
29 maj 2013
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi mori pjesë në punimet e konferencës me temë “Sfidat e Sigurisë Detare në Adriatik dhe Jon”, që organizohet nga Qendra Kombëtare e Sigurisë dhe Mbrojtjes (QKSM) pranë Ministrisë së Mbrojtjes në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA në Tiranë, në mjediset e hotel “Tirana International”. Në këtë konferencë ishin të pranishëm, kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, zëvendësministrja e Jashtme, znj. Edit Harxhi, zëvendësministri i Brendshëm, z. Arben Ristani, zëvendësministrja e Mbrojtjes, znj Arta Musaraj, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Forcave të Armatosura.
Gjithashtu në konferencë morën pjesë, ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Alexandër Arvizu, politikani i Bashkimit Europian, z. Franco Fratini, ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, z. Talat Xhaferri, ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, z. Agim Çeku, zëvendësministri i Mbrojtjes i Greqisë, z. Panagiotis Karampelas, përfaqësues të lartë nga Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, si dhe përfaqësues nga organizma të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare të kësaj fushe.
Qëllimi i konferencës për Sigurinë Detare ishte shkëmbimi i eksperiencës dhe praktikave më të mira të vendeve të rajonit tonë në fushën e sigurisë detare, duke krijuar një mirëkuptim më të gjerë dhe një bashkëpunim më të mirë mbi rreziqet dhe sfidat për sigurinë detare që na presin në të ardhmen (në detin Jon dhe atë Adriatik). Konferenca “Sfidat e Sigurisë Detare në Adriatik dhe Jon” zhvillohet në kuadër të iniciativës së Adriatikut dhe Jonit, iniciativë e krijuar që në vitin 2000, në Ankona të Italisë. Aktualisht, Shqipëria ka marrë presidencën e radhës.