SHSHPFA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi vizitoi trupat pjesëmarrëse në stërvitjen e përbashkët shqiptaro-britanike “Black Eagle 2013”

18 qershor 2013

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi ka inspektuar sot trupat pjesëmarrëse në stërvitjen e përbashkët “Black Eagle 2013”, të efektivave të Batalionit të Forcave Speciale me trupat komando të Britanisë së Madhe. Gjatë kësaj vizite, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi shoqërohej nga z. Stephen Hickling, zëvendësambasadori i Britanisë së Madhe në vendin tonë, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, komandanti i Batalionit të Forcave Speciale, kolonel Dritan Demiraj, etj.
Stërvitja komplekse “Black Eagle 2013”, që është duke u zhvilluar në vendin tonë në periudhën 01-24 qershor 2013, ndërmjet forcave speciale të FARSH dhe komandove britanike, ka për qëllim trajnimin e përbashkët të efektivave për detyra speciale, të tilla si operacione në zona të banuara, qitje në kushte të veçanta, alpinizëm, etj.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ka vlerësuar maksimalisht stërvitjen e përbashkët me trupat britanike, si një element i rëndësishëm i përgatitjes së trupave tona speciale të cilat veprojnë me sukses në misione paqeruajtëse në Afganistan. “Kjo stërvitje e përbashkët është një tregues domethënës i nivelit të lartë të bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve tona në fushën e mbrojtjes. Vlerësoj maksimalisht angazhimin e personelit të ambasadës së Britanisë së Madhe në vendin tonë, për të zgjeruar më tej bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve tona në fushën e mbrojtjes, tashmë si vende partnere dhe aleate që ndajnë të njëjtat vlera. Për ju kjo stërvitje shënon një ngjarje të veçantë, pasi jo vetëm që pasuroni dhe ndani eksperiencat profesionale, por edhe vendosni marrëdhënie miqësie dhe bashkëpunimi, të cilat do t’ju shoqërojnë gjithë jetën. Ne jemi anëtarë të një familje të madhe, familjes Euroatlantike, ndaj kemi për detyrë që të punojmë së bashku për t’ju përgjigjur sfidave të përbashkëta që do të ofrojë e ardhmja”, - ka vlerësuar në fjalën e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi.

Efektivat pjesëmarrëse në stërvitje i ka përshëndetur dhe zëvendësambasadori i Britanisë së Madhe në vendin tonë, z. Stephen Hickling, i cili ka falënderuar gjeneral Gjunkshin për mikpritjen dhe vënien në dispozicion të ambienteve të njësive elitare të Forcave të Armatosura Shqiptare. Z. Hickling siguroi gjeneral Gjunkshin se ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen dhe është konkretizuar edhe në planin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet të dy vendeve tona.






Media Sociale



Moti