
27 maj 2013
Nën drejtimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, u zhvillua një takim pune mbi aktivitetin e Shtabit të Përgjithshëm dhe strukturave të Forcave të Armatosura. Në takim merrnin pjesë komandantët e forcave kryesore dhe atyre mbështetëse, si dhe drejtorët e drejtorive në Shtabin e Përgjithshëm të FA. Takimi u fokusua në vlerësimin e rregullave të ruajtjes dhe të sigurisë fizike për mirëmenaxhimin dhe administrimin e bazës materiale, si dhe për forcimin e masave të MNZSH, duke qenë se po afron stina e verës. Gjithashtu, gjatë takimit u evidentua ecuria e aktiviteteve të deritanishme nga strukturat e FA.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, vlerësoi punën e Shtabit të Përgjithshëm dhe strukturave të FA për realizimin e detyrave të ngarkuara gjatë kësaj periudhe, sidomos të takimit të 7-të të shefave të Shtabit të vendeve të Ballkanit dhe të vizitës së shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë në vendin tonë gjatë javës që sapo lamë pas.
“Dëshiroj të theksoj se konferenca e 7-të e shefave të Shtabit të vendeve të Ballkanit, që u zhvillua në vendin tonë në datat 21-23 maj 2013, ishte një tregues i punës me përkushtim dhe i nivelit të lartë të bashkëpunimit rajonal. Zhvillimi me sukses i këtij evenimenti të rëndësishëm rajonal u vlerësua me nota maksimale edhe nga gjeneral Patrick De Rousiers, kryetar i Komitetit Ushtarak të BE dhe gjenerallejtënant Walter Gaskin, zëvendëskryetar i Komitetit Ushtarak të NATO, - ka theksuar ndër të tjera, gjeneralmajor Gjunkshi.
Në përfundim të këtij takimi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, bëri vërejtjet dhe rekomandimet e duhura në drejtim të forcimit të disiplinës dhe rregullit në punë, stërvitje dhe kudo. Gjeneral Gjunkshi ka kërkuar nga drejtuesit që në të gjitha njësitë e FA të punohet me seriozitet e përkushtim, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të punës, zbatimin e legjislacionit, si dhe në realizimin e detyrimeve të planifikuara për përmbushjen me korrektësi të misionit kushtetues nga Forcat e Armatosura.