
23 mars 2010
Në ambjentet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, për 3 ditë radhazi u zhvillua Konferenca Kryesore Planëzuese e stërvitjes “SEESIM 10”. Qëllimi i Konferencës, ishte prezantimi, diskutimi dhe miratimi i specifikimeve dhe skenarit të stërvitjes ‘’SEESIM-10’’; përcaktimi i mënyrës së zhvillimit të stërvitjes dhe termave të references; si dhe zhvillimi i detajimeve të tjera në interes të zhvillimit të saj.
Në këtë konferencë morën pjesë: ekspertë të SHBA, ekspertë Suedezë, ekspertë të SEEBRIG-ut, si dhe ekipet e eksperteve ushtarakë e civilë të shteteve pjesmarrëse, (Shqipëria, BiH, Bullgari, Kroaci, Greqi, Itali, Maqedoni, Turqi, Ukrainë, Serbi, Gjeorgji, Mal i Zi, Slloveni, Rumani, dhe Moldavi).
Hapja e seancës plenare e konferencës u bë nga Komandanti i KDS, Gjeneral Brigade Sandër LLeshi, dhe për palën amerikane, nga Drejtori i J7 në Komandën Amerikane të emergjencave, z. Jimmie Opilla.
Pas prezantimit të delegacioneve pjesëmarrëse në këtë konferencë, nga bashkëdrejtuesi i stërvitjes për palën shqiptare, Kolonel Bardhyl Hoxha, u bë njohja e pjesëmarrësve me kalendarin e procedurat e zhvillimit të konferencës.
Konferenca vijoi me diskutime të grupeve të punës për objektivat e trajnimit, vazhdimin e planëzimit dhe ekzekutimit të stërvitjes. Në përfundim të saj, nga drejtuesit e seancave plenare dhe të sindikatave, u bënë konkluzionet e punës në grupet e punës si dhe prezantim para Steering Group dhe Bashkëdrejtuesve të Konferencës.