Deklaratë për shtyp

20 qershor 2013

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka detyrimin ligjor të sqarojë opinionin publik në lidhje me deklarimet e bëra në një medie të përditshme më datën 20.06.2013, nga gjeneral brigade në lirim Abaz Lleshi. Në intervistën e tij, ai pretendon “...për përdorimin e strukturave të FA jashtë detyrave apo misionit”, “përdorimin politik të FA për interesa politike të ditës”, “rrezikimin e misioneve me jo profesionistë”, apo “masakrimin e 6-të gjeneralëve, nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA”. Shtabi i Përgjithshëm sqaron opinionin publik se, deklarime të tilla janë të pavërteta, abuzive, ato tregojnë mosnjohjen apo interpretimin keqdashës të dispozitave ligjore në fuqi që rregullojnë karrierën e ushtarakëve në tërësi e në këtë kuadër edhe atë të ushtarakëve me grada madhore (gjeneralëve).

Gradimi, emërimi dhe lirimi nga detyra i ushtarakëve me grada madhore është kompetencë ligjore e autoriteteve civile të komandimit e të drejtimit të FA, çka është një parim kushtetues i të gjithë vendeve të NATO-s dhe vendeve me demokraci të zhvilluar. Përsa i përket përzgjedhjes së trupave tona që dërgohen në misione jashtë vendit, dëshirojmë të informojmë se, kjo përzgjedhje kalon përmes procedurave tërësisht transparente, dhe në thelbin e tij është një proces bashkëpunues dhe vlerësues, deri në çertifikimim përfundimtar për pjesëmarrje në mision. Në të marrin pjesë disa faktorë e aktorë, ku roli vendimtar i takon individëve të cilët duhet të plotësojnë në mënyrën optimale standardet e parashikuara për çdo lloj operacioni.

Përgjigja më e mirë ndaj akuzave për këtë çështje është profesionalizmi dhe performanca e këtyre djemve dhe vajzave në misione të vlerësuar nga autoritetet më të larta politike dhe ushtarake të mjaft vendeve aleate dhe mike si ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë. Dëshirojmë edhe njëherë të theksojmë si dhe të sigurojmë opinionin publik se Shtabi i Përgjithshëm dhe të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura, zbatojnë vetëm ligjin dhe detyrimet që lidhen me misionin e tyre kushtetues. Forcat e Armatosura kanë qenë, janë dhe do mbeten në shërbim të interesave madhore të Shqipërisë, ato do të vazhdojnë ashtu si deri më sot të jenë në shërbim të qytetarëve shqiptarë por edhe të Aleancës duke zbatuar me konsekuencë vetëm kushtetutën dhe ligjet e vendit.






Media Sociale



Moti