çunaj, ndërsa më pas, me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Ministri i Mbrojtjes e liroi nga detyra si Komandant i Bazës Ajrore së Helikopterëve. Sigurojmë se Shtabi i Përgjithshëm dhe të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura, zbatojnë vetëm detyrat që rrjedhin nga misioni i tyre kushtetues, ato janë në shërbim të lirisë dhe të vlerave më sublime të Popullit Shqiptar!
06 qershor 2013
Sot paradite, rreth orës 10:00, Qendra e Bashkuar Operacionale ka marrë një sinjal ndihme (SOS) nga RCC Bari, nëpërmjet të cilit njoftohej se një anije transporti me flamur turk, kërkonte ndihmë si pasojë e një avarie, rreth 14 milje larg bregdetit shqiptar.
Menjëherë u njoftuan Qendra Ndërinstitucionale Operacioanle Detare dhe Forca Detare, të cilat urdhëruan daljen në det të anijes së gatshme A-01 (Archangel) nga Baza Detare e Pasha-Limanit. Pas arritjes në destinacion, Komandanti i A-01, raportoi se u bë i mundur riparimi i defektit teknik në anijen me flamur turk. Më pas anija ka vazhduar lundrimin normalisht dhe pritet të ankorohet në Portin Detar, Durrës rreth orës 14.00.
06 qershor 2013
Ka përfunduar sot, stërvitja e përbashkët “JOINT REACTION 13”, në kuadër të iniciativës rajonale të Kartës së Adriatikut (A-5) me pjesëmarrjen e forcave ushtarake të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Gjithashtu në stërvitje morën pjesë edhe trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjatë katër ditëve të zhvillimit të stërvitjes u kryen për zgjidhjen e situatave operacionale për kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit në det dhe në tokë, në terren të thyer malor për dhënien e ndihmës së parë në incidente dhe fatkeqësi natyrore që mund të ndodhin në situata reale.
05 qershor 2013
Vijon të zhvillohet me sukses edicioni i parë i Festivalit të Formacioneve Muzikore Ushtarake të vendeve të NATO, për rajonin Mesdheut. Në ditën e dytë të këtij evenimenti kulturor, më datë 04 qershor 2013, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, i shoqëruar nga bashkëshortja, znj. Teuta Gjunkshi, ka ndjekur interpretimin e formacionit muzikor të Xhandarmërisë Turke, në sallën kryesore të QKMBM.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë gjithashtu zëvendësministrja e Mbrojtjes, znj. Arta Musaraj, ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë, z. Hasan Asan, atasheu ushtarak turk, kolonel Nizametin Dogan, ushtarakë dhe familjarë të tyre, etj.
4 qershor 2013
Nga data 3-6 qershor 2013, në Tiranë po zhvillohet “Festivali i Formacioneve Muzikore Ushtarake të vendeve të NATO, të rajonit të Mesdheut” , edicioni i parë, ku marrin pjesë Formacione Muzikore Ushtarake të Shqipërisë, Greqisë, dhe Turqisë. Republika e Kosovës merr pjesë me formacionin e saj muzikor ushtarak për të përshëndetur festivalin.
Paraditen e sotme, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FARSH, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi në ambientet e Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, u takua me pjesëmarrësit e festivalit të Formacioneve Ushtarake të Shqipërisë, Greqisë, Turqisë dhe Republikës së Kosovës.