SHSHPFA, Gjeneral Brigade Maksim Malaj pret Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Lejtënant Markus BENTLER

22 prill 2010

Dje, Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Lejtënant Markus Bentler, me ftesë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, mbërriti për një vizitë zyrtare një ditore në vendin tonë. Për nder të Gjeneral Lejtënant Bentler dhe delegacionit që e shoqëronte, në ambjentet e Ministrisë së Mbrojtjes u organizua ceremonia zyrtare e mirëseardhjes.
Në takimin e zhvilluar, Gjeneral Malaj i uroi komandantit të KFOR-it mirëseardhjen dhe tha se ndjehet i nderuar për këtë vizitë të Tij në Shqipëri. Gjeneral Malaj e njohu komandantin e KFOR-it, me zhvillimet e fundit të transformimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura, me objektivat madhorë si: objektivi i kthimit në një ushtri tërësisht profesioniste deri në fund të vitit 2010, demontimi dhe asgjësimi i municioneve të vjetra, rritja e angazhimit të FA të RSH në kontributin paqeruajtës në Afganistan, Cad, Bosnjë,jo vetëm në sasi por dhe për sa i përket nivelit të ambicies, përfshirë edhe rritjen e angazhimit në kuadër të KFOR-it.

Gjithashtu, Gjeneral Malaj vlerësoi rolin e KFOR-it në drejtim të sigurisë e stabilitetit jo vetëm në Kosovë, por dhe më gjërë në rajon.
Nga ana e tij, Gjeneral Lejtënant Markus Bentler, u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për këtë vizitë një ditore në Shqipëri. Pasi dha një pamoramë për punën e KFOR-it dhe kontributin e tij me impakt pozitiv jo vetëm për Forcat e Sigurisë së Kosovës, por dhe për stabilitetin në rajon, në fusha të ndryshme si ajo ekonomike, diplomatike etj, theksoi se tashmë institucionet e Kosovës i kanë marrë gjithnjë e më shumë përgjegjësitë e veta, ashtu sikundër dhe nga ana tjetër KFOR-i po kalon përherë e më tepër kompetenca tek to. Shembulli i fundit është kalimi i autoritetit tek Policia Kufitare e Kosovës, e cila deri në fund të këtij muaji do të marrë përgjegjësinë për patrullimin e 104 km të kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ai shprehu kënaqësinë që Forcat e Armatosura Shqiptare kanë arritur  të transformohen dhe të arrijnë standardet e kërkuara, duke vlerësuar njëkohësisht si një impakt pozitiv mbështetjen që Shqipëria dhe FA të saj, i kanë dhënë Forcave të Sigurisë së Kosovës, për arritjen e sigurisë e stabilitetit në vend e në rajon.

Më tej, të dy gjeneralët në një konferencë për shtyp dhënë për mediat, rikonfirmuan sërish përparimet që janë arritur në Kosovë në lidhje me sigurinë e stabilitetin, punën dhe kontributin e KFOR-it në këto fusha, por njëkohësisht dhe për vazhdimin e bashkëpunimit midis Forcave tona të Armatosura me KFOR-in dhe FSK. Për të rritur më tej bashkëpunimin u ra dakord edhe për hapjen e një zyre në Tiranë për të koordinuar me KFOR-in të gjitha lëvizjet që bëhen për forcat që shërbejnë për sigurinë në Kosovë.

Gjatë vizitës së Tij në Shqipëri, Gjeneral Lejtënant Markus Bentler, realizoi takim dhe me Ministrin e Mbrojtjes Z. Arben IMAMI.






Media Sociale



Moti