SHSHP i FARSH, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi merr pjesë në ceremoninë e promovimit të Doktrinës Ushtarake të FARSH

31 maj 2013

Sot paradite, në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua ceremonia e promovimit dhe miratimit të Doktrinës Ushtarake dhe e disa dokumenteve të tjerë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Në këtë ceremoni morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Viktor Bërdo, gjeneralë, komandantë, pedagog dhe të ftuar të tjerë.
Në kuadër të kësaj ceremonie të promovimit të këtyre dokumenteve, nënkolonel Behar Mara në rolin e komandantit të Komandës, Join Task Force (CJTF), prezantoi seminarin në stërvitjen e planëzuar të koduar “Greazy Leopard”. Ceremoninë e promovimit të Doktrinës Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë e përshëndeti shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, gjeneral Gjunkshi ndër të tjera theksoi: “Anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut përbën një ndër ndryshimet strategjike, që diktojnë një rikonceptim të të gjithë sistemit të sigurisë dhe të mbrojtjes së vendit, i cili tashmë është pjesë përbërëse e sistemit të sigurisë dhe të mbrojtjes së përgjithshme të NATO. Procesi i modernizimit të Forcave të Armatosura të RSH dhe integrimi i plotë i tyre në strukturat e Aleancës nuk mund të kuptohet pa një aktualizim si të koncepteve doktrinarë, të manualeve e rregulloreve të përbashkëta. Qëllimi i kësaj doktrine është të krijojë kushte për të kuptuarit e përbashkët të parimeve e koncepteve të përgatitjes e kryerjes së operacioneve ushtarake, për natyrën e mjedisit të sotëm e të ardhshëm operacional dhe për përdorimin e FARSH në këtë mjedis”.

Më tej, gjeneral Gjunkshi në fjalën e tij u shpreh se Doktrina Ushtarake e FA (DP-01), të cilën po miratojmë sot përfaqëson një dimension të ri të mendimit ushtarak profesional dhe në të njëjtën kohë shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e hierarkisë doktrinare. Ky dokument i rëndësishëm pasqyron njohuritë dhe përvojën e luftës moderne në një mjedis strategjik të ndryshuar e në rrethana operacionale komplekse, shpreh mendimin tonë ushtarak dhe vlerat më të mira të Forcave të Armatosura të Shqipërisë gjatë historisë së tyre 100-vjeçare, dhe shërben si udhërrëfyes për detyrën dhe misionin kushtetues të FARSH për mbrojtjen e sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të RSH, si dhe ndihmon për përmbushjen e angazhimeve tona si vend anëtar i NATO.
“Me lejoni duke falënderuar Qendrën e Doktrinës për përfundimin me sukses të shume projekteve me interes për FA, të ritheksojë dhe vë në dukje edhe njëherë se: rishikimi dhe rikonceptimi materialeve doktrinarë në përshtatje me hierarkinë doktrinare e në përputhje me ndryshimet në publikimet e përbashkëta të Aleancës, kërkon nga të gjithë ju intelektualizëm, prakticizëm, bashkëpunim me të gjithë strukturat e FA, punë të përgjegjshme e të vijueshme të kësaj qendre, me qëllim kryesor mbajtjen dhe zhvillimin e kohezionit në FA. Në këtë aktualitet, përvetësimi i parimeve, koncepteve e procedurave që parashtrohen në dokumentet doktrinarë është detyrë e çdo pjesëtari të FARSH”, - u shpreh në përfundim të fjalës së tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FARSH, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi.

Doktrina Ushtarake pasqyron ndryshimet aktuale në FARSH, bazuar në strukturën e re dhe në një mjedis sigurie përherë në ndryshim. Konteksti politik i kësaj Doktrine është harmonizimi i parimeve doktrinarë me objektivat e politikës shtetërore dhe me dokumentet kryesore të Aleancës.

DP-01 është e paracaktuar të përdoret kryesisht nga komandat dhe shtabet e nivelit operativ, por mund të përdoret si referencë edhe në nivelet e tjera. Ajo trajton parimet, konceptet, qëllimet, llojet e botimeve të doktrinave, zbatimin, hierarkinë dhe ndërveprueshmërinë që përshkojnë planëzimin dhe zhvillimin e operacioneve .
Doktrina DP-01 parashtron filozofinë dhe teorinë ushtarake shqiptare për përdorimin e FARSH si një instrument i fuqisë kombëtare. Ajo trajton metodologjinë për strategjinë e niveleve të larta të Forcave Armatosura dhe zbatimin e asaj strategjie në bashkëpunim me aleatët tanë kryesorë.

Doktrina DP-01 përshkruan parimet udhëheqëse, vlerat themelore ushtarake, karakterin, shpirtin, etikën dhe pritshmërinë në realizimin detyrave ushtarake, si dhe pasqyron në mënyrë të përmbledhur rolin dhe misionin mbrojtës të FARSH. Ajo jep një pamje të përgjithshme të mendimit operacional dhe përshkruan konsideratat për operacionet e përbashkëta të forcave tona, të gërshetuara me ato të forcave aleate a të një koalicioni, si dhe jep një përshkrim të qasjes ndaj operacioneve specifike. Kjo bën të mundur që organizimi dhe zhvillimi i të gjitha operacioneve, në vija të përgjithshme të mbështeten në qasje të njëjtë.

DP-01 jep një tablo të qartë të përmbajtjes, kuptimit, qasjes dhe kryerjes së të gjitha operacioneve të FA. Planëzimi ushtarak është gjithëpërfshirës dhe kryhet në bashkërendim me të gjithë aktorët dhe nismat e tjera të mundshme jo ushtarake, që do të jenë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta. Ndryshimet për raste të veçanta bëhen të dukshme në nivelet doktrinarë më të ulëta dhe kanë të bëjnë kryesisht me praktikat e procedurat.

DP-01 trajton natyrën e dislokueshme të operacioneve. Operacione që kërkojnë përhapjen e forcave dhe mund të ndodhin brenda dhe jashtë territorit të RSH. Nga këndvështrimi i një vendi anëtar të Aleancës, një përhapje e forcave në periferi të NATO nuk ka ndryshim nga një përhapje e tyre jashtë kësaj zone. Përfundimi kryesor është se forcat e vendeve te veçanta, kudo që të përhapen do të kërkojnë mbështetje logjistike; pra, aftësia e forcave për t’u përhapur ose ndryshe, “dislokueshmëria e forcës”, është një element karakteristik i rëndësishëm i kësaj force. Në kontekstin e përgjithshëm për t’iu përgjigjur natyrës ekspedicionare të operacioneve të NATO, vendet anëtare duhet të fuqizojnë dislokueshmerinë e forcave të tyre.

Dokumentet e mësipërme do të ndikojnë mbi strukturën e forcës, stërvitjen, konceptet dhe faktorët e tjerë themelorë të misionit. Për këtë qëllim, Qendra e Doktrinës (QD) do të rishikojë përmbajtjen e tyre në bazën e një cikli trevjeçar, përveçse në rastet kur ndryshimet në politikat e mbrojtjes dhe në Strategjinë Ushtarake të FARSH kërkojnë përmirësime a ndryshime të menjëhershme të saj. Rekomandimet për ndreqje janë të mirëpritura dhe do te jenë në vëmendje të punës sonë.

Fjala e plotë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm






Media Sociale



Moti