
30 nëntor 2011
Dita e Flamurit nga Paqeruajtësit tanë në “Camp Arena”, Herat, Afganistan u festua. në një ambient shumë festiv dhe me një pjesëmarrje të gjerë.
Në ceremoninë e organizuar nga Kontingjenti i 9-të dhe nën kujdesin dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të Komandantit të Komandës Rajonale Perëndimore të ISAF, Gjeneral Luciano Portolano, merrnin pjesë të ftuar e miq amerikanë, italianë, spanjollë, bullgarë, sllovenë e lituanezë.
Dita e Flamurit bashkoi shqiptarë e kosovarë, të cilët punojnë në kompani civile në mbështetje të “CAMP ARENA”.
Pjesëmarrësit në këtë ceremoni u përshëndetën nga Kolonel Sokrat Prifti, I cili ndër të tjera theksoi se: “Flamuri kombëtar, që ngrihet kaq larg nga vendlindja, drithëron zemrat e paqeruajtësve duke i bërë më krenarë dhe më të frymëzuar për një të ardhme edhe më të mire”.
Në vijim të ceremonisë Kolonel Prifti i njohu pjesëmarrësit me një historik të shkurtër që çoi në ditën e shpalljes së Pavarësisë, historikun e zhvillimit të shtetit shqiptar, krijimin e Forcave të Armatosura Shqiptare pas pavarësisë dhe kontributin që jep sot Shqipëria në operacionet paqeruajtëse në kuadër të NATO-s, UN dhe BE.
Në fjalën përshëndetëse Gjeneral Portolano, shprehu kënaqësinë që ishte prezent në këtë ditë të shënuar për shqiptarët. “Ju që luftuat për pavarësinë vendit tuaj shumë vjet më parë, tani po luftoni për lirinë e një vendi të madh si Afganistani. Në këtë ditë gëzimi tuajën, ju jemi mirënjohës të rënëve për këtë liri. Nëse ju do të vazhdoni të punoni si keni punuar deri tani, jeni të sigurt se ky mision do jetë nga më të suksesshmit”. Në vijim Gjeneral Portolano vlerësoi kontingjentin shqiptar për misionin dhe akordoi edhe medalje për djemtë e kontingjentit.
Në fund të ceremonisë, Kolonel Prifti, falënderoi Gjeneral Portolano për mbështetjen në organizimin e ceremonisë si dhe të pranishmit që nderuan me pjesëmarrjen e tyre në Ditën e Flamurit, dhe i ftoi ata në një koktej të sponsorizuar nga vetë kontingjenti shqiptar.