Zhvillohet ceremonia e përcjelljes së Ekipit Këshillues Ushtarak “MAT Striking Eagle 4”, në misionin ISAF, Afganistan

30 maj 2013

Është zhvilluar sot, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, ceremonia e përcjelljes së Ekipit Këshillues Ushtarak të koduar “MAT Striking Eagles 4”, për në mision në operacionin ISAF në Kabul, Afganistan. Në ceremoninë e rastit morën pjesë, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Viktor Bërdo, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Bardhyl Hoxha, komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, përfaqësues të zyrës së CUBIC, drejtorë drejtorish në MM dhe SHP,etj. Në fjalën e tij përshëndetëse ndër të tjera zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Viktor Bërdo u shpreh: “E veçanta e ekipit të katërt të përbashkët Shqiptaro-Amerikan “MAT Striking Eagle 4”, është se gjatë kohës së misionit do të kalojë shkallë-shkallë nga stadi dhe detyrat e patronazhit, koordinimit dhe mbështetjes në stadin e kryerjes së detyrave të drejtpërdrejta të këshilluesit dhe trajnuesit ushtarak.

Kjo vjen në përgjigje të një prej ndryshimeve dhe prioriteteve të mëdha të vendit tonë ndaj Aleancës, për zbatimin e procesit të tranzicionit, me qëllim arritjen e suksesit dhe daljen nga lufta në Afganistan, i cili në vetvete do të gjejë zbatim me trajnimin dhe këshillimin e ushtrisë dhe Policisë Kombëtare Afgane, duke konsistuar në uljen e numrit të trupave që Aleanca përdor në operacionin ISAF për operacionet luftarake dhe mbështetjes së luftimit (siguri dhe ruajtje), por duke shtuar ekipe trajnuese dhe këshilluese (NTM-A, MAT-A dhe PAT-A)”, - është shprehur gjeneral Bërdo.

Më tej, gjeneral Bërdo nënvizoi në fjalën e tij përshëndetëse se kontributi i Forcave të Armatosura Shqiptare, me trajnues në operacionin ISAF, është një nga kërkesat primare të Aleancës, të cilës FARSH i janë përgjigjur duke vijuar pjesëmarrjen me këtë kontribut të ri, i cili u shtohet kontributeve tona me trupa në Afganistan.

Në përfundim, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Viktor Bërdo u shpreh: “Më lejoni t’u siguroj për mbështetjen e vazhdueshme të ministrit të Mbrojtjes, z. Arben Imami dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm i FARSH, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, gjatë kryerjes së detyrave tuaja në Afganistan, t’ju uroj një mision të suksesshëm dhe kthim shëndosh e mirë në atdhe dhe pranë familjeve tuaja”.

Ekipi i përbashkët Shqiptaro-Amerikan “MAT Striking-Eagles 4”është i katërti në radhë dhe zëvendëson atë të dërguar në muajin tetor të vitit të kaluar, i cili aktualisht po vijon përmbushjen me sukses të misionit në Kabul për trajnimin e trupave afgane.

Ekipi i përbërë nga 12 ushtarakë shqiptarë dhe 12 ushtarakë të Gardës Kombëtare të New Jersey, pas trajnimit disa mujor në vendin tonë do të vijojë stërvitjen e përbashkët në Qendrën e Vlerësimit dhe Certifikimit të NATO, në Gjermani. Pas certifikimit, për një periudhe nëntë mujore do të vijojë përmbushjen e misionit në Kabul, Afganistan.

Aktualisht, Forcat e Armatosura të RSH kanë të angazhuara në operacionin ISAF, Afganistan kontingjentin e 12-të, në Herat, kontingjentin Eagle 6, në Kandahar; ekipi Shëndetësor me specialistë/trajnues shëndetësie dhe ekipin OMLT "Striking Eagles 3" në Kabul me një numër të përgjithshëm 203 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë. Gjithashtu, Forca e Armatosur shqiptare ka përfaqësues në shtabe të ndryshme në operacionin ISAF, Afganistan, KFOR, Kosovë, misionin ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë.






Media Sociale



Moti