
28 maj 2013
Është zhvilluar sot në ambientet e “Hotel Tirana” takimi plenar i pranverës për menaxhimin e trafikut ajror, me qëllim diskutimin dhe amendimin e politikave dhe udhëzimeve për një menaxhim sa më të mirë të trafikut ajror të NATO. Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, drejtues të Forcës Ajrore përfaqësues nga Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror, autoriteti i Aviacionit Civil si dhe pjesëmarrës nga vendet anëtare të NATO dhe PfP.
Punimet e seancës plenare të menaxhimit të trafikut ajror u përshëndetën nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, i cili vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë program në filozofinë e menaxhimit të hapësirës ajrore shqiptare. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009, shënoi sfidën e parë të rëndësishme për Forcën Ajrore shqiptare dhe ANTA.
Bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet Forcës Ajrore dhe ANTA, me mbështetjen e fuqishme të komponentit ajror të NATO, në Izmir dhe SHAPE, sollën suksesin që ne përjetojmë sot, policimin ajror mbi qiellin shqiptar”, - ka vlerësuar në fjalën e tij, Gjeneral Gjunkshi.
Më tej, gjeneral Gjunkshi u ndal në rëndësinë e përdorimit të procedurave të përbashkëta të trafikut ajror edhe me vendet fqinjë. “Përdorimi i përbashkët i hapësirës ajrore, i burimeve, pajisjeve si dhe përdorimi i procedurave të përbashkëta, është elementi bazë i bashkëpunimit ndërmjet ushtarakëve dhe ANTA. Ne jemi duke synuar për ta çuar përpara këtë koncept edhe me fqinjët tanë, të bindur se jo vetëm që do të ruajmë dhe kursejmë energji dhe burime financiare, por edhe do të rrisim shkallën e sigurisë për të gjithë përdoruesit e hapësirës ajrore në rajon. Iniciativa e fundit, përqasja rajonale ballkanike për mbrojtjen ajrore (BRAAD), është një nga programet më sfiduese të cilin ne e mbështesim fuqimisht, të bindur se do t’i shërbejë më së miri vendeve tona. Rruga përpara është e qartë, përdorimi me zgjuarsi dhe fleksibilitet i hapësirës ajrore, shërbime më të mira, hapësira ajrore më të sigurta për përdoruesit civilë dhe ushtarakë nën frymën e partneritetit”, - ka konkluduar, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi.
Takimi plenar i pranverës për “Menaxhimin e Trafikut Ajror” do të vijojë punimet deri më datë 30 maj 2013. Ky takim mbahet dy herë në vit dhe Shqipëria është vendi pritës, ku Forca Ajrore dhe Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror (ANTA) kanë mbajtur peshën kryesore për menaxhimin, organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit. Ditën e parë, takimi plenar do të zhvillohet me pjesëmarrjen e vendeve anëtare të NATO. Ndërsa në dy ditët në vazhdim do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e vendeve PfP.
Gjatë takimit do të diskutohen çështjet e ngritura dhe diskutuara edhe në takimet e mëparshme:
Ditën e dytë, pjesëmarrësit në takimin plenar do të bëjnë një vizitë edhe në ambientet e Agjencisë të Trafikut Ajror Rinas dhe në ambientet e Komandës së Forcës Ajrore, ku do të vizitojnë Qendrën e Kontroll-Raportimit të Forcës Ajrore, e cila është ngritur dhe funksionon sipas standardeve të NATO dhe menaxhon e kontrollon trafikun ajror në Shqipëri, në bashkëpunim me Qendrat e NATO dhe ANTA.