
28 nëntor 2011
Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, nderuan sot me kurora me lule, kujtimin e përjetshëm dhe veprën e lavdishme të të gjithë atdhetarëve shqiptarë, që punuan, luftuan dhe ranë për çlirimin e atdheut dhe flamurin tonë kombëtar. me rastin e 99 vjetorit të Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë.
Në këtë ceremoni të organizuar me këtë rast në “Varrezat e Dëshmorëve”, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, në praninë edhe të Kryeministrit, z. Sali Berisha, Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, Prefekti i Qarkut të Tiranës z. Keltis Kruja, si dhe përfaqësuesve të tjerë të institucioneve shtetërore qendrore e vendore dhe trupit diplomatik, vendosën një kurorë me lule në monumentin e “Nënë Shqipëri”, në shenjë respekti të thellë për veprën dhe sakrificat e atdhetarëve shqiptarë.
Nga ana e tij Kryeministri i Shqipërisë, z. Berisha u shpreh: “Sot është 99 vjetori i lindjes së kombit të lashtë shqiptar, dita e Pavarësisë së Shqipërisë, dita ë Flamurit kombëtar. Sot është dita e nderimit më të madh, respektit më të thellë, mirënjohjes më të pakufishme ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave shqiptare që me jetën e tyre, me gjakun e tyre, me rininë e tyre, vaditën rrënjët e lirisë që ne gëzojmë sot. Ata sollën këtë ditë si ditë të të gjitha ditëve shqiptare. Duke vlerësuar kontributin e të rënëve në luftën për çlirimin e vendit, Kryeministri Berisha nënvizoi: “Lufta Nacional Çlirimtare përbën një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit shqiptar dhe këta burra të thinjur që janë sot këtu së bashku me ne, mbushën fushat, kodrat, malet e Shqipërisë, rrokën armët dhe u përballën me armikun më të egër që kohërat kishin njohur, luftuan e çliruan vendin dhe renditën Shqipërinë në anën e drejtë të historisë së njerëzimit”.
Ministri Imami dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Gjunkshi,në vijim të nderimeve për të rënët e kombit, në ditën e 28 nëntorit, zhvilluan një vizitë edhe në familjen e Dëshmorit të Demokracisë Azem Hajdari,duke u përcjellë pjesëtarëve të Familjes Hajdari nderimet më të thella të tij për Azemin por dhe për të gjithë ata që vendosën sakrificën në themel të lirisë së kombit.