
29 prill 2010
Në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua ceremonia e pritjes së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Anders Fogh Rasmussen, i cili ndodhej për një vizitë zyrtare njëditore në vendin tonë. Sekretari Rasmussen dhe delegacioni që e shoqëronte, u pritën nga Ministri i Mbrojtjes, Z. Arben Imami.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, Zv/Ministri i Mbrojtjes, Z. Arian Starova, si dhe anëtarë të tjerë të delegacioneve përkatëse.
Ministri i Mbrojtes, Z. Arben Imami, falenderoi Z. Rasmussen për vizitën e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe nëpërmjet Tij përcoi falenderime të veçanta për të gjithë vendet anëtare të Aleancës dhe ato partnere, për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit.
Sekretari Rasmussen, u njoh nga ministri Imami, me zhvillimet më të fundit të FA të Republikës së Shqipërisë, duke e vënë theksin në objektivin më madhor të saj, atë të kthimit në një ushtri profesioniste, si dhe e informoi Z. Rasmussen me transformimin e strukturës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, në një strukturë të integruar, e cila do t’i bëjë Forcat e Armatosura akoma më të ndërveprueshme.
Nga ana e Tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Z. Rasmussen, vlerësoi vendosmërinë dhe përkushtimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, për të arritur objektivat dhe standartet, sipas koncepteve të NATO-s.
Z. Rasmussen, nënvizoi me tone pozitive kontributin e trupave tona ushtarake, sidomos në Afganistan, në kuadër të bashkëpunimit dhe angazhimit të Shqipërisë për paqe në Aleancë.
Në fund të vizitës së Tij në Ministrinë e Mbrojtes, Z. Rasmussen la shënime në Librin e Përshtypjeve të këtij institucioni.