SHSHP të FARSH, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi priti Shefin e Shtabit të Republikës së Turqisë, Gjeneral Necdet Özel

24 qershor 2013

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi priti në Shtabin e Përgjithshëm në një takim të veçantë, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjeneral Necdet Özel dhe delegacionin që e shoqëronte. Pas pritjes ceremoniale të dy delegacionet zhvilluan bisedime për çështje me interes reciprok, që përfshinë çështje në marrëdhëniet bilaterale në kuadër rajonal dhe atë të Aleancës.
Gjeneral Gjunkshi pasi falënderoi homologun turk për nivelin e lartë të marrëdhënieve të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet të dy vendeve tona, si dhe rolin e tij për forcimin e vazhdueshëm të tyre, shprehu bindjen, dëshirën dhe vullnetin për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

"Ky takim është një mesazh për forcimin e marrëdhënieve midis Forcave të Armatosura shqiptare dhe Forcave të Armatosura turke”,- është shprehur gjeneral Gjunkshi. Më tej, të dy homologët vlerësuan angazhimin e përbashkët në misionet paqeruajtëse në Afganistan, si dhe në kuadër të nismave rajonale.

Nga ana e tij, shefi i Shtabit të Turqisë, gjeneral Özel falënderoi për mikpritjen, si dhe u shpreh me nota maksimale gjatë Konferencës së 7-të të shefave të Shtabeve të Ballkanit, që u zhvillua në vendin tonë në datat 21-23 maj 2013. Gjeneral Özel shprehu bindjen se dy vendet tona do të intensifikojnë marrëdhëniet, me qëllim zgjerimin e fushave të bashkëpunimit në të ardhmen. Në fund të takimit, shefi i Shtabit të Turqisë, gjeneral Özel la përshtypjet e tij më të mira në Librin e Nderit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjeneral Özel i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shqiptare, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi u prit në një takim kortezie nga ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami. Më pas gjeneral Özel me anë të një prezantimi, u njoh shkurtimisht me rrugën e transformimit dhe të reformave në Forcat tona të Armatosura, si dhe me momentet kulmore të kësaj periudhe. Kreu i ushtrisë turke shprehu vlerësimet më të mira për zhvillimet që kanë shënuar Forcat e Armatosura shqiptare. “Forcat e Armatosura shqiptare nën drejtimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ne i shohim nga afër që kanë arritje të mëdha jo vetëm në realizimin e misionit dhe detyrave brenda vendit por japin kontribut të madh për paqen dhe sigurinë në Ballkan”, u shpreh ndër të tjera gjeneral Özel.

Axhenda e Vizitës në vendin tonë e shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, Gjeneral Necdet Özel, ka vijuar me një pritje të veçantë nga kryeministri i RSH-së, SHTZ. Dr. Sali Berisha dhe nga presidenti i RSH-së SHTZ. Bujar Nishani.

Vizita e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, Gjeneral Necdet Özel ka vijuar gjatë pasdites me një vizitë në qytetin e Shkodrës, në monumentin e Dëshmorit Hasan Riza Pasha, ku kanë kryer homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule.






Media Sociale



Moti