
27 korrik 2013
Sot në orët e para të mëngjesit është kthyer në atdhe kontingjenti i 12-të paqeruajtës që shërbeu me sukses për një periudhe gjashtë mujore në Herat, Afganistan. Në pritjen e organizuar me këtë rast në Aeroportin "Nënë Tereza", morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, komandantët e forcave kryesore dhe atyre mbështetëse, drejtoret e drejtorive në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë të ushtarakëve që u kthyen nga misioni. E veçanta e kësaj ceremonie ishte pjesëmarrja e shefit të Shtabit të Mbrojtjes Italiane, admiral Luigi Binelli Mantelli, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë, me rastin e përfundimit të misionit të Delegacionit Italian të Ekspertëve.Të pranishmit në ceremoni i përshëndeti komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, i cili pasi falënderoi paqeruajtësit për realizimin me sukses të misionit, vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë këtyre viteve ndërmjet kontingjenteve të FA dhe atyre italiane, të cilat kanë shërbyer së bashku në Herat, në kuadër të ISAF.
Më pas e ka marrë fjalën shefi i Shtabit të Mbrojtjes Italiane, admiral Luigi Binelli Mantelli, i cili ndër të tjera falënderoi gjeneral Gjunkshin për mundësinë e pjesëmarrjes në këtë ceremoni shumë mbresëlënëse. “Dëshiroj të shpreh falënderimet e Forcave të Armatosura italiane për punën e jashtëzakonshme dhe profesionalizmin e treguar nga të gjitha kontingjentet shqiptare në misionin e përbashkët në Afganistanin e largët. Falë angazhimit tuaj, ju keni arritur të përmbushni dy objektiva madhore: stabilizimin e situatës së sigurisë në Afganistan dhe rritjen e dinjitetit të kombit tuaj në arenën ndërkombëtare”, - ka vlerësuar admiral Mantelli.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi në fjalën e tij përshëndetëse ka uruar trupat paqeruajtëse për realizimin me sukses të misionit të ngarkuar. “Ju e përfunduat me sukses këtë mision përkrah forcave ushtarake italiane, çka përbën për ne një siguri e garanci më të madhe si edhe një privilegj për ta falënderuar sot në mënyrë të drejtpërdrejtë kolegun tim, i cili na ka nderuar me prezencën e tij në pritjen tuaj sot”, - është shprehur ndër të tjera, gjeneral Gjunkshi. Gjeneral Gjunkshi ka falënderuar gjithashtu admiral Mantellin për bashkëpunimin e shkëlqyer në misionin e përbashkët në kuadër të ISAF, si dhe për mbështetjen e dhënë nga Forcat e Armatosura italiane.
Një falënderim të veçantë, gjeneral Gjunkshi ka adresuar për familjarët e paqeruajtësve. “Ju faleminderit për të gjithë sakrificën e mbështetjen tuaj për djemtë, baballarët dhe bashkëshortët që shërbyen në këtë mision, jini të lumtur sepse ata e bënë detyrën ndaj atdheut, si ushtarakë e qytetarë të vërtetë”, - ka nënvizuar gjeneral Gjunkshi.
Më pas, ceremonia ka vijuar me një foto të përbashkët, një kujtim special jo vetëm për paqeruajtësit tanë, por edhe për shefin e Shtabit të Mbrojtjes Italiane, admiral Luigi Binelli Mantelli.